Me votën e tyre, qytetarët e Kosovës iu dërguan mesazh të gjitha partive politike se duan qeverisje më efikase dhe kompromis mes subjekteve, vlerësojnë vëzhguesit e zhvillimeve politike.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli e para, por ra nga 51.1 për qind, sa kishte fituar në dhjetor, në rreth 43 për qind.
Subjektet e tjera shqiptare shënuan rritje: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi 21.1 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 17.6, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – që së voni ka vendosur të njihet vetëm si Aleanca – mori 7.2 për qind.
Në zgjedhjet e dhjetorit, bazuar në rezultatet përfundimtare, PDK-ja kishte fituar 20.1 për qind të votave, LDK-ja 13.24, kurse Aleanca 5.50 për qind.
Duke iu referuar rezultateve të 7 qershorit, njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, beson se votuesi po kërkon kompromis mes partive politike, siç kishte kërkuar, sipas tij, në shkurt të vitit 2025 – kur nuk kishte një fitues absolut të zgjedhjeve, por LVV-ja ishte e para me 42.3 për qind – dhe “po kërkon qeveri koalicioni dhe qeveri efikase, e cila do të fillojë të japë rezultate”.
Deda thotë për Radion Evropa e Lirë se, me votën e tyre, qytetarët iu thanë partive politike të fokusohen në disa fusha, që sipas tij janë “gjendja e rëndë ekonomike, pakënaqësia e qytetarëve me fushën e arsimit dhe shëndetësisë, dhe pasiguria për të ardhmen e drejtimit të Kosovës”.
“Nga këto rezultate, qytetarët besojnë se qeveritë e koalicionit mund të jenë më rezultative për gjendjen e përgjithshme politike dhe socio-politike, sesa qeverisja e një partie të vetme, në këtë rast e LVV-së”, shprehet Deda.
SHIKONI EDHE:
Kurti shpall fitoren dhe shpreh gatishmëri për bashkëpunim me partitë tjeraQë nga viti 2025, Kosova është përballur me jostabilitet politik, fillimisht pas dështimit për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të shkurtit, dhe më pas për shkak të moszgjedhjes së presidentit pas zgjedhjeve të dhjetorit, që shkaktuan votimet e reja.
Emëruesi i përbashkët i krizës politike gjerësisht vlerësohet të jetë mungesa e konsensusit mes partive politike për marrëveshje.
Për Abit Hoxhën, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin Agder në Norvegji, me votën e tyre, pikë së pari, të dielën qytetarët përçuan mesazhin se “nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë parti politike”.
Ky mesazh, sipas tij, nuk është vetëm për udhëheqësin e LVV-së, Albin Kurti, por është “posaçërisht” për të.
“Mesazhi i dytë është se qytetarët përnjëmend duan të shohin zgjedhje, por edhe zgjidhje të problemeve. Kosova është stërlodhur me agjendën mediale, e cila flet gjithmonë për pamundësinë për t’u marrë vesh... Kosova nuk ka qenë kurrë më e përçarë politikisht, dhe ky mendoj se është mesazhi kryesor”, thotë Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Një karakteristikë tjetër e votimeve të 7 qershorit, përveç ndryshimit të përqindjeve të partive, ishte dalja më e ulët: nga 44.99 për qind sa ishte më 28 dhjetor, ra në 36.88 për qind.
Për Dedën, dalja më e ulët ka ndikuar në votat e tri partive politike, dhe ky, vlerëson ai, është mesazh se ato duhet të reformohen, sipas mënyrës së tyre.
“Sa i përket rezultatit të përgjithshëm dhe përqindjeve, zoti Kurti nuk e përsëriti rezultatin e 51-përqindëshit, dhe politika e tij nuk u shpërblye. Politika ishte e tij shkaktimi i krizës së radhës dhe i zgjedhjeve të 7 qershorit, që po dalin të jenë të panevojshme”, thotë Deda për Radion Evropa e Lirë.
Hoxha beson se dalja më e ulët në zgjedhje, krahasuar me votimet paraprake, lidhet me atë që ai e quan lodhje të qytetarëve nga fushatat, ku sipas tij, partitë më shumë kanë shfaqur inatet që kanë me njëri-tjetrin e jo plane politike.
Por, ai nuk e sheh rezultatin si ndëshkim të LVV-së nga votuesit, sepse vlerëson se njerëzit ende besojnë në partinë e Kurtit, dhe se LVV-ja ende e ka bërthamën e elektoratit të vet.
“Nuk mendoj se është ndëshkim, sepse nëse do të ishte ndëshkim, do të ishte rritur PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Do të ishin rritur shumë më shumë, janë rritur shumë pak”, vlerëson Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Deda konsideron se Aleanca dhe PDK-ja kanë më shumë arsye të jenë të kënaqura me rezultatin zgjedhor, pasi kanë shënuar rritje në përqindje, ndërkaq LDK-ja, që këtë radhë bartëse të listës kishte ish-presidenten Vjosa Osmani, u kthye në rezultatin e shkurtit të vitit 2025.
“Mbetet të shihet çfarë do të thotë kjo për LDK-në. Por, nuk besoj se nuk është sukses shumë i madh, sepse e përsërit rezultatin e shkurtit 2025, në kombinim me presidenten Osmani”, thotë ai.
Megjithatë, të dy vëzhguesit pajtohen se Kosova ka nevojë për një koalicion më të gjerë qeverisës.
Hoxha thotë se është optimist në këtë drejtim, duke e vlerësuar rezultatin si “shuplakë që duhet ta kthjellë” LVV-në sa i përket ripozicionimit të saj në skenën politike.
