Xhudistja Gjakova: Medalja i takon tërë popullit të Kosovës

Your browser doesn’t support HTML5

Kthehet ekipi i xhudos në Kosovë me dy medalje të arta

Kosova ka organizuar pritje shtetërore për xhudistet, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat në Lojërat Olimpike Tokio 2020, fituan medalje të arta olimpike.

Ekipi i xhudistëve kosovarë arriti në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” të hënën (2 gusht) në orët e mbrëmjes.

Kampionet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi thanë se gjatë gjithë kohës e kanë ndjerë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.

“Ne gjatë gjithë kohës e kemi ndjerë mbështetjen e secilit dhe kjo medalje është për gjithë popullin e Kosovës”, tha Gjakova.

Ndërsa Krasniqi tha se derisa do t’i gëzojmë këto fitore “shpresojmë se nga Parisi 2024 do të kthehemi me më shumë medalje”.

Trajneri i ekipit të xhudistëve kosovarë, Driton Kuka si dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi shfaqën shpresën se edhe në të ardhmën sportistët kosovarë do të fitojnë më shumë medalje olimpike.

Për të pritur ekipin e sportistëve që u kthye nga Japonia në aeroportin e Prishtinës kishte dalur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ceremonia kryesore e pritjes së ekipit të xhudistëve u mbajt në sheshin "Nëna Tereze" në Prishtinë ku ishin mbledhur qytetarë të shumtë.

Kryeministri Kurti tha se trajneri Driton Kuka e ka bërë xhudon sinonim të fitoreve duke na frymëzuar dhe duke e marr vëmendjen e gjithë neve.

"Tri medalje të arta nga tri gra. Kjo fjali me shtatë fjalë duhet të mjaftoj për të fituar çdo debat për barazi gjinore", tha Kurti.

SHIKONI EDHE: Kosova lidere në rajon për shpërblimin e medalistëve

Kosova ka arritur t’i marrë dy medalje të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Kjo është hera e dytë që vendi merr pjesë në Lojëra Verore Olimpike. Në Rio në vitin 2016, Majlinda Kelmendi kishte marrë medaljen e parë të artë.

Xhudistja, Majlinda Kelmendi, është ndaluar në rrethin e parë të garës në Lojërat Olimpike të Tokios.

Ajo ka garoi në kategorinë deri në 52 kilogramë, kundër hungarezes Reka Pupp, e cila e ka mposhtur xhudisten kosovare.

Përgjatë karrierës së saj, ajo është shpallur Kampione Evropiane dhe Botërore.