Ligji për shtetësinë, përplasje mes opozitës shqiptare dhe MPB-së

Shkup, Maqedoni e Veriut.

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka reaguar pas vlerësimit negativ që ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me një mendim që ajo ka kërkuar nga ky dikaster sa i përket ndryshimeve të propozuara në Ligjin për shtetësinë.

Koalicioni i dy partive opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë propozuar lehtësira të shumta për marrjen e shtetësisë për të gjithë personat që ende nuk e kanë zgjidhur këtë problem edhe 30 vjet nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.

MPB-ja në mendimin e saj të prezantuar në mediat lokale, e ka vlerësuar si anti-ligjor propozimin që e drejta e shtetësisë të fitohet përmes dëshmitarëve, se personat pa shtetësi kanë jetuar në këtë vend që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991. Mendim negativ është dhënë edhe për propozimin për shkurtimin e viteve për fitimin e shtetësisë në bazë të natyralizimit, në bazë të martesës, por edhe lehtësira tjera që janë propozuar nga opozita shqiptare.

SHIKONI EDHE: Të padukshmit e Maqedonisë së Veriut

Kjo ka bërë që partitë shqiptare në opozitë të drejtojnë akuza ndaj MPB-së, ndërsa kanë kërkuar mbështetjen e partive tjera për miratimin në kuvend të variantit të propozuar.

“MPB-ja është institucioni i cili plotë tre dekada ka shkelur të drejtat njerëzore të shqiptarëve për marrjen e shtetësisë… ne presim që ky propozim të miratohet në kuvend, pasi aty duhet të kalojë vendimi final, sigurisht se do të ketë amendamente nga të gjitha partitë politike, pastaj të bëjmë harmonizimin e tyre dhe përfundimisht të miratojmë këtë ligj. Pra, gjithë qytetarët që jetojnë këtu që nga shpallja e pavarësisë, më 8 shtator të vitit 1991, atyre duhet t’u takojë e drejta e shtetësisë”, ka deklaruar Skender Rexhepi, kryetar i Grupit Parlamentar të opozitës shqiptare.

Ai thotë se numri i personave pa shtetësi është i madh, por shifra e saktë sipas tij do të dihet në rast se miratohen ndryshimet.

“Ky numër del shumë i madh. Ne flasim për dhjetëra-mijëra njerëz të cilëve u takon e drejta e marrjes së shtetësisë. Por, numrin e saktë të atyre që nuk kanë shtetësi do ta dimë me miratimin e këtij ligji, me aplikimin e atyre për të marrë shtetësinë. Imagjinoni, së shpejti do të bëhen plotë dekada nga pavarësia dhe ne ende kemi njerëz që tani kanë kaluar moshën 70 vjeçe dhe ende nuk kanë shtetësi”, thotë Rexhepi.

Reagime nga qytetarët pa shtetësi ka pasur në vazhdimësi. Ata janë ankuar për refuzimin e tyre nga institucionet edhe pse me vite të tëra jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Ka raste kur gjysma e anëtarëve të një familjeje janë të pajisur me dokumentin e shtetësisë, e gjysma tjera janë privuar nga kjo e drejtë.

“Dy vëllezërit nuk kanë shtetësi, sikur që nuk kanë as bashkëshortet e tyre. As prindërit e mi nuk kanë pasur shtetësi edhe pse kanë jetuar në Maqedoni, por që të dy kanë ndërruar jetë pa marrë dokumentin e shtetësisë. Mjekimi i tyre deri në vdekje është paguar i tëri privatisht. Por, kemi edhe familje tjera të kushërinjve që jetojmë së bashku në këtë lagje të Kumanovës dhe komplet familja e tyre nuk kanë shtetësi”, shprehet Afrim Sefedini nga Kumanova, i cili të drejtën e shtetësisë thotë se e ka fituar pas tetë vjetësh bredhje nëpër zyrat e institucioneve.

SHIKONI EDHE: Politizimi i regjistrimit të popullsisë

Ligji për shtetësinë disa herë ka pasur ndryshime që nga miratimi i parë në vitin 1991, pas pavarësisë, por asnjëherë nuk ka arritur të zgjidhë këtë problem. Partitë në vazhdimësi kanë shkëmbyer akuza, ndërsa ndryshimet e bëra janë kundërshtuar nga opozita maqedonase, me arsyetimin se përmes ndryshimeve tentohet të ndryshohet harta demografike e vendit.