Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet të diskutojnë marrëveshjen e arritur për presidentin e shtetit me struktuarat e tyre partiake.
LDK-ja ka mbledhur kryesinë në orën 14:00 për të diskutuar për kandidimin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.
Para nisjes së takimit, Jehona Lushaku Sadriu, tha se në takim do të diskutojnë për Sejdiun, por edhe për konstituimin e Kuvendit dhe të gjitha institucioneve "sa më shpejt që të jetë e mundur".
E pyetur nëse partia është marrë vesh paraprakisht për emrin e Sejdiut, ajo tha se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe ekipi negociues kanë pasur autorizimin për të negociuar në emër të partisë për emrin e kandidatit.
Dy orë më vonë, në orën 16:00, për çështjen e kandidimit të Sejdiut, do të diskutohet edhe brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
Ndërkaq, Grupi Parlamentar i LVV-së do të mbajë mbrëmjen e së martës një mbledhje ku, siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, pritet të diskutohet rreth nominimit të Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Prezantimi i Bekim Sejdiut si kandidat për president nga LVV-ja dhe LDK-ja u bë më 31 gusht, pas negociatave disa javëshe midis dy partive.
Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit dhe, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, ka të paktën 61 vota, të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Nëse deputetëve të LVV-së dhe dhjetë deputetëve nga pakicat joserbe iu bashkohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota.
Megjithatë, deri më tani, një deputet i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, publikisht ka dalë kundër kandidaturës së Sejdiut.