Ndërlidhjet

Harrohet gjurmimi i rasteve me COVID-19


Një punëtor shëndetësor në Prishtinë dezinfekton duart e një qytetari. Prishtinë, prill 2020.
Një punëtor shëndetësor në Prishtinë dezinfekton duart e një qytetari. Prishtinë, prill 2020.

A.E (emër i njohur për redaksinë) nga Fushë Kosova, para një jave ka mposhtur sëmundjen COVID-19. Ajo tregon se nuk ka pasur simptoma të rënda dhe që herë pas here ka dalë në qytet dhe dyqane, por duke mbajtur maskë dhe duke respektuar distancën. Sipas saj, autoritetet shëndetësore nuk e kanë telefonuar asnjëherë për ta pyetur për gjendjen shëndetësore, por edhe për rastet e kontaktit para se të rezultonte pozitive me koronavirus.

“Jam munduar që të mos dal jashtë, por jam detyruar kur kam pasur nevojë për gjëra familjare ose për fëmijët. Pas 14 ditësh, më kanë telefonuar nga Instituti (Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës) dhe më kanë thënë se mund të dal dhe të lëviz lirshëm”, thotë A.E për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Manualit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, të gjithë personat e infektuar këshillohen që të qëndrojnë në dhomën e tyre sa më shumë që të jetë e mundur dhe të shmangin kontaktin me të tjerët derisa nuk kanë temperaturë për pesë ditë me radhë dhe të kenë kaluar 14 ditë që nga fillimi i simptomave.

Situata me koronavirusin është shqetësuese pasi edhe personat e infektuar me këtë virus po lëvizin lirshëm dhe po marrin pjesë në aktivitete të ndryshme shoqërore, thotë infektologu Hamdi Ramadani.

Ai konsideron se autoritetet kompetente duhet të ndërmarrin masa konform situatës dhe të gjurmojnë rastet e kontaktet. Sipas tij, gjurmimi i kontakteve është mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së mëtejmë të koronavirusit, veçmas në këtë periudhë kur po dominon varianti Delta dhe kur një numër i madh i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në shtetet e tjera, kanë ardhur për pushime në Kosovë.

Delta është variant më ngjitës se varianti origjinal i koronavirusit.

“Masat kufizuese janë larguar, janë relaksuar. Gjithçka funksionon normal, kështu që edhe personat e infektuar me COVID-19 me simptoma të lehta, nuk po izolohen për 14 ditë. Ata dalin në restorante, ahengje familjare, kështu që në këtë mënyrë bartet virusi”, thekson ai gjatë një bisede për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, infektologu tjetër, Ilir Tolaj shprehet se që nga fillimi i pandemisë, autoritetet kompetente nuk i kanë mbikëqyrur rastet e kontaktit e as të infektuarit.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se “çdo qytetar që rezulton pozitiv dhe që nuk shtrihet në spital, është i obliguar që të izolohet për dy javë në shtëpinë e tij, ndërsa kontaktet e tij të gjurmohen e testohen”.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se “askush nuk ka të drejtë që duke qenë vetë i infektuar të shkojë në punë apo në vende ku rrezikon të infektojë të tjerët. IKSHPK-ja gjurmon sa më shumë raste brenda vendit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për qytetarë që jetojnë këtu apo edhe bashkëatdhetarë të ardhur për pushime. Me rëndësi është zbulimi sa më i hershëm i rasteve”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Por, infektologu Tolaj shprehet se disa nga vendimet e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e orarit të punës, sidomos të klubeve të natës, janë në kundërshtim të plotë me përpjekjet për të parandaluar përhapjen e variantit Delta në mesin e popullatës së ndjeshme.

Numri i rasteve me COVID-19 është në rritje ditëve të fundit në Kosovë. Më 10 gusht, Kosova regjistroi 562 raste të reja me COVID-19 dhe dy viktima. Rreth 90 për qind e rasteve të reja me koronavirus, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, janë të lidhura me variantin Delta.

Edhe Arben Vishaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se më 9 gusht, 45 pacientë po trajtohen në këtë klinikë, nga ta 28 janë në oksigjeno-terapi, ndërkaq tre pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Vishaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen fushatës së imunizimit kundër COVID-19.

“Ne rekomandojmë që popullata, në mënyrë masive t’i përgjigjet vaksinimit, pasi vetëm vaksinimi është forma e duhur, me qëllim që të shmanget mbipopullimi me pacientë nëpër klinika, rrjedhimisht të shpëtojmë jetë”, tha ai.

Deri më tani, në Kosovë janë administruar 504.817 doza të vaksinës kundër koronavirusit, ndërkaq 170.852 qytetarë janë imunizuar me të dyja dozat.

Studimet e fundit sugjerojnë se personat e vaksinuar, në rast se infektohen me variantin Delta, kanë simptoma më të buta të sëmundjes COVID-19.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 110.1756 pacientë me këtë virus, nga ta 2.273 qytetarë kanë vdekur, kurse numri total i rasteve aktive është 2.640.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG