Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lutfi Haziri, tha se me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) janë duke u konsultuar për një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Sipas tij, qëllimi është që sa më shpejt të sigurohet funksionaliteti institucional, teksa Kosova aktualisht ka ushtruese të detyrës së presidentit, pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i skadoi mandati pesëvjeçar më 4 prill. Këtë post, sipas Kushtetutës, e mori kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
SHIKONI EDHE:
“Profili ndryshe” që mund ta trazojë skenën politike: Vjosa Osmani në terrenRrugëtimi politik i Albulena Haxhiut - ushtrueses së detyrës së presidentitHaziri tha se konsultimet janë “aktive” dhe se kreu i partisë, Lumir Abdixhiku po punon që t’i jepet “një mundësi marrëveshjes mes LDK-së dhe VV-së”.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, njëherësh udhëheqësi i LVV-së në pushtet, Albin Kurti, tha, po ashtu, për mediat se është në komunikim me LDK-në dhe se “kur te kemi rezultate do t'ju njoftojmë“.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.
Kurti, ditë më parë ka zhvilluar takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK-së, por takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për presidentin. LDK-ja në legjislaturën e dhjetë ka 15 deputetë.
LVV-ja më herët ka paralajmëruar edhe takime të tjera me LDK-në dhe PDK-në.
LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha - Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Konjufca tha më 16 prill se tërheq kandidaturën, nëse opozita del me një kandidaturë të përbashkët.
SHIKONI EDHE:
Konjufca për çështjen e presidentit: Shkojmë në zgjedhje nëse ky është vullneti i opozitësMë 6 mars, një ditë pas seancës për presidentin, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.
Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.
LVV-ja i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit 2025 dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë.