Ndërlidhjet

Zhgënjimi i Ballkanit me BE-në


Liderët e vendeve të BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, 23 qershor 2022.
Liderët e vendeve të BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, 23 qershor 2022.

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u ankuan më 23 qershor për mungesën e progresit në ofertat e tyre për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian para vendimit të bllokut për t'i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, përshëndeti dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, por tha se ata nuk duhet të kenë iluzione.

Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë pasur statusin e kandidatit prej vitesh, Maqedonia e Veriut që nga viti 2005 dhe Shqipëria që nga viti 2014.

Rama dhe krerët e pesë vendeve të tjera të Ballkanit që kërkojnë anëtarësimin në BE - Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia - u takuan në samit në Bruksel, me krerët e BE-së për katër orë përpara njoftimit për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë.

Ata konfirmuan pas takimit se lufta në Ukrainë e ka vënë në plan të parë procesin e zgjerimit dhe kjo do të thotë një prioritet i shtuar për procesin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe përparim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Megjithatë, në konkluzat e samitit nuk përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.

Osmani tha pas përfundimit të Samitit se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.

“Duhet të them se këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”, tha Osmani.

Vendet e Ballkanit janë thellësisht të frustruara për bllokimin në përpjekjet e tyre për t'u bashkuar me bllokun. Veçanërisht zhgënjyese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është vetoja e Bullgarisë, anëtare e BE-së, për fillimin e negociatave për shkak të një mosmarrëveshjeje me Shkupin në lidhje me historinë dhe gjuhën.

Shqipëria po frenohet sepse BE-ja e ka lidhur përparimin e saj me atë të Maqedonisë së Veriut.

“Është një turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, rrëmben dy vende të tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në oborrin e Evropës me 26 vende të tjera të ulura në një shfaqje të frikshme impotence”, tha Rama.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se bllokimi bullgar ishte "me të vërtetë jo i drejtë", por këmbënguli se rajoni duhet të vazhdojë dhe t’i kapërcejë vështirësitë.

"Ne nuk mund të bërtasim sepse edhe nëse dikush do t'i dëgjojë ose do të na dëgjojë, nuk do të ndryshojë asgjë", tha ai. "Ne duhet të punojmë. Ne duhet të vazhdojmë ta ndryshojmë veten."

I zhgënjyer është shprehur edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

"Ajo që ka ndodhur është një goditje serioze për besueshmërinë (e) Bashkimit Evropian", tha Kovaçevski, duke iu referuar mungesës së përparimit në ofertat e anëtarësimit të Ballkanit në BE.

“Po humbim kohë të çmuar që nuk e kemi në dispozicion”.

Kovaçevski të enjten tha se e ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë i pranueshëm, duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Franca, e cila kryeson me Presidencën e BE-në deri më 1 korrik, ka disa javë që mbështet kërkimin e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes midis dy vendeve.

Propozimi francez përmban disa pika, ndër to: Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t'i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.

Megjithatë, Bashkimi Evropian ka konfirmuar gatishmërinë e tij për t'i dhënë Bosnje e Hercegovinës statusin e një kandidati për anëtarësim të plotë në BE.

Shtetet anëtare i kërkuan Komisionit Evropian (KE) të përgatisë një raport të ri mbi procesin e reformave në vend, pas të cilit BE do të jetë gati të shqyrtojë mundësinë e dhënies së statusit të kandidatit.

Burime diplomatike në Bruksel kanë konfirmuar se me kandidaturën e Sarajevës do të merret Presidenca çeke, e cila do të ketë mandat nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Këshilli "është i gatshëm t'i japë Bosnjës statusin e vendit kandidat", tha ai në një deklaratë pas shpalljes së statusit të kandidaturës për Ukrainën dhe Moldavinë.

Këshilli, në një deklaratë pas shpalljes së statusit të kandidaturës për Ukrainën dhe Moldavinë, ritheksoi premtimin e tij për t'u dhënë vendeve të Ballkanit anëtarësimin pasi ato të miratonin reformat ekonomike, gjyqësore dhe politike.

“Bashkimi Evropian shpreh angazhimin e tij të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Ndër arsyet pse procesi i zgjerimit të BE-së ka ngecur, janë frika e një përsëritjeje të pranimit të nxituar të Rumanisë dhe Bullgarisë më 2007 dhe migrimi i keqmenaxhuar i punëtorëve të Evropës Lindore në Britani që ktheu shumë britanikë kundër BE-së, duke çuar në BREXIT.

Por, zyrtarët në Bruksel, gjithashtu, janë shqetësuar hapur se mungesa e progresit për Ballkanin mund ta shtyjë rajonin më afër Rusisë dhe Kinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG