Ndërlidhjet

Kosova lidere në rajon për shpërblimin e medalistëve


Xhudistja nga Kosova, Nora Gjakova pozon me medaljen e artë olimpike.
Xhudistja nga Kosova, Nora Gjakova pozon me medaljen e artë olimpike.

Të gjithë sportistët e Kosovës, të cilët kanë arritur rezultate kulmore në disiplinat sportive, qoftë në kampionate evropiane, botërore apo lojëra olimpike, do ta kenë përkujdesjen e shtetit, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, në Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat po mbahen sivjet me vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, janë fituese të medaljeve të arta olimpike.

Bazuar në Ligjin për sportin, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, të dyja këto sportiste, por edhe trajnerin e tyre Driton Kuka, ka detyrim t’i shpërblejë në bazë të rregullores për shpërblimet shtetërore.

Shpërblime financiare dhe mbështetje pas moshës 45-vjeçare

Ibër Alaj, udhëheqës i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, sqaron se cilat do të jenë shumat monetare të shpërblimeve, por edhe përfitimet tjera që kanë sportistët që kanë fituar medalje olimpike.

Sipas tij, medalistja e artë merr vlerën prej 100 mijë euro, ndërsa trajneri merr vlerën prej 50 mijë euro. Po të njëjtit – ata që arrijnë normë në kampionate evropiane, botërore dhe lojëra olimpike – marrin mbështetje të përhershme financiare pas moshës 45-vjeçare.

"Mendoj dhe konsideroj që në këto pika, Republika e Kosovës edhe me buxhetin e varfër të saj, ka siguruar që sportistët, të cilët arrijnë rezultate të tilla, të mbështeten në mënyrë financiare dhe të kenë një status të veçantë në shoqërinë e Kosovës”, tha Alaj.

Kosova rrëmben dy medalje të arta në Tokio
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Bazuar në rregulloren për shpërblime shtetërore, përveç medaljes së artë në kampionate evropiane, botërore dhe lojëra olimpike, e cila shpërblehet me 100 mijë euro, medalja e argjendit shpërblehet me 60 mijë euro, ndërkaq ajo e bronzit, shpërblehet me 40 mijë euro.

Gjithashtu edhe sportistët e moshave të reja, të cilët garojnë në lojërat e të rinjve, siç janë edhe Lojërat evropiane të të rinjve, marrin shpërblimin financiar prej rreth 25 për qind, në krahasim me sportistët seniorë, varësisht nga medalja që kanë fituar dhe kategoria ku kanë garuar.

Krasniqi: Mbështetje e përjetshme financiare për medalistët

Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili aktualisht po qëndron në Tokio për të ndjekur pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në olimpiadën e sivjetme, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se organizata që ai drejton fillimisht ua siguron kampet stërvitore të gjithë garuesve potencialë për lojëra olimpike, si dhe i mbështet ata përmes bursave prej 200 deri në 1.000 euro, varësisht nga kategorizimet.

Për më shumë, sipas tij, shpërblimet dhe përfitimet tjera, të cilat marrin sportistët që kanë siguruar medaljet olimpike, por edhe në kampionatet evropiane apo botërore, janë stimulim i mirë për të rinjtë që t’i qasen disiplinave sportive me shumë seriozitet.

“Padyshim që është stimulim shumë i mirë dhe kjo duhet të bëhet më shumë publike, sepse mbase disa të rinj nuk e dinë këtë stimulim që e ofron shteti i Kosovës. Pas 45 vjetëve, kur sportisti e arrin atë moshë, e kanë një të ardhur (financiare) nga shteti, të përjetshme. Por, e kanë ata që arrijnë deri te rezultati. Pa konkurrencë nuk ka as rezultate të mira. Konkurrenca i shtyn të kenë rezultate të mira të gjithë sportistët”, tha Krasniqi.

Xhudistja Distria Krasniqi duke marrë medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Xhudistja Distria Krasniqi duke marrë medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Çka pas tërheqjes?

Por, bazuar në Ligjin për sportin dhe rregulloren për shpërblimet shtetërore, përveç mbështetjes financiare pas moshës 45-vjeçare për sportistët që kanë fituar medalje në disiplinat sportive përkatëse, qoftë në kampionate ballkanike, mesdhetare, të Evropës apo botërore, e që aktualisht është 800 euro, të gjithë ata marrin një shpërblim tjetër në formë të pagës edhe për katër vjetët vijuese, pas marrjes së medaljeve. Shuma e kësaj mbështetjeje financiare shkon deri në mbi 1.000 euro, varësisht nga kategorizimi i sportistëve.

Sipas Ibër Alajt, dhënia e kësaj mbështetjeje financiare ndërpritet në momentin që sportistë të caktuar tërhiqen nga aktiviteti sportiv garues ose pensionohen. Kjo vlen edhe për fituesen e medaljes së parë të artë për Kosovën, në Lojërat Olimpike të vitit 2016 në Rio de Xhaneiro, xhudisten Majlinda Kelmendi. Ajo gjithashtu ishte edhe kampione botërore e xhudos në vitin 2013, si dhe kampione evropiane e xhudos, në vitin 2015.

Parakalimi i Majlinda Kelmendit në Prishtinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Kelmendi, pas përfundimit të pasuksesshëm të garës në Olimpiadën Tokio 2020, ka deklaruar se do të tërhiqet nga pjesëmarrja aktive në gara dhe se synon të jetë një trajnere e ardhshme e xhudos.

“Në momentin që deklarohet se nuk merret aktivisht me xhudo, atëherë asaj i pushojnë të ardhurat nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por, në moshën 45- vjeçare, asaj i aktivizohet shpërblimi i përhershëm, sipas meritave paraprake që ka pasur”, theksoi Alaj.

Por, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Krasniqi thotë që Majlinda Kelmendi pas tërheqjes nga garat, mund të jetë një trajnere mjaft e suksesshme, ndërkaq që institucionet kompetente sportive nuk do ta lënë anash.

“Tash, Kosova duhet ta shfrytëzojë eksperiencën e saj, të cilën e ka gjatë gjithë kësaj kohe sa ka marrë pjesë në shumë gara të ndryshme evropiane, botërore, olimpiada dhe të tjera”, theksoi Krasniqi.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë theksuar se Kosova është një ndër 13 shteteve që më së miri mbështesin në mënyrë financiare sportistët fitues të shpërblimeve në gara sportive.

Shpërblimet në vendet e rajonit

Shpërblimet që japin shtete e rajonit për sportistët e tyre që marrin medalje olimpike, përgjithësisht janë më të vogla se ato të Kosovës.

Shqipëria shpërblen për medalje të artë olimpike, me 82 mijë euro, të argjendit me 57 mijë euro, ndërkaq, të bronzit me 41 mijë euro.

Serbia shpërblen për medalje të artë olimpike me 70 mijë euro, të argjendit me 60 mijë euro dhe të bronzit me 50 mijë euro.

Mali i Zi shpërblen për medaljen e artë me 35 mijë euro, të argjendit me 30 mijë euro dhe të bronzit me 25 mijë euro.

Kroacia shpërblen për medaljen e artë me 27.600 euro, të argjendit 17.300 euro dhe të bronzit 12.200 euro.

Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina nuk e kanë të rregulluar çështjen e shpërblimit të sportistëve që fitojnë medalje, por një vendim i tillë merret në mënyrë ad-hoc.

Shembull, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën ka vendosur që ta shpërblejë sportistin Dejan Georgievsi me 30.000 euro, pasi ai në Tokio fitoi medaljen e argjend në sportin e tekvondosë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG