Shkurtimisht
- Nenad Popoviq, ministër pa portofol në Qeverinë në detyrë të Serbisë, është ngarkuar nga Dmitry Medvedev, kryetar i partisë në pushtet në Rusi, me çështjen e koordinimit të luftës kundër “ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje”.
- Popoviq e mori këtë detyrë në një takim të lëvizjes “Për Lirinë e Kombeve!”, të themeluar nga partia Rusia e Bashkuar, pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat fitoi Lista Studentore opozitare.
Nenad Popoviq, ministër pa portofol në Qeverinë në detyrë të Serbisë, i cili është nën sanksione amerikane për shkak të lidhjeve me Rusinë, është emëruar koordinator i luftës kundër “ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje” në një lëvizje ndërkombëtare të themeluar nga partia ruse në pushtet, Rusia e Bashkuar.
Kryetari i Rusisë së Bashkuar, Dmitry Medvedev, ia caktoi Popoviqit këtë detyrë më 16 nëntor, gjatë një takimi të lëvizjes “Për Lirinë e Kombeve!”, duke pretenduar se “shumë vende perëndimore ndërhyjnë pa hezitim në proceset zgjedhore”.
“Përvoja e kolegëve tanë, të cilët janë përballur me fenomene të tilla, do të jetë e dobishme”, tha Medvedev, sipas faqes zyrtare të partisë në pushtet në Rusi.
Në tetor, Medvedev kishte pretenduar se Perëndimi po përpiqet të “ndërhyjë në proceset zgjedhore në Serbi, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dhe të destabilizojë situatën”, raportoi agjencia ruse Interfax.
Pretendime të ngjashme për ndërhyrjen e shërbimeve të huaja të inteligjencës kishte bërë edhe Qeveria i mëparshëm në Serbi e Aleksandar Vuçiqit, pjesë e të cilit është edhe Popoviq.
Popoviq, politikan me qëndrime proruse, është ministër në detyrë, përgjegjës për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar dhe pozitën shoqërore të Kishës. Ai është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që nga viti 2023, për shkak të lidhjeve të tij politike dhe afariste me Moskën.
Vuk Vuksanoviq, ligjërues i politikës së jashtme dhe strategjisë së madhe në Departamentin e Studimeve të Luftës në King's College të Londrës, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se roli i ri i Popoviqit nuk përbën ndonjë lëvizje strategjike të Rusisë, por ka më shumë gjasa të jetë nismë e vetë politikanit serb.
“Me shumë gjasë, kjo është para së gjithash një përpjekje e vetë Popoviqit, si përfaqësues i elitës së vjetër që pësoi humbje, për t’i shfrytëzuar lidhjet e tij të mëparshme me Rusinë dhe për të drejtuar disa sulme propagandistike ndaj pushtetit të ri, duke vazhduar narrativin për ndërhyrje të huaja”, thotë Vuksanoviq.
Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk mori përgjigje as nga Popoviq, as nga përfaqësuesit e lëvizjes “Për Lirinë e Kombeve!”, lidhur me hapat që synojnë të ndërmarrin në kuadër të “luftës kundër ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje”.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi, fitoi Lista Studentore. Pas rezultatit zgjedhor, Kremlini deklaroi se dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me Serbinë, pavarësisht humbjes në zgjedhje të partisë së aleatit të tij, Vuçiqit.
SHIKONI EDHE:
A i ndryshon humbja e Vuçiqit raportet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën?Pretendimet për “neokolonializëm zgjedhor”
Çështja e ndërhyrjes së pretenduar të Perëndimit në zgjedhje është diskutuar vazhdimisht që nga themelimi i lëvizjes “Për Lirinë e Kombeve!” në Rusi.
Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, e themeloi këtë lëvizje në shkurt të vitit 2024, me mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin.
Emri i saj i plotë është “Forumi i Mbështetësve të Luftës Kundër Praktikave Bashkëkohore të Neokolonializmit – Për Lirinë e Kombeve!”.
Sipas faqes zyrtare të Rusisë së Bashkuar, lëvizja synon t’i bashkojë vendet e “shumicës globale për të ndërtuar një rend botëror shumëpolar, të drejtë dhe të barabartë”.
Në takimin themelues morën pjesë 50 lëvizje politike: gjashtë nga Evropa, shtatë nga Amerika Latine, 14 nga Afrika dhe 23 nga Azia.
Lëvizja ka edhe organe të tjera, përfshirë Komitetin e Përhershëm, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të partive politike nga vende të ndryshme.
Serbia përfaqësohet në këtë komitet nga Nenad Popoviq, në emër të Partisë Popullore Serbe (SNS).
Në korrik të vitit 2025, gjatë një mbledhjeje të Komitetit të Përhershëm, Medvedev u propozoi anëtarëve lidhjen e marrëveshjeve për “mbrojtjen e proceseve zgjedhore”.
“Është e nevojshme t’u ofrojmë partnerëve ndihmë metodologjike për t’iu kundërvënë ndikimeve të jashtme në proceset tona të brendshme zgjedhore”, deklaroi ai në atë kohë, sipas faqes së tij zyrtare.
Medvedev pretendoi gjithashtu se proceset zgjedhore janë “objektivi i preferuar i ndërhyrjeve të SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO”.
Si shembull përmendi Venezuelën, e cila, sipas tij, ishte përballur me “presion të paparë” nga Perëndimi gjatë përgatitjeve dhe mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës e shpalli Nicolas Maduron fitues të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, pa publikuar të dhëna të hollësishme për votimin. Autoritetet pretenduan se kishin qenë cak i një sulmi kibernetik, një shpjegim që shumë ekspertë e konsideruan të pabesueshëm.
