Ndërlidhjet

Kovaçevski refuzoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë një konferencë për media pas një takimi të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderëve të BE-së në Bruksel.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian pas përfundimit të samitit që u mbajt në Bruksel të enjten.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Kovaçevski të enjten tha se ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë pranueshëm duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin Serb, Aleksandar Vuçiq.

Franca, e cila kryeson me presidencën e BE-në deri më 1 korrik, ka disa javë që mbështet kërkimin e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes midis dy vendeve.

Propozimi francez përmban disa pika, ndër to: Maqedonia e Veriut duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendime territoriale ndaj Bullgarisë, se do ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, do t'i rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, do të harmonizojë tekstet shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, do t’i heqë të gjitha tabelat që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë, ndërsa dy vendet do të dërgojnë qëndrime të njëanshme lidhur me pozicionet e tyre për gjuhën maqedonase.

Në konferencën pas samitit të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kovaçevski tha se ka shprehur pakënaqësinë me dinamikën e negociatave të pranimit.

“Çfarë ka ndodhur tani është një goditje ndaj kredibilitetit të BE-së”, tha ai.

Pakënaqësinë me mos përparimin në rrugën për anëtarësim në BE e shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, tha ai.

Ai tha se nuk ka shpresuar në shumë progres në këtë çështje para ardhjes në samit.

“Ne kemi shumë për të bërë. Derisa ne vazhdojmë në rrugën tonë evropiane shpresojmë se në shekullin e ardhshëm do të jemi anëtarë”, tha Rama.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli lidhur me këtë çështje në konferencë të përbashkët me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Këta të tre janë edhe iniciatorët e Ballkanit të Hapur, që synon bashkëpunim ekonomik në mes të tri vendeve.

Presidenti Vuçiq tha se në samit ka shprehur mbështetjen e tij për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.

Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.

XS
SM
MD
LG