Osmani e Gjukanoviq konfirmojnë diskutimet "pozitive" për vizat

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderët e BE-së. Bruksel, Belgjikë, 23 qershor 2022.

Liberalizimi i vizave për Kosovën ka qenë temë diskutimi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, kanë thënë në një deklaratë për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Presidentja Osmani, pas përfundimit të Samitit tha se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

“Kemi dëgjuar deklarata mbështetëse për Kosovën, së pari për prespektivën e qartë në BE dhe liberalizimin e vizave. Por, tani na duhet të shkojmë nga fjalët në vepra”, tha ajo.

Sipas Osmanit, kësaj radhe ka pasur edhe më shumë deklarata mbështetëse për liberalizimin e vizave sa më herët.

“Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, tha Osmani.

Lexoni edhe këtë: Zhgënjimi i Ballkanit me BE-në

Ndërsa presidenti Gjukanoviq tha se shpreson që tonet nga ky takim të jenë frymëzuese për punën e pasdites së sotme të Këshillit Evropian.

“Në plan të parë ishte çështja e fillimit të procesit negociator me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe bashkë me të edhe çështja e sigurimit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Përveç kësaj, ata folën për dhënien e statusit kandidat jo vetëm për Ukrainën dhe Moldavinë, por gjatë bisedimeve u fol shumë për marrjen e statusit kandidat për Bosnje e Hercegovinën”, tha ai.

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Lexoni edhe këtë:

Qytetarët për viza: “Na ka humbur durimi” Zhgënjimi i Ballkanit me BE-nëPritjet nga Samiti i BE-së

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.