Lista Studentore synon t'i rishqyrtojë marrëveshjet me Kosovën, BE-ja thotë se Serbia duhet t’i zbatojë

Anëtarë të Listës Studentore në një konferencë për media në Kuvendin e Serbisë, në Beograd, më 17 nëntor 2026.

Lista Studentore paralajmëron se do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit. Prishtina, ndërkohë, thotë se normalizimi i marrëdhënieve fillon me pranimin e realitetit.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për Radion Evropa e Lirë (REL).

Lista Studentore fitoi zgjedhjet në Serbi, duke mundur Partinë Përparimtare Serbe, e cila kishte qenë në pushtet për 14 vjet.

Në pjesën e programit kushtuar interesave kombëtare, Lista Studentore thotë se do ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe se nuk do ta lejojë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE:

Çfarë qëndrimi ka Lista Studentore ndaj Kosovës?

Me pranimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në vitin 2023, Serbia u zotua se nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Palët u pajtuan edhe për planin e zbatimit të marrëveshjes. Marrëveshja parasheh që Kosova dhe Serbia të respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe t’i njohin simbolet kombëtare të njëra-tjetrës.

Lista Studentore paralajmëron gjithashtu se do t’i ndjekë penalisht të gjithë “përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për të gjitha veprat e mundshme penale që lidhen me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë”.

SHIKONI EDHE:

Illija Sërdanoviq për REL: Dialogu për Kosovën dhe integrimet evropiane do të vazhdojnë

Çfarë thotë BE-ja?

Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, thotë se Serbia mbetet e detyruar t’i respektojë zotimet që ka marrë në dialog edhe pas ndryshimit të pushtetit.

“Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk i ndryshojnë bazat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe as detyrimet që kanë marrë përsipër palët”, tha një zëdhënës i BE-së në një deklaratë për REL-in pas fitores së Listës Studentore.

BE-ja pret që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog, t’i përmbushë detyrimet e saj dhe të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Që nga fillimi i dialogut më 2011, palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje për çështje si liria e lëvizjes, integrimi i gjyqësorit dhe i policisë, energjia elektrike, telekomunikacioni, njohja e diplomave dhe statusin e komunitetit serb në Kosovë.

Në programin e saj për Kosovën, Lista Studentore thotë se do të punojë për ta përmirësuar pozitën e serbëve kudo që jetojnë në Kosovë. Ajo thotë se do të kërkojë që vendbanimet ku jetojnë serbët të lidhen administrativisht, në mënyrë që të kenë më shumë autonomi në raport me institucionet e Kosovës.

“Do t’i ruajmë institucionet tona arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore në Kosovë dhe Metohi, me theks të veçantë te Universiteti i Prishtinës, me seli të përkohshme në Mitrovicë të Kosovës, dhe do ta mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe fetare, si dhe pronën e Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në program.

Në kuadër të dialogut me Serbinë, Kosova është zotuar ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacioni ende nuk është themeluar, me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Asociacioni duhej, ndër të tjera, të rregullonte funksionimin e institucioneve që vepronin në Kosovë sipas sistemit të Serbisë.

Gjatë dy vjetëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë mbyllur një pjesë të këtyre institucioneve, me arsyetimin se ishin paralele dhe të paligjshme. Institucionet arsimore dhe shëndetësore të sistemit të Serbisë vazhdojnë të funksionojnë në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë.

Çfarë thotë Kosova?

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet vetëm nëse njohja e ndërsjellë është në qendër të procesit.

“Vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohen marrëdhënie evropiane të fqinjësisë së mirë. Mbetemi të përkushtuar ndaj një dialogu që ndihmon në arritjen e këtij qëllimi dhe i mundëson rajonit t’i kapërcejë tensionet e përsëritura dhe të ecë drejt paqes së qëndrueshme dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm”, tha Ministria.

Sipas Ministrisë, qëndrimi i Listës Studentore ndaj Kosovës mund t’i thellojë ndasitë që dialogu synon t’i kapërcejë.

SHIKONI EDHE:

Kurti pret që pushteti i ri në Serbi ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës si shtet i pavarur

“Premtimi i Listës Studentore për ripërtëritjen politike të Serbisë tingëllon jobindës kur programi i saj shpreh zyrtarisht të njëjtat ambicie territoriale që karakterizuan politikën e qeverisë së mëparshme ndaj Republikës së Kosovës. Ata e konsiderojnë vendin tonë pjesë të Serbisë, e përcaktojnë shprehimisht këtë si objektiv politik dhe premtojnë se do ta bllokojnë anëtarësimin tonë në organizata ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Petrov thotë se anulimi i marrëveshjeve që Serbia ka zbatuar është pothuajse i pamundur

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, Vlladan Petrov, tha në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë se, sipas tij, është pothuajse e pamundur të rikthehet gjendja para zbatimit të marrëveshjeve që Serbia ka arritur me Kosovën.

Petrov, i cili theksoi se po shprehte mendimin e tij personal, tha se Serbia do të kishte bazë kushtetuese për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga dialogu vetëm nëse Gjykata Kushtetuese do ta ndryshonte qëndrimin e vitit 2014 dhe do t’i trajtonte marrëveshjet si traktate ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE:

Pushteti i ri serb synon rishikimin e marrëveshjeve me Kosovën, komunikim me Listën Serbe përmes ndërkombëtarëve

Në vitin 2014, Gjykata Kushtetuese e Serbisë hodhi poshtë kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes së Parë të Brukselit. Gjykata e cilësoi atë marrëveshje politike, pa statusin e një traktati ndërkombëtar.