“LVV-ja do të duhej të krijonte një qeveri me cilëndo parti tjetër politike, për shkak se Kosovën e presin sfida të mëdha, dhe për shkak se kështu janë rregullat që janë vendosur nga themeluesit e konstitucionalizmit të Kosovës”, thotë ai në pyetjen nëse LVV-ja do të jetë në gjendje të krijojë një ekzekutiv.
“Kur është themeluar Kosova, është themeluar si shtet civil, si shtet i kompromisit politik dhe jo si shtet ku një fitues i merr të gjitha pozitat, por si shtet që ka një koalicion më të gjerë të qeverisjes për shkak të sfidave edhe të brendshme dhe të jashtme”, shton ai.
Deda, në anën tjetër, vlerëson se Kurti nuk do të mundet të qeverisë i vetëm, si në mandatet e kaluara – kur kishte formuar ekzekutiv vetë, dhe mbështetej edhe në votat e partive joshumicë joserbe – por, do të duhet të bëjë koalicion me partitë shqiptare.
Ky, sipas tij, duhet të jetë “mesazhi i fortë që e merr lideri i kësaj partie nga votuesit e vet”.
“Për zgjedhjen e presidentit do të ketë nevojë që të merren vesh së paku tri parti politike shqiptare, ndërkaq për qeveri duhet të jenë së paku dy parti politike shqiptare. Ajo çfarë është e qartë është se shumica e votës shqiptare ka shkuar te partitë e ish-opozitës. Kjo nuk do të thotë se do të kemi qeverisje nga ana e partive opozitare, por është një mesazh që qytetarët janë të pakënaqur, në përgjithësi, në drejtimin të cilin e ka marrë Kosova, në mënyrën se si udhëhiqet nga LVV-ja, dhe që duan ndryshim”, thotë Deda.
Duke folur për koalicionet eventuale, Hoxha beson se LDK-ja është partnerja më “natyrale” e LVV-së për koalicion qeverisës.
Video: Fitorja e LVV-së në zgjedhjet e 7 qershorit dhe pritjet për koalicione
Your browser doesn’t support HTML5
Pritje për koalicion qeverisës pas fitores së zbehur të LVV-së
Kjo parti kishte bashkëpunuar me LVV-në në qeverinë e parë të udhëhequr nga Kurti më 2019, por që u rrëzua pas rreth 50 ditësh, pas tërheqjes së LDK-së nga koalicioni – duke i hapur rrugën LVV-së që në zgjedhjet e radhës për herë të parë të merrte 50 për qind të votave.
“Arsyeja pse e them këtë është se kështu është sjellë LDK-ja si organizatë deri në momentet e fundit”, thotë Hoxha, duke vlerësuar se partia që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku më shumë i ka pasur vijat e kuqe për “me PDK-në sesa me LVV-në gjatë fushatës dhe viteve të fundit”.
“Mosvendosja e LDK-së në koalicion do të ishte dështim i madh për LDK-në. Prandaj, si numër një, partnere të natyrshme të LVV-së e shoh LDK-në. Por, gjithashtu, kjo fatkeqësia është që nëse LDK bën koalicion me LVV-në, gjithashtu është njëfarë vdekje e LDK-së. Do ta përpijë LVV-ja LDK-në, sepse natyra e LVV-së është e tillë”, thotë Hoxha.
Por, ai shton se Abdixhiku e di që një bashkëpunim me LVV-në është “thikë me dy tehe”, pasi do ta dëmtonte partinë, por në të kundërtën, në rast të refuzimit, do ta paraqiste LDK-në si mosbashkëpunuese.
LVV-ja, gjatë negociatave në tentim për të gjetur një konsensus për çështjen e presidentit, i kishte ofruar LDK-së bashkëpunim qeverisës, por ishte refuzuar. Ofertë për bashkëqeverisje, Kurti i kishte bërë Abdixhikut edhe pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar.
PDK-ja, ndërkaq, sipas Hoxhës, do të hynte në koalicion qeverisës vetëm në rast se do të merrte ndonjë pozitë të lartë, sikurse ajo e kryeministrit, por sipas tij, kjo nuk pritet të ndodhë, pasi “nuk është në interesin më të mirë të LVV-së”.
Deda kërkon që partitë politike shqiptare menjëherë të angazhohen që të shmangen zgjedhjet e reja, dhe të ndalet kriza institucionale, duke gjetur një president dhe duke formuar një ekzekutiv me mandat katërvjeçar.
Sa i përket çështjes së presidentit, ai thotë se LVV-ja, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duhet të ulen e të merren vesh për një figurë konsensuale.
Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e Qeverisë kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash në Kuvendin me 120 vende.
Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë.
Kosova dështoi që ta zgjidhte pasardhësin e Vjosa Osmanit, e cila e përfundoi mandatin pesëvjeçar presidencial në prill, për shkak të mungesës së konsensusit mes partive.
Hoxha nuk është shumë optimist se partitë do të arrijnë të pajtohen për presidentin, duke theksuar se mosaftësia për zgjedhjen e presidentit nuk është për shkak të mungesës së numrave, por ka të bëjë me atë që ai e quan kulturë politike.
Ai vlerëson se vendi ka figura të denja për president, por “nuk ka gatishmëri” për kompromis politik dhe dialog të brendshëm.
Zgjedhjet e 7 qershorit ishin të tretat parlamentare që Kosova mbajti në 16 muaj. Në të tri palë zgjedhjet, fituesja ishte LVV-ja.