Ndërlidhjet

Bullgaria nuk heq dorë nga kushtet për Maqedoninë e Veriut


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Mbledhja e parë ndërqeveritare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, që nënkupton edhe nisjen e biedimeve të anëtarësimit në union, bazuar në qëndrimet e palëkundëra të Sofjes, nuk do të ndodhë për shkak të mostejkalimit të dallimeve lidhur me emrin e shtetit, gjuhën, identitetin dhe preardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara historike.

“Ne ende nuk jemi në gjendje të miratojmë kornizën për nisjen e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, por jemi në duke punuar në mënyrë aktive me presidencën gjermane, si dhe me kolegët nga Republika e Maqedonisë së Veriut për gjetjen e zgjidhjes. Mbështetja jonë për këtë vend asnjëherë nuk e qenë pa kushte".

"Bullgaria nuk e konteston gjuhën dhe identitetin modern të popullatës së atjeshme. Ne qartë dhe me kohë e kemi bërë të ditur qëndrimin tonë, që vitin e kaluar qeveria dorëzoi në Kuvend deklaratën, e cila ishte mbështetur nga të gjitha partitë”, ka deklaruar në një prononcim për televizionin shtetëror bullgar (BTV) ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

Ajo vuri në dukje se është në interes të Bullgarisë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

"Nuk është vetëm historia ajo që shqetëson, por edhe gjuha e urrejtjes”, ka theksuar Zahariev, duke shprehur indinjatën për, siç ka thënë, “mosnjohjen e së vërtetës historike që çon në probleme mjaft serioze në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Sofja kërkon marrëveshje të re, Shkupi refuzon

Pala bullgare disa herë ka bërë të ditur se kontesti mund të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të re, të ngjashme me atë që u arrit me Greqinë për çështjen e emrit, por Qeveria e Maqedonisë së Veriut vlerëson se nuk ka nevojë për marrëveshje të re apo aneks ndaj marrëveshjes së vitit 2017 për kontestin me Bullgarinë.

Lidhur me kontestin, të mërkurën, kryeministri Zoran Zaev ka biseduar me telefon me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ku siç theksohet në njoftimin e qeverisë, Zaev e Merkel, kanë theksuar synimin e dy vendeve, që konferenca ndërqeveritare të mbahet gjatë presidencës gjermane me BE-në, në dhjetor.

Duke komentuar kërkesat e palës bullgare, Nano Ruzhin, ish- ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet pritur deri në momentin e fundit dhe të besohet se megjithatë mund të arrihet zgjidhje që vendi të mos bllokohet në procesin e integrimit në BE.

“Për çështjen e gjuhës maqedonase, për të cilën pala bullgare kërkon që të definohet si gjuhë me rrënjë bullgare, mendoj se zgjidhje mund të gjendet pasi kur kjo çështje është ngritur në Bruksel, pala bullgare sikur ka shprehur gatishmëri që të heqë dorë nga qëndrimi i fortë dhe të mos flitet për gjuhë maqedonase, por si gjuhë që është zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Apo, nëse duam të përmendim gjuhën maqedonase, atëherë duhet të pranojmë se ajo ka rrënjë bullgare. Mendoj se formula e parë nuk do të ishte problematike dhe mbi të mund të arrihet zgjidhje”, ka deklaruar Ruzhin.

Sipas tij, edhe për çështjet tjera, si atë për emrin e shtetit mund të ketë zgjidhje meqë Sofja kërkon që në asnjë dokument të mos shkruhet vetëm emri Maqedonia e Veriut, pa parashtresën Republika.

Ruzhin thotë se pret zgjidhje edhe për pakicën entike maqedonase në Bullgari, si dhe për kontestin lidhur me preardhjen etnike të disa personaliteteve, siç është edhe Goce Dellçev, që mund të përkufizohet si personalitet mbi interesat kombëtare e shtetërore.

XS
SM
MD
LG