“Por, e përsëris, cilado qoftë natyra e tyre, Republika e Serbisë i ka zbatuar plotësisht prej kohësh, ndaj natyrshëm shtrohet pyetja se çfarë pasojash konkrete mund të sillte një vendim i tillë, edhe po ta marrim si hipotezë”, tha Petrov.

Pas fitores në zgjedhje, përfaqësuesit e Listës Studentore kërkuan dorëheqjen e disa drejtuesve të institucioneve, përfshirë Petrovin.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë tha për Radion Evropa e Lirë se, më 10 dhjetor 2014, hodhi poshtë kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes së Parë të Brukselit. Gjykata arsyetoi se marrëveshja kishte karakter politik dhe, për këtë arsye, nuk e trajtoi si traktat ndërkombëtar.

Marrëveshja u arrit më 2013 mes kryeministrave të atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Titulli i saj zyrtar është “Marrëveshja e parë për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë”.

Sipas Gjykatës, marrëveshja shërbente si bazë politike për miratimin e akteve të përgjithshme juridike nga organet kompetente. Vetë marrëveshja nuk kishte statusin e një akti të tillë në të drejtën e brendshme të Serbisë.

“Aktet e Qeverisë – konkluzioni për pranimin e ‘Marrëveshjes së Parë’ dhe raporti në Kuvendin Popullor – si dhe vendimi i Kuvendit Popullor për pranimin e raportit, për nga natyra e tyre, nuk janë akte të përgjithshme juridike. Prandaj, miratimi i tyre nuk mund të shërbente si bazë që ‘Marrëveshja e Parë’ e kontestuar të ‘futej’ në rendin juridik si akt i përgjithshëm juridik”, thuhet në përgjigjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vlladan Petrov.

Gjykata pranoi atëherë mendimin e ekspertëve se marrëveshja i ngjante më së shumti një modus vivendi politik, pra një zgjidhjeje të përkohshme që krijonte detyrime politike për palët, pa pasur fuqi detyruese juridike si traktat ndërkombëtar. Sipas këtij interpretimi, statusi përfundimtar i Kosovës mbetej çështje e një vendimi të ardhshëm politik.

Më 24 qershor 2024, grupi parlamentar “Ne, fuqia e popullit” u përpoq ta kundërshtonte sërish marrëveshjen. Në përgjigjen për REL-in, Gjykata rikujtoi se kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj e kishte hedhur poshtë që më 2014.

Sipas Dushan Janjiqit nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, Komisioni Evropian ishte i kënaqur me qëndrimin që mori Gjykata më 2014. Vetë Janjiqi e konsideron atë një gabim të bërë që në fillimet e dialogut të Brukselit.

“Me sa di unë, rregulli themelor i sundimit të ligjit është që në një vend të respektohet Kushtetuta. As kapitulli 35 [që në negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën] nuk është respektuar”, tha ai.

Cili është qëllimi i rishqyrtimit të marrëveshjeve?

Bogolub Millosavleviq, profesor i së drejtës kushtetuese në Serbi, thotë se ende nuk është e qartë se si do t’i rishqyrtojë Lista Studentore marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën dhe çfarë synon të arrijë me këtë rishqyrtim.

“Nuk besoj se do të ndërmerrej ndonjë hap që bie ndesh me synimet dhe planet e Listës Studentore për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Rishqyrtimi [i marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën] duhet të ketë një qëllim, sepse pushteti i mëparshëm ka bërë gjithfarë gjërash”, tha ai për REL-in.

Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, e sheh paralajmërimin për rishqyrtimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjeve si një thirrje për partneritet me BE-në dhe për një minimum respekti. Ai nuk pret që Lista Studentore t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Serbisë.

Nga pikëpamja kushtetuese, Janjiq thotë se Kosovës dhe Serbisë do t’u shërbente një pauzë në dialog për të krijuar kushtet për partneritet dhe për ta vazhduar dialogun mbi baza të reja.

SHIKONI EDHE:

Dialogu në ngërç: Çfarë kartash ka ende BE-ja?

“Të mos nxitojmë. Le t’i hedhim themelet për vazhdimin e dialogut”, tha Janjiq. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 mbetet në fuqi, pasi askush nuk mund ta rishqyrtojë.

Artan Muhaxhiri, analist politik nga Prishtina, e cilëson qëndrimin e Listës Studentore ndaj Kosovës si një “narrativë populiste” që bie ndesh me synimet e Serbisë për t’u afruar me BE-në.

Sipas Muhaxhirit, Lista Studentore ka mundësi të sjellë “ndryshime thelbësore pozitive në shoqërinë serbe”. Por, ai thotë se Lista do ta humbiste këtë mundësi nëse zgjedh të “hyjë në një betejë irracionale dhe të humbur paraprakisht për ta ndryshuar historinë në kontekstin e Kosovës”.

“Suksesi i ideve të tyre përparimtare për transformimin emancipues politik dhe sociokulturor të Serbisë do të varet nga sa realiste do të jetë qasja e tyre ndaj proceseve më të vështira dhe më delikate. Marrëdhëniet me Kosovën do të duhej të ishin ndër përparësitë kryesore”, tha ai për REL-in.

Muhaxhiri i sheh zgjedhjet presidenciale në Serbi, që duhet të mbahen deri në fund të vitit, si shpjegimin e vetëm për qëndrimin e deritanishëm të Listës Studentore ndaj Kosovës.

Sipas tij, dialogu nuk mund të vazhdojë nëse Lista Studentore nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës.