Ndërlidhjet

Haxhiu shtyn seancën, pasi PDK largohet nga salla plenare

E përditësuar
Vazhdimi i seancës konstituive më 9 shtator 2026.
Vazhdimi i seancës konstituive më 9 shtator 2026.

Ky tekst është duke u përditësuar vazhdimisht

Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon seanca konstituive me pikën e mbetur të rendit të ditës atë të zgjedhjes së pesë nënkryetarëve, mes paqartësive nëse do të përmbyllet konstituimi i organit ligjvënës.

Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh nënkryetar me 100 vota për.

Por, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës nuk u zgjodh nënkryetare pasi mori vetëm 44 vota.

PDK më pas u ftua që të bëjë propozim të ri për nënkryetar, por shumica e deputetëve dolën nga salla. Vetëm deputeti Mërgim Lushtaku mbeti në sallë.

"Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në gjykatën kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë", tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pasi doli nga salla plenare.

Deputetët votuan për votimin e nënkryetarëve veç e veç me 71 vota për.

Lidhja Demokratike e Kosovës më pas tha se përkrah të gjitha propozimet e partive politike. LVV tha se mbështet nënkryetarët e LDK-së dhe PDK-së, por mbetet në duart e deputetëve që të vendosin se cilin duan të votojnë nga dy propozimet.

Filllimisht, kryetarja Albulena Haxhiu, ftoi për një konsultim të shkurtër shefat e grupeve parlamentare.

"Kisha konsultim të shkurtër me përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Duke qenë se nuk ka një dakordim për votim në pako, atëherë forma e vetme është që të votohen veç e veç. Për votim veç e veç ishin dakord të gjitha grupet parlamentare. Prandaj duhet të vazhdojmë me votimin veç e veç" për nënkryetarët, tha Haxhiu.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se pasi nuk ka pajtim për votim në pako, kërkoi që votimi për nënkryetarë të bëhet veç e veç.

Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk ka konsensus për ndryshimin e formës së votimit.

“Aktgjykimi thotë që duhet të respektohet praktika e deritanishme parlamentare. Herën e fundit ishte në pako. Për t’u ndërruar praktika parlamentare, duhet konsensus. Konsensus nuk ka", tha ai, duke paralajmëruar se PDK-ja nuk do të votojë nëse ndërrohet forma e votimit "si mjet bllokade”.

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha nuk e konteston vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo për propozimet, por duhet të hidhen në votim.

“Meqë nuk ka konsensus, ne jemi në përkrahje të votimit individual”, tha ajo.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se voton në cilëndo formë, por shtoi se “dikush po kërkon të bëhen lojëra”, duke argumentuar se mënyra e votimit të nënkryetarëve është bërë në atë mënyrë që të konstituohet organi ligjvënës.

“Ne jemi për t’u votuar individualisht apo në pako. Ne presim që kandidati ynë të marrë votat e nevojshme dhe të vazhdojmë me punën sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha ai.

Më pas, Nagavci sërish mori fjalën dhe tha se PDK ishte pajtuar për çfarëdo forme të votimit të nënkryetarëve. Por, Gruda u përgjigj se nëse LVV garanton konstituimin e Kuvendit “ne pranojmë çdo formë votimi”.

Seanca nisi me një minutë heshtje, në nderim të viktimave të sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

*DREJTPËRDREJT: Seanca konstituive e Kuvendit

Të mërkurën, deputetët rizgjodhën Albulena Haxhiun në postin e kryetares, por më pas seanca u shty pas pas mospajtimeve mes partive politike lidhur me votimin e pesë nënkryetarëve.

Partitë nuk kanë gjetur pajtim se si të votohen nënkryetarët, në pako apo ndaras. Po ashtu, një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Ndërkaq, Haxhiu, por edhe Arbërie Nagavci nga LVV-ja thanë se nuk ka pajtim mes partive as për Vlora Çitakun e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të propozuar për nënkryetarë të legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Nagavci tha pas seancës të së mërkurës se LDK-ja dhe PDK-ja po kërkojnë vota për nënkryetarët, por nuk po mbështesin propozimin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.

Para seancës të së premtes, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u pyet nëse e kanë ndryshuar propozimin për nënkryetar.

"Logjika e LVV-së për të nënshtruar të tjerët, te LDK nuk kalon", tha ai.

Ndërkaq, Fitore Pacolli nga LVV veçse ka dhënë qëndrimet e saj për këtë çështje.

Sa i përket formulimit të përdorur nga Simiq i Listës Serbe, gjatë seancës të së mërkurës, Haxhiu i kërkoi atij të tërhiqte fjalën dhe të bënte sërish propozimin, duke e cilësuar si jokushtetues këtë shprehje.

“Ky deklarim është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92 për qind janë shqiptarë, 4 për qind janë serbë dhe 4 për qind nga komunitetet tjera”, u shpreh Haxhiu.

Deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – edhe më herët kishin përdorur shprehjen “në emër të popullit serb” gjatë deklarimeve në Kuvendin e Kosovës.

Para seancës të së premtes, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se beson që Simiq "nuk do ta përsërisë më atë gabim", duke iu referuar shprehjes "në emër të popullit serb".

Video: Çfarë ndodhi në Kuvend më 9 shtator?

Zgjedhja e nënkryetarëve, problemi i ri për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:46 0:00

Ndryshe, Bekim Sejdiu është propozuar për postin e presidentit nga LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe LDK-ja e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku. Por, gjashtë deputetë – nga 18 sa ka LDK-ja në këtë legjislaturë – kanë thënë se nuk kanë votë për të.

PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe Lista Serbe, pas seancës të së mërkurës e akuzuan LVV-në për zvarritje të procesit të krijimit të institucioneve të reja.

Aleanca, ndërkaq, nuk mori pjesë fare, duke argumentuar se janë tejkaluar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët. Me konstituimin e Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit.

LVV-ja, së bashku me partitë e komuniteteve joserbe kanë vota të mjaftueshme për të zgjedhur një ekzekutiv të ri.

Megjithatë, 53 votat e LVV-së, dhe 12 – ashtu siç ka deklaruar Abdixhiku – të LDK-së, si dhe ato të pakicave joserbe janë të pamjaftueshme për të zgjedhur një president të ri.

Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Nëse deputetët s’arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, qytetarët do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për presidentin, që nga shkurti i vitit 2025.

XS
SM
MD
LG