15 marsi sjell rregulla të reja për të huajt dhe automjetet në Kosovë

Makina në Merdare, pikëkalimin kufitar që lidh Kosovën dhe Serbinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t'i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe - gjëra që do t'i zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet.

Sipas njoftimit të fundit nga autoritetet e Kosovës, zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet do të fillojë më 15 mars.

Bazuar në këto ligje, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.

Masat e reja lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb vijnë pas një takimi që zhvilluan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, më 14 mars në Prishtinë.

SHIKONI EDHE: Kosova pajtohet t’u ofrojë lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në Ligjin për të huaj

Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet kundërshtohet nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe sektori civil, të cilët argumentojnë se një gjë e tillë do të ndikojë negativisht te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit që veprojnë brenda sistemit të Serbisë në mjediset me shumicë serbe.

Kjo, për faktin se masat do të preknin pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.

Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut - i cili vepron brenda sistemit serb - qytetarët serbë punojnë ose studiojnë dhe do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.

Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.

SHIKONI EDHE: Fillon zbatimi i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë

Në konferencën për media me Sorensenin dhe kreun e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orava, kryeministri Kurti tha se do të vazhdojë të punojë për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës.

Lejet e qëndrimit për punonjësit e shëndetësisë dhe arsimit, shtoi ai, do të lëshohen në mënyrë që serbët vendas të mos mbeten pa shërbime bazë, ndërkohë që integrimi është në proces.

"Udhëheqësit lokalë do t'i paraqesin Qeverisë listat e stafit akademik dhe shëndetësor, të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Këto lista do të përdoren më pas për të lëshuar leje të përkohshme qëndrimi për qytetarët e huaj që aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës", tha Kurti.

Ai theksoi se e njëjta gjë vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për arsimim.

SHIKONI EDHE: Cili model i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë serbe në Kosovë mund të jetë në lojë?

Sa i përket zbatimit të plotë të Ligjit për automjetet, për pjesëtarët e komunitetit serb ishte problematike se disa prej tyre, pas heqjes së targave serbe nga përdorimi më 2022/2023, i riregjistruan makinat e tyre me targa qytetesh në Serbi dhe i drejtuan ato me autorizim.

E, ky autorizim përmban të dhënat e kartës së identitetit të shoferit, të lëshuar nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, të cilat Prishtina zyrtare nuk i njeh, por i ka toleruar deri më tani.

SHIKONI EDHE: Akuza të ndërsjella mes Rashiqit dhe Listës Serbe lidhur me zbatimin e ligjeve për të huajt dhe automjetet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë më 12 mars se pret ndihmë edhe nga “evropianët” lidhur me zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe automjetet, duke shtuar se “jemi në rrugë për të gjetur zgjidhje që nuk do të nënkuptonin katastrofë për popullin serb”.

Protesta dhe thirrje për shtyrje të zbatimit

Një grup studentësh dhe profesorësh në Universitetin e Mitrovicës së Veriut mbajtën disa protesta kundër zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt, duke paralajmëruar se zbatimi i tij do të ndikojë në funksionimin e fakulteteve që punojnë nën sistemin serb.

Zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë thënë në disa raste se, përveç zbatimit të Ligjit për të huajt, duhet të punohet edhe për integrimin e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit serb, sepse “sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm”.

SHIKONI EDHE: Kosova formon grup pune për zbatimin e ligjeve për të huajt dhe automjetet

Bashkimi Evropian deklaroi më herët për Radion Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimor, të mbështetura nga Serbia në Kosovë, do të zgjidhet brenda kornizës së dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet aktuale të Kosovës.

Beogradi zyrtar këmbëngul, gjithashtu, në integrimin e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, ashtu si edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e autoriteteve aktuale në Serbi.

Më herët, disa organizata joqeveritare serbe listuan pasoja të ndryshme për komunitetin serb, për shkak të zbatimit të këtyre dy ligjeve, dhe bënë thirrje për dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi.

SHIKONI EDHE: Kryetarët serbë: Në takim me ministrin Krasniqi nuk u diskutua për integrimin


Si u zhvillua faza e parë e zbatimit të ligjit?

Gjatë dy muajve të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në kuadër të një fushate informuese, lëshoi udhëzime për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe automjetet, zhvilloi diskutime me qytetarët, hapi një linjë telefonike informacioni dhe Qeveria formoi një grup pune me ekspertë.

Megjithatë, një grup i OJQ-ve serbe tha se të gjitha aktivitetet e autoriteteve të Kosovës ishin “vetëm formale”, pa mbështetje të vërtetë në terren.

Në këtë kontekst, OJQ-ja Aktiv tha më 2 mars se qytetarët nuk kanë ende përgjigje në pyetjen kryesore: si do të zbatohet në praktikë Ligji për të huajt dhe ai për automjetet?

Por, sipas udhëzimeve dhe broshurave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, që nga 16 marsi, kushdo që nuk ka dokumente të Kosovës, do të duhet të ketë një leje qëndrimi të përkohshme dhe t’i përmbushë kushtet tjera të përcaktuara me ligj, varësisht nga qëllimi i qëndrimit.

SHIKONI EDHE: Dokumentet serbe për qytetarët e Kosovës, ilegale në deklarime e të njohura në praktikë

Një leje qëndrimi duhet të kërkohet brenda 72 orëve nga hyrja në Kosovë.

Gjithashtu, shtetasit e huaj mund të qëndrojnë në Kosovë deri në 90 ditë, dhe çdo qëndrim më i gjatë kërkon paraqitjen e kërkesës për leje qëndrimi.

Nëse dikush i shkel këto rregulla, autoritetet kompetente mund të marrin masa të përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë revokimin e lejes së qëndrimit, vendosjen e gjobës, dëbimin ose ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës.

Ligji për automjete përcakton që një automjet me targa të huaja, përfshirë targat serbe, nuk mund të drejtohet për më shumë se tre muaj.

Nëse dikush nuk i përmbahet këtij ligji, policia mund të shqiptojë gjobë deri në 200 euro.

Reagimet e Beogradit

Zbatimi i plotë i ligjeve për të huajt dhe automjetet në Kosovë është kritikuar ashpër edhe nga Beogradi, i cili i ka përshkruar si “masa diskriminuese”.

Në fund të shkurtit, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i tha përfaqësuesit special të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, se zbatimi i rreptë i këtyre ligjeve do të rrezikonte më shumë se 10.000 serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Ai vlerësoi se zbatimi i tyre do të çonte në “spastrim administrativ etnik të serbëve”.

Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë

Your browser doesn’t support HTML5

Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë

Ai, po ashtu, tha se është e nevojshme që të diskutohet urgjentisht draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e përshkroi si “gurthemel të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve”.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe u dakordua në vitin 2013 me Marrëveshjen e parë të Brukselit, ndërsa për parimet u arrit pajtimi në vitin 2015.

Ai përmendet edhe në Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e pranuan në vitin 2023, e pas së cilës Bashkimi Evropian hartoi një draft-statut.

Përgatiti: Valona Tela