Monedha iraniane bie ndjeshëm, teksa Uashingtoni përgatit sanksione të ashpra

Një këmbimor valute mban kartëmonedha 100-dollarëshe në Teheran. (Fotografi nga arkivi)

Ekonomia tashmë e goditur e Iranit po shfaq sërish shenja tendosjeje derisa Uashingtoni po përgatitet të shpallë sanksione që zyrtarët amerikanë i kanë përshkruar si disa nga më të ashpra të vendosura ndonjëherë ndaj Teheranit.

Monedha iraniane ra në një nivel të ri rekord më 24 gusht, me dollarin që në tregun e hapur arriti në 2.016.400 rialë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se Uashingtoni po përgatit një “Ditën D ekonomike” për Iranin, me sanksione më të ashpra dhe masa të mundshme dytësore ndaj vendeve dhe kompanive që vazhdojnë të bëjnë biznes me Teheranin.

Ahmad Alavi, profesor iranian i ekonomisë në Suedi, thotë se luhatjet e fundit po nxiten jo vetëm nga problemet strukturore të kahershme të vendit, por edhe nga pritshmëritë për atë që mund të sjellin sanksionet më të ashpra.

Ekonomia e Iranit tashmë vuan nga politikat joefektive, qeverisja e dobët, sanksionet dhe një mjedis lufte, tha Alavi për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë (REL).

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja paralajmëron izolim "të paprecedentë" ekonomik të Iranit - çfarë mund të nënkuptojë kjo?

Por, meqë këto kushte themelore nuk kanë ndryshuar në mënyrë dramatike ditët e fundit, ai beson se psikologjia e tregut po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

“Rritja e kursit të këmbimit e intensifikon inflacionin, ndërsa inflacioni i pritshëm dhe ai real bëjnë që kursi i këmbimit të rritet përsëri. Ky rreth vicioz, si të thuash, po vazhdon”, tha Alavi.

Duke pasur parasysh ekonominë e luftës dhe kufizimet strukturore të Iranit, ai shtoi se “duket se kjo do të vazhdojë”.

Alavi ishte gjithashtu skeptik se rritja e eksporteve jashtë naftës mund të ofrojë një zgjidhje të shpejtë, duke pasur parasysh izolimin bankar të Iranit dhe varësinë nga ndërmjetësit për riatdhesimin e të ardhurave nga eksportet.

Por, jo të gjithë janë të bindur se forcimi i sanksioneve do ta ketë ndikimin e dëshiruar.

Analisti politik me bazë në Shtetet e Bashkuara, Ebrahim Roshandel, tha për Radion Farda se sanksionet mund të mos i dobësojnë domosdo forcat që kundërshtojnë negociatat me Uashingtonin. Ai argumenton se sanksionet e kanë tkurrur ekonominë formale të Iranit, ndërsa kanë rritur fuqinë relative të rrjeteve jo transparente, rezistente ndaj sanksioneve dhe të lidhura me institucione të fuqishme.

SHIKONI EDHE:

Lufta e zhyt Iranin më thellë në krizë ekonomike

Ai shtoi se presidenti Masud Pezeshkian ka pak autoritet real, duke e përshkruar qeverinë si të kufizuar nga qendrat paralele dhe të pazgjedhura të pushtetit.

“Qeveria, si përfaqësuese e popullit, dhe Pezeshkiani në krye të saj, nuk ka asnjë mjet në dispozicion”, tha ai, duke e cilësuar atë si “thjesht një qeveri burokratike”, të lënë mënjanë nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe entitete të tjera të fuqishme që i përgjigjen vetëm liderit suprem.

“Sanksionet nuk i kanë ndëshkuar kundërshtarët e një marrëveshjeje, por i kanë financuar ata”, tha ai, duke argumentuar se çdo muaj vonesë rrit pjesën e IRGC-së në ekonomi dhe fuqinë e saj në vendimmarrje.