Ndërlidhjet

Sofja konfirmon veton, akuzon Shkupin për nxitje të urrejtjes


Kryeministri Zaev dhe Borisov. Foto nga arkivi.
Kryeministri Zaev dhe Borisov. Foto nga arkivi.

Drejtuesit e institucioneve në Maqedoninë e Veriut, kanë zbehur optimizmin për një marrëveshje me Bullgarinë, një ditë para mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku do bisedohet mbi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se po bëhet gjithnjë e më e sigurt se vendi nuk do të mund ta evitojë veton nga Bullgaria. Pavarësisht kësaj, Zaev la të shpresohet se konferenca e parë ndërqeveritare ndoshta do të mbahet deri në fund të vitit.

“Ne kemi arritur marrëveshje për pesë personalitete historike, tri periudha historike dhe ne jemi të gatshëm t’i shpallim ato dhe të nisin t’i aplikojmë në tekstet shkollore, si këtu ashtu edhe në Bullgari. Ne duhet të vazhdojmë më tej dhe unë jam i bindur se me vendimet pozitive ne ndërtojmë miqësinë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Zyrtarë të lartë të Bullgarisë, si zëvendëskryeministri Krasimir Karakaçanov dhe shefja e diplomacisë, Ekaterina Zaharieva, kanë bërë të qartë se bisedime mund të ketë, sikur që mund të ketë edhe marrëveshje, por vetëm nëse pranohen kërkesat e palës bullgare. Madje, në paraqitjet e fundit, zyrtarët bullgarë kanë akuzuar Shkupin për nxitje të urrejtjes dhe vjedhje e falsifikim të historisë.

“Nuk mundet që të vidhni historinë bullgare, të thoni se ky apo ai janë maqedonas dhe jo vetëm që ta vidhni, por edhe ta falsifikoni dhe në bazë të falsifikimeve të nxitini gjuhën e urrejtjes... Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, do të bisedonim edhe gjatë natës së festave të Vitit të Ri, nëse ata janë të gatshëm të pranojnë kërkesat tona. Ata nuk mund të dalin me argumente se ‘ky është identiteti ynë’. Prisni, ‘ky është identiteti juaj, por është i sajuar’”, ka deklaruar për televizionin Kanal 3, zëvendëskryeministri Karakaçanov, i cili njëherësh është edhe ministër i Mbrojtjes.

Zyrtarët bullgarë gjithashtu kanë kritikuar autoritetet maqedonase për nderimet që po i bëjnë të kaluarës komuniste, e që sipas tyre është në favor të Rusisë.

“Nuk mundet që në njërën anë të dëshironi të anëtarësoheni në BE dhe të demokratizoni shoqërinë dhe në anën tjetër të mbani manifestime për diktatorin më të errët, Titon. Nëse vazhdojmë t’i mbyllim sytë nga faktet se ky vend vazhdon ashtu siç e kishin paramenduar Titoja dhe Stalini, atëherë ne me këtë i bëjmë shërbim Moskës”, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare Eketerina Zaharieva, në një intervistë për televizionin shtetëror bullgar.

Duke komentuar pozicionin e palës bullgare dhe asaj maqedonase, Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bullgaria vështirë do të bëjë kompromis, por sipas tij, pala bullgare do të qëndrojë deri në fund pas kërkesave të saja.

Ai thotë se pala maqedonase duhet të reflektojë, pasi në këtë rast nuk bëhet fjalë për mohim të identitetit.

“Mendoj se Bullgaria me të drejt kërkon një kompromis, i cili mendoj se nuk ka të bëjë me identitetin, por ka të bëjë me gjenezën. Askush nuk ta konteston identitetin se si ndihesh ti. Këtë askush nuk mund të ta kontestojë, por kompromise duhet të ketë nga të dyja palët. Unë nuk shoh ndonjë problem. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe hapja e derës për në Evropë i garanton maqedonasve të sotëm që të mbijetojnë apo të kenë perspektivë si popull. Këta, këtë duhet ta kuptojnë. Mendoj se Bullgarinë duhet ta shohin si shtet vëlla. Kjo mendoj se duhet të ndodhë këtu, por konsideroj se ende rryma serbe është e fortë në Maqedoninë e Veriut dhe e pengon këtë proces”, thotë Sinani.

Pala bullgare konteston gjuhën dhe identitetin e maqedonasve me pretendimin se ato kanë “rrënjë bullgare”, se gjuha maqedonase është krijuar pas vitit 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe asaj serbe. Dy vendet në vitin 2017 nënshkruan një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të afrimit, jo ka ndarë edhe më shumë dy shtetet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG