Qindra protestues marshojnë në Prishtinë, kërkojnë përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt

Një grua me gojën e ngjyrosur me të kuqe merr pjesë në marshin për të kërkuar përgjegjësi institucionale për Arlinda Zekajn.

Arlinda Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duke raportuar dhunë në familje, përfshirë edhe disa orë para se të vritej.

Protestuesit fillimisht u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, para se të marshonin drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve ishin përgjegjësia institucionale, përfshirë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Marshit i prinë familjarë të viktimës, përfshirë motrat e saj.

Në këtë fotografi shihen familjarët e saj duke mbajtur në dorë imazhe të Arlindës, përfshirë një me të birin e saj 12-vjeçar.

Në këtë fotografi protestuesit mbajnë imazhe të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, e ilustruar me sëpatë në dorë, si dhe të zyrtarëve të tjerë të drejtësisë.

Protestuesin kërkojnë që Gërvalla të japë dorëheqje.

Një grua mban në dorë një pankartë me imazhin e Arlindës, në të cilin shkruhen “Pas vrasjes time nuk pres të përgjigjeni, por të mos mund të flini”, duke iu referuar fjalisë së shkruar pikërisht nga Arlinda në ditët para se të vritej në një letër drejtuar organeve të sigurisë.

Një protestues mban një pankartë me mbishkrimin "Denonco. Prit. Vdis".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së Zekajt qartazi shihet se kishte një zinxhir lëshimesh nga institucionet përgjegjëse. Ai u ka dhënë atyre afat deri të enjten në orën 18:00 t’i paraqesin raportet e tyre të hollësishme mbi dëshmitë dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.

Një grua mban një pankartë me mbishkrimin "A e kam radhën unë?".

Tetë gra janë vrarë deri tanië këtë vit në Kosovë. Për vrasjen e tyre të dyshuar janë bashkëshortët apo anëtarë të tjerë të familjes.

Protestues të shumtë po ashtu mbajtën në duar pankarta që pasqyrojnë letrën që Arlinda Zekaj ua kishte dërguar organeve të drejtësisë dhe sigurisë, në të cilën thoshte se rasti i saj për dhunë në familje po neglizhohej.

Tabela në hyrje të stacionit të Policisë së Kosovës në Prishtinë ngjyroset me bojë të kuqe nga protestuesit.

Policia e arrestoi më 27 tetor të dyshuarin për vrasjen e Zekajt, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahet në paraburgim për "kanosje", pasi ishte ndaluar nga policia para se të ndodhte vrasja.

“Sveçla out”. Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të japë dorëheqje.

Protestuesit e hoqën me forcë laurën në hyrje të oborrit në ndërtesën ku ndodhet ministria e Drejtësisë.

Dy police qëndrojnë roje teksa protestuesit ngjyrosin me bojë të kuqe portën e ndërtesës së Qeverisë dhe vendosin kopje të printuara të letrës që Arlinda Zekaj ua kishte dërguar organeve të drejtësisë për ta shqyrtuar rastin e saj.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, organizatore e marshit, në fjalimin e saj para ndërtesës së Qeverisë tha se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat për shkarkimin e Gërvallës dhe Sveçlës.

Po ashtu, ata kërkojnë ndjekje penale ndaj atyre që kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt.

Të paktën 67 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve ishin partnerët e tyre.

Autoritetet janë kritikuar se nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta parandaluar dhunën dhe vrasjen e grave.

Qindra protestues kanë marshuar të mërkurën në Prishtinë për të kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar në vazhdimësi nga institucionet mbrojtje nga dhuna në familje. Ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj. Vrasja e Zekajt, pas shtatë grave të tjera të vrara këtë vit, ka nxitur zemërim të madh në vend.