Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Në mesin e masave është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.
Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve.
Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.
Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime.
Personat nën moshën 18-vjeçare nuk janë të detyruar të prezantojnë këtë dëshmi, përveç rasteve kur hyjnë në klube të natës.
SHIKONI EDHE: Harrohet gjurmimi i rasteve me COVID-19Bartja e maskës është bërë e obligueshme, përveç rasteve kur një person ec vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër persona, apo gjatë ushtrimeve fizike.
Shërbimet e gastronomisë do të mund të punojnë me 50 për qind të kapacitetit në ambientet e mbyllura dhe 70 për qind të kapacitetit në ambientet e hapura.
Pesëdhjetë infermierë do të ndihmojnë në rritje të kapaciteteve për vaksinim
Gjatë mbledhjes së Qeverisë është miratuar edhe kërkesa për ndarje të 80 mijë eurove për angazhim të 50 infermierëve, me qëllim të shtimit të kapaciteteve për imunizim të qytetarëve kundër COVID-19.
Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, ani pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.
Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca për t’u imunizuar kundër COVID-19.
SHIKONI EDHE: Para, ushqim dhe lopë në këmbim të vaksinimitMinistri i Shëndetësisë ka thënë të enjten se në dy ditët e fundit është rritur interesimi për vaksinim, duke përmendur se të mërkurën janë vaksinuar rreth 18 mijë persona, ndërkaq të enjten rreth 19 mijë.
Ai ka theksuar se interesimi më i madh për vaksinim është vërejtur në Prishtinë.
Ramadani: Ende nuk është arritur imuniteti kolektiv
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë në një konferencë për media me ministrin Vitia se pas analizave që janë bërë nga shpërthimi i pandemisë, është vërtetuar se ende nuk është arritur imuniteti kolektiv në Kosovë kundër koronavirusit.
"Rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 përqind e popullatës e kanë kaluar koronavirusin, që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma s’është arritur imuniteti kolektiv i kënqashëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga COVID-19".
Ai ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se imunizimi është zgjidhja e vetme për mposhtje të pandemisë.
Sipas tij, pjesa më e madhe të infektuarve aktualisht është nën moshën 50-vjeçare.
Ramadani ka thënë se autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 12-vjeçare.
"Fuqishëm rekomandojmë vaksinimin e personave mbi 18 vjeç. Tashmë Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë është duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të moshave 12 deri në 15 vjeç me prioritet, sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë Ramadani.
Shifrat ditore të të infektuarve
Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë duke regjistruar rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në javën e fundit.
Vetëm të enjten janë regjistruar dy viktima me koronavirus.
Viktimat janë nga Suhareka dhe Vitia.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 mostrave.
Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, përkatësisht, 269 persona.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 12 gusht janë shëruar 82 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 4,414.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 112,653 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,276 kanë vdekur.