Ndërlidhjet

Kultura e armëve në Amerikë


Një nxënëse në SHBA mban një pano gjatë në proteste për siguri në shkolla ku shkruan "Unë jam e ardhmja, të lutem më mbroj". Fotografi nga arkivi.

BBC

Kanë kaluar mbi 50 vjet nga koha kur administrata e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Lyndon Baines Johnson, ka deklaruar se “armët e zjarrit janë instrumenti kryesor i vdekjeve në krimin amerikan”.

Në atë kohë, në këtë vend kanë qarkulluar rreth 90 milionë armë.

Sot, ka shumë më tepër armë dhe shumë më tepër vdekje. Në periudhën 1968-2017, mbi 1.5 milion njerëz kanë vdekur nga armët e zjarrit në SHBA.

Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë. Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane.

Policia amerikane del në vendin e ngjarjes pasi një person vrau dhjetë afrikano-amerikan në Bufallo të Nju Jorkut. 14 maj 2022.
Policia amerikane del në vendin e ngjarjes pasi një person vrau dhjetë afrikano-amerikan në Bufallo të Nju Jorkut. 14 maj 2022.

Shifra paraqet rritje për 25% nga pesë vjetët paraprakë dhe rritje për 43% nga viti 2010.

Çështja e armëve është shumë politike në SHBA dhe përball, në njërën anë, mbështetësit e kontrollit të armëve dhe, në anën tjetër, ata që e mbrojnë të drejtën e garantuar me Kushtetutë për të bartur armë.

Sa armë ka në SHBA?

Llogaritja e numrit të armëve në duart e njerëzve në botë është e vështirë, por, sipas Anketës për Armë të Vogla - një projekt kërkimor i Zvicrës - në vitin 2018 kanë qenë rreth 390 milionë armë në qarkullim.

Proporcioni në SHBA është 120.5 armë zjarri për 100 banorë - nga 88 për 100 sa ka qenë në vitin 2011.

Të dhëna më të reja sugjerojnë se posedimi i armëve është rritur ndjeshëm gjatë disa viteve të fundit. Një studim, i publikuar nga revista akademike amerikane “Annals of Internal Medicine”, në muajin shkurt, ka zbuluar se 7.5 milionë të rritur në SHBA - pak më pak se 3% e popullsisë - janë bërë pronarë armësh midis janarit 2019 dhe prillit 2021.

Kjo ka bërë që 11 milionë njerëz të ekspozohen ndaj armëve të zjarrit në shtëpitë e tyre, duke përfshirë 5 milionë fëmijë. Rreth gjysma e pronarëve të rinj të armëve në këtë periudhë kanë qenë gra, ndërsa 40% kanë qenë ose afrikano-amerikanë, ose hispanikë.

Viktimat nga armët e zjarrit

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), 45,222 njerëz kanë vdekur nga lëndimet e shkaktuara nga armët në vitin 2020. Ky, njëherësh, është viti i fundit për të cilin ka të dhëna të plota.

Derisa të shtënat masive dhe vrasjet me armë, në përgjithësi, tërheqin më shumë vëmendje mediatike, 54 për qind, ose 24,300 vdekje kanë qenë vetëvrasje.

Një studim i publikuar në vitin 2016 në Gazetën Amerikane të Shëndetit Publik ka zbuluar se ekziston një lidhje e fortë midis niveleve më të larta të posedimit të armëve në një shtet dhe normave më të larta të vetëvrasjeve me armë.

Mbështetësit e ligjeve më të rrepta për armë në SHBA shpesh e citojnë këtë statistikë për t’i shtyrë ligjvënësit që t’i kushtojnë më shumë burime shëndetit mendor.

Si krahasohen vrasjet me armë në SHBA me vendet e tjera?

Sipas të dhënave të CDC-së, në vitin 2020, 43% e vdekjeve nga armët - shifër që nënkupton 19,384 njerëz - kanë qenë vrasje. Numri është në rritje, nëse krahasohet me 34% në vitin 2019.

Sipas CDC-së, afro 53 persona vriten çdo ditë nga një armë zjarri në SHBA.
Kjo është një shifër dukshëm më e lartë e vrasjeve sesa në Kanada, Australi, Angli, Uells dhe shumë vende të tjera.

Në Britani, për shembull, 4% e vdekjeve janë shkaktuar nga armët e zjarrit në vitin 2020; në Kanada 37%; në Australi 13%.

A po bëhen të shtënat masive më vdekjeprurëse?

Vdekjet nga “të shtënat masive”, që tërheqin vëmendje ndërkombëtare, janë më të vështira për t’u gjurmuar.

SHBA-ja nuk ka një përkufizim të vetëm për “të shtënat masive”, por Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka gjurmuar, për më shumë se një dekadë, “incidente me sulmues aktiv”, në të cilat “një individ është i përfshirë në mënyrë aktive në vrasjen ose përpjekjen për të vrarë njerëz në një zonë të populluar”.

*Video nga arkivi: Të shtënat në një dyqan në Kolorado në mars të vitit 2021

Dhjetë të vrarë nga të shtënat në Kolorado të SHBA-së
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Sipas FBI-së, në SHBA ka pasur 345 incidente të tilla në periudhën 2000-2020, të cilat kanë rezultuar me mbi 1,000 njerëz të vrarë dhe mbi 1,800 të plagosur.

Sulmi më vdekjeprurës i tillë - në Las Vegas në vitin 2017 - ka lënë më shumë se 50 njerëz të vrarë dhe mbi 500 të plagosur. Por, shumica dërrmuese e të shtënave masive lënë më pak se 30 të vrarë.

Kush e mbështet dhe kush e kundërshton kontrollin e armëve?

Pavarësisht zemërimit të madh dhe të zëshëm të publikut pas dhunës me armë, mbështetja e amerikanëve për ligje më të rrepta për armët në vitin 2020 ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2014. Kështu, së paku, ka treguar një sondazh i Institutit Gallup.

Rreth 52% e amerikanëve të anketuar kanë thënë se duan ligje më të rrepta për armët, ndërsa 35% kanë thënë se ato duhet të mbeten të njëjta.

Njëmbëdhjetë për qind e të anketuarve kanë thënë se ligjet “duhet të jenë më pak të rrepta”.

Çështja ka përçarë edhe partitë politike.

“Demokratët janë pothuajse unanimë në mbështetjen e tyre për ligje më të rrepta të armëve”, vë në dukje i njëjti studim i Gallup-it.

Sipas tij, vetëm 24% e republikanëve mbështesin ligje më të rrepta.

Disa shtete kanë ndërmarrë hapa për të ndaluar ose rregulluar pronësinë e armëve sulmuese. Ligjet ndryshojnë varësisht shteteve, por Kalifornia, për shembull, ka ndaluar pronësinë e armëve sulmuese, me vetëm disa përjashtime të kufizuara.
Shoqata Kombëtare e Pushkëve, sidoqoftë, mbetet lobi më i fuqishëm i armëve në SHBA. Ajo ka një buxhet të konsiderueshëm për të ndikuar në anëtarët e Kongresit, sa i përket politikës së armëve.

Në Teksas vriten 19 nxënës
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00

Të martën e 24 majit, Shtetet e Bashkuara përjetuan njërin prej sulmeve më vdekjeprurëse nga të shtënat me armë zjarri. Njëzet e një veta, përfshirë 19 fëmijë, u vranë në një shkollë në Teksas. Sulmuesi i dyshuar, 18 vjeç, i identifikuar si Salvador Ramos, u vra nga policia.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG