Një mision i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, për mundësimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Oleshki, qytetin ukrainas nën pushtimin rus, si dhe largimin e sigurt të banorëve të tij, ka hyrë në fazën përfundimtare, njoftoi Kievi.
Avokati i Popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets, tha se rrugët e përcaktuara për evakuimin e banorëve nga qyteti jugor ukrainas, i rrethuar nga mina tokësore, ishin pastruar dhe se një autokolonë me ndihma humanitare ishte gati të nisej.
“Delegacionet nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë mbledhur për të bashkërenduar hapat e mëtejshëm”, shkroi Lubinets në Telegram, vonë më 29 tetor. “Të pranishëm janë edhe gazetarë nga të tri vendet”.
Ai shtoi se të gjithë banorët e Oleshkit që dëshirojnë të largohen nga zona do të kenë mundësi ta bëjnë këtë deri në orën 14:00, sipas kohës lokale, më 30 tetor, ndërsa shpërndarja e ndihmave do të nisë pak më vonë.
Your browser doesn’t support HTML5
"Vritesh o vdes urie": Jeta nën okupimin rus në Oleshki
Komisionarja ruse për të Drejtat e Njeriut, Yana Lantratova, ka konfirmuar se operacionet për çminimin e qytetit kanë përfunduar dhe se atje po dërgohen “dhjetëra tonë ndihma humanitare”.
Për tri ditë radhazi, duke filluar nga 27 tetori, Ukraina dhe Rusia respektuan një armëpushim lokal në Oleshki, pa u raportuar shkelje. Marrëveshja u ndërmjetësua nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, e cila e kishte bërë publike një javë më parë.
Melania Trump tha se pritej që civilë nga të dyja vendet t'i vizitonin banorët në shtëpitë e tyre për të vlerësuar nevojat e tyre.
Ajo shtoi se ata që dëshironin të largoheshin do të merrnin ndihmë të bashkërenduar dhe transport drejt destinacioneve të tyre të preferuara.
“Pres që disa të dëshirojnë të shkojnë në Rusi, ndërsa disa të tjerë në Ukrainë”, tha ajo.
Pasi kanë kaluar vite nën pushtimin rus, disa banorë të Oleshkit kanë shprehur shqetësime për procesin e evakuimit, nga frika se mund t'u nënshtrohen procedurave të ashtuquajtura të “filtrimit” gjatë kalimit nëpër territorin rus. Kështu i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, më 29 tetor, gazetarja ukrainase Maria Semenchenko, e cila është rritur në këtë qytet.
Sipas saj, banorët shqetësohen për “kontrollet shtrënguese dhe marrjen në pyetje që përdor Rusia për të identifikuar personat që i konsideron jobesnikë”. Ajo shtoi se “disa prej tyre kanë përjetuar tortura në të kaluarën” dhe se njihte “të paktën një person që nuk dëshiron të largohet pikërisht për këtë arsye”.
SHIKONI EDHE:
Shtëpia e Bardhë njofton për armëpushim humanitar në Oleshki të UkrainësForcat ruse e pushtuan Oleshkin në fillim të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, të cilin Moska e nisi në vitin 2022. Më vonë po atë vit, qyteti u shndërrua praktikisht në vijë të frontit, pasi Ukraina rimori kontrollin mbi kryeqytetin rajonal, Hersonin, që ndodhet më pak se 10 kilometra larg, në anën tjetër të lumit Dniepër.
Dikur me rreth 24.000 banorë, popullsia e Oleshkit është zvogëluar ndjeshëm për shkak të zhvendosjes së banorëve dhe vdekjeve të shkaktuara nga lufta e Rusisë. Shkatërrimi i digës së afërt të Kakhovkës, në qershor të vitit 2023, e përkeqësoi edhe më shumë gjendjen. Vlerësohet se rreth 90 për qind e territorit të qytetit u përmbyt.
Sipas zyrës së Melania Trumpit, deri në vjeshtë në qytet kishin mbetur më pak se 2.000 banorë, përfshirë rreth 50 fëmijë. Besohet se shumica e tyre janë të moshuar, të cilët nuk kanë mundur ose nuk kanë dëshiruar të largohen.
Të mbetur në një qytet kryesisht të shkatërruar dhe të rrethuar nga mina tokësore, banorët e Oleshkit kanë qenë prej muajsh të bllokuar në një zonë lufte, të shkëputur nga bota e jashtme dhe me pak ose aspak ushqim, ujë të pijshëm, barna apo energji elektrike.
Your browser doesn’t support HTML5
Ukraina dërgon ushqime me dronë për banorët e uritur nën okupimin rus
Kievi e ka fajësuar Rusinë për gjendjen e rëndë në qytet, duke e akuzuar Moskën se nuk ka garantuar sigurinë dhe mirëqenien e civilëve. Nga ana tjetër, Kremlini i ka fajësuar sulmet me dronë të Ukrainës për pamundësinë e tij për ta bërë këtë.
Zyrtarë ukrainas dhe vullnetarë i kishin thënë më herët Radios Evropa e Lirë se besonin që banorët e Oleshkit, në thelb, po mbaheshin peng për t'i shërbyer qëllimeve ushtarake të Rusisë në rajon.
Ata thanë se, ndonëse qyteti shërben si një pikë e rëndësishme grumbullimi për organizimin e sulmeve ruse në jug të Ukrainës, banorët e tij, në praktikë, po shfrytëzohen si mburojë njerëzore për forcat e Moskës.