Opozita shpalli fitoren e saj dhe akuzoi Qeverinë për manipulim të zgjedhjeve.
Uashingtoni e kishte kontestuar legjitimitetin e Maduros si president që nga koha kur ai pasoi Hugo Chavezin më 2013.
Autoritetet amerikane e arrestuan Maduron në fillim të janarit 2026, nën akuza për narko-terrorizëm.
Në një takim të lëvizjes, në nëntor të vitit 2025, Medvedev e cilësoi ndërhyrjen e pretenduar të Perëndimit në zgjedhje si “neokolonializëm zgjedhor”.
Ai tha se shtetet duhet të arrijnë marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë në vëzhgimin e zgjedhjeve, në mënyrë që më vonë “të mos tentohet delegjitimimi i tyre duke u thirrur në shkeljen e disa standardeve që vetë vendet perëndimore i kanë shpikur”.
Bashkimi Evropian i hodhi poshtë edhe zgjedhjet e vitit 2026 në Rusi, duke i cilësuar si “zgjedhje të rreme”.
Në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, Rusia e Bashkuar fitoi pothuajse 58 për qind të votave, ndërsa partia Jabloko, e vetmja që kundërshtonte luftën në Ukrainë, u përjashtua nga procesi zgjedhor.
SHIKONI EDHE:
Rusia shpall fitoren rekorde të partisë së Putinit, BE-ja kritikon zgjedhjetVuksanoviq thotë për REL-in se Rusia, së bashku me Kinën, e cila gjithashtu merr pjesë në këtë lëvizje, po përpiqet të paraqitet si fuqi që mbron “parimin e sovranitetit”.
“Rusia gjithmonë i frikësohet çdo sinjali se NATO-ja mund të mbështesë forca brenda Rusisë, qofshin ato liberale apo joliberale, me synimin për ta rrëzuar regjimin”, thotë ai.
Serbia dhe “revolucioni me ngjyra”
Çështjen e “neokolonializmit zgjedhor” brenda kësaj lëvizjeje e kishte ngritur vetë Nenad Popoviq, gjatë një takimi të Komitetit të Përhershëm në qershor.
Ai kishte theksuar se brenda dy vjetëve të ardhshëm do të mbaheshin zgjedhje në Serbi, Rusi dhe vende të tjera anëtare të komitetit, duke propozuar “intensifikimin e punës së përbashkët në këtë drejtim”.
Pushteti në largim në Serbi ka këmbëngulur se protestat studentore, të cilat çuan në humbjen e tij në zgjedhjet e 25 tetorit, ishin pjesë e një “revolucioni me ngjyra”.
Me këtë term, autoritetet e atëhershme pretendonin se pas protestave qëndronin shërbime të huaja të inteligjencës.
Zyrtarët rusë e mbështetën këtë narrativë.
Mesazhe të tilla u përhapën edhe para zgjedhjeve.
Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, deklaroi në mes të gushtit se udhëheqja e Serbisë nuk mund ta eliminonte rrezikun që, pas votimit dhe pavarësisht rezultateve, “të vihej në lëvizje skenari i njohur i ‘revolucionit me ngjyra’”.
Serbia dhe Rusia kishin paralajmëruar bashkëpunim kundër të ashtuquajturave “revolucione me ngjyra” që në dhjetor të vitit 2021.
Atëherë, ministri i atëhershëm i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua në Moskë me sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Nikolai Patrushev.
Të dy vlerësuan se “revolucionet me ngjyra” ishin shndërruar në instrument tradicional të politikës së disa qendrave të pushtetit.
SHIKONI EDHE:
Kë, në fakt, përfaqësojnë partitë “ruse” në Serbi?A po e ringjall Putini “Serbinë e Madhe”?Bashkëpunimi me pushtetin e ri në Serbi
Megjithatë, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet në Serbi, Kremlini deklaroi se dëshiron të vazhdojë zhvillimin e marrëdhënieve me Beogradin, pavarësisht humbjes së Vuçiqit.
Moska shprehu shpresën se udhëheqësit e rinj do ta kuptojnë se “bashkëpunimi me Rusinë është në interes të vendit të tyre”.
Para zgjedhjeve, një nga përfaqësuesit e Listës Studentore, Radomir Saiçiq, deklaroi për Radio Televizionin e Serbisë se do të kultivoheshin “marrëdhënie produktive me Rusinë”.
Ndërkaq, Illija Sërdanoviq, bartës i listës që fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare, tha për REL-in pas zgjedhjeve se për raportet me Rusinë do të vendosin qytetarët.
Vuksanoviq vlerëson se autoritetet ruse do të bashkëpunojnë në mënyrë pragmatike me pushtetin e ri në Beograd, pavarësisht pretendimeve të herëpashershme për ndërhyrje të Perëndimit.
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë deklaroi në nëntor se Brukseli dhe kryeqytetet kryesore evropiane ishin “të vendosura t'i vënënë vijë udhëheqësit e Listës Studentore” dhe se ishin të gatshëm që për këtë të “përdorin të gjithë arsenalin e mjeteve të ndikimit diplomatik dhe të inteligjencës”.
Sipas Vuksanoviqit, çështja e Kosovës dhe çmimi i gazit do të jenë ndër temat kryesore të bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.
Rusia deri më tani e ka mbështetur Serbinë në negociatat për Kosovën, pavarësinë e së cilës nuk e njeh.
Serbia është gjithashtu e varur nga gazi rus për furnizimin e saj me energji. Më shumë se 80 për qind e gazit që përdor vendi vjen nga Rusia.
Autoritetet serbe deri më tani nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.