Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur t’i votojë të dielën kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, pra Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën, në një përpjekje për t’i hapur rrugë përfundimit të konstituimit të Kuvendit dhe shmangies së zgjedhjeve të reja.
Vendimi u mor të shtunën në mbrëmje, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kryesisë së LVV-së.
Në njoftimin e saj, LVV-ja tha se vendi ndodhet në “momentet vendimtare” për të siguruar stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar zgjedhje të reja.
Ku vendim vjen një ditë pasi seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre pas mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve. PDK-ja e kishte braktisur sallën pasi deputetët e LVV-së abstenuan në votimin për kandidaten e saj, Vlora Çitaku. Më pas, edhe LDK-ja u largua nga salla pasi kundërshtoi vazhdimin e procedurës pa u zgjedhur fillimisht nënkryetari nga PDK-ja.
Pas dështimit të votimit të Çitakut të premten, PDK-ja kishte thënë se nuk do të merrte më pjesë në vazhdimin e seancës konstituive dhe se çështjen do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese.
Seanca është caktuar të vazhdojë të dielën në orën 10:00.
SHIKONI EDHE:
Haxhiu e shtyn për të dielën seancën konstituive mes mosmarrëveshjeve për nënkryetarëtLVV-ja tha se pret që votimi i Çitakut dhe Shalës të pasohet me “konstruktivitet” nga ana e tyre gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit.
Partia në pushtet iu referua në veçanti kandidatit të saj për president, Bekim Sejdiut, i cili është propozuar në kuadër të marrëveshjes mes LVV-së dhe LDK-së.
LVV-ja tha se shpreson që Kujtim Shala, si nënkryetar i ardhshëm i Kuvendit, të marrë pjesë në seancën ku do të votohet për Sejdiun.
Zgjedhja e presidentit është një prej çështjeve kyçe që pritet të procedohet pas konstituimit të Kuvendit.
Për vlefshmërinë e votimit për presidentin kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. Në rast se presidenti nuk zgjidhet, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Kuvendi i Kosovës ka mbetur i pakonstituuar plotësisht për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarëve. Me përfundimin e këtij procesi do të krijoheshin kushtet për procedimin e formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit.
Sipas vendimit të ri të LVV-së, deputetët e saj do ta votojnë Çitakun nëse PDK-ja e ripropozon atë të dielën në mëngjes. Kandidatja e PDK-së kishte marrë 44 vota në votimin e së premtes, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.