Pjesëtarët e fushatës për kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara, kanë mirëpritur një marrëveshje potenciale dypartiake për reforma sa i përket sektorit të armëve, mirëpo kanë theksuar se propozimet nuk janë të mjaftueshme.
“Ka përparim, qoftë edhe nëse është i vogël”, ka thënë David Hogg, i mbijetuari i të shtënave masive në shkollën Parkland në Florida më 2018.
Ish-ligjvënësja Gabrielle Giffords, e plagosur nga disa të shtëna më 2011 në Arizona, ka thënë po ashtu se ky hap shënon përparim.
Në mesin e propozimeve përfshihen kontrolle më të ashpra për blerësit e armëve nga personat nën moshën 21-vjeçare dhe luftimi i blerjeve ilegale të armëve.
Këto propozime janë bërë të ditura nga një grup i senatorëve demokratë dhe atyre republikanë më 12 qershor.
SHIKONI EDHE:
Kultura e armëve në AmerikëPropozimet mbështeten nga 10 republikanë, që nënkupton se demokratët kanë votat e mjaftueshme për t’i kthyer ato në ligj.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se planet shënojnë “hapa në drejtim të duhur”, mirëpo nuk përkojnë plotësisht me thirrjet e demokratëve.
Tentimet e së kaluarës për të ashpërsuar kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara – të cilat kanë shkallën më të lartë të vdekshmërisë në botë nga sulmet me armë – kanë dështuar të sigurojnë përkrahjen e duhur në Kongres.
SHIKONI EDHE:
Biden kërkon ashpërsim të ligjeve për armëtDhjetëra mijëra protestues kanë marshuar në Shtetet e Bashkuara më 11 qershor, duke bërë thirrje për ligje më të ashpra për armët, pas dy të shtënave masive.
“Është hap i mirë, mirëpo aq”, ka thënë Hogg për transmetuesin britanik, BBC.
“Asnjë politikë e vetme nuk do t'i ndalë të shtënat, mirëpo kjo politikë mund t'i ndalë të shtënat sikurse në Parkland dhe ky është hap i mirë”.
Giffords, e cila është përballur me lëndime të rënda në tru, e ka mirëpritur po ashtu propozimin.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, ajo ka thënë se marrëveshja “mund të jetë e para në 30 vjet kur Kongresi merr hapa për kontrollin e armëve”.
“Kjo marrëveshje tregon se ende është e mundshme të tejkalohen politikat në të mirë të popullit amerikan”, ka thënë ajo.
SHIKONI EDHE:
Kanadaja propozon ngrirje të pronësisë për pistoletaOrganizata për kontrollin e armëve, ‘Nënat kërkojnë veprim’, ka thënë nëpërmjet një postimi në Twitter, se është e gatshme të bëjë gjithçka që duhet për t’u siguruar që dokumenti shndërrohet në ligj.
“Njëzet e gjashtë vjet pritje për veprim federal për kontrollin e armëve, janë të papranueshme”.
Lideri i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer, ka thënë se është i lumtur për këtë përparim dhe dëshiron t’i dërgojë propozimet në Senat për votim sapo të përfundohen të gjitha procedurat.
Lideri i pakicës në Senat, republikani, Mitch McConnell, nuk ka treguar përkrahje për propozimet, mirëpo ka thënë se kjo punë shpërfaq “vlerën e dialogut dhe bashkëpunimit”.
SHIKONI EDHE:
NRA kërkon roje të armatosura në shkollaAsociacioni Kombëtar i Pushkëve të Amerikës (NRA), një grup i fuqishëm për të drejtën e armëve, ka thënë se do të reagojë pas publikimit të tekstit të plotë për reforma.
Grupi ka thënë se “do të vazhdojë të kundërshtojë secilën përpjekje për të instaluar politika për kontrollin e armëve, iniciativa që nuk përputhen me Kushtetutën dhe përpjekjet për t'i penguar qytetarët nga e drejta e tyre kushtetuese për ta mbrojtur veten dhe më të dashurit e tyre”.
Pavarësisht shkallës së lartë të vdekjeve, si pasojë e armëve të zjarrit, SHBA-ja është shtet ku shumë banorë kënaqen me faktin se Kushtetuta i mbron ata që posedojnë armë.
Propozimet e fundit janë ndër të parat që gëzojnë mbështetje dypartiake në dekada.
Përpjekjet për të ashpërsuar ligjet për kontrollin e armëve pas të shtënave masive në Sandi Huk në Konektikët gati një dekadë më parë, patën dështuar si pasojë e mungesës së përkrahjes në Kongres.
Në këtë sulm patën vdekur 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur.
Senati amerikan, aktualisht, është i ndarë me 50 demokratë dhe 50 republikanë.
Për miratim të ligjeve duhet të pajtohen 60 senatorë.
Dhjetë prej 20 senatorëve që kanë propozuar masat e reja janë repubikanë, që nënkupton se propozimet kanë numrin e nevojshëm për miratim.