Kuvendi i Kosovës mblidhet për një deklaratë rreth aktgjykimit të Speciales

Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i ri i Kosovës pritet ta miratojë sot një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në seancën e së hënës, e para plenare e legjislaturës së 11-të, që pritet të nisë në orën 11:00, në rend dite është edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe betimi i disa deputetëve të rinj.

Javën e kaluar, PDK-ja i propozoi Kuvendit ndryshimet në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Hashimit Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.

PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa Lëvizje Vetëvendosje (LVV) në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.

SHIKONI EDHE:

Nisma për ndryshimin e ligjit të Speciales është dërguar për mendim në Qeveri

Më 16 shtator, Specialja dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimin.

Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.

SHIKONI EDHE:

Çfarë strategjie mund ta ndjekë Qeveria e Kosovës për apelin në Hagë?