Moska: Shkupi bëri gabim të madh që i dhuroi tanke Ukrainës

Stërvitja e ushtrisë maqedonase me NATO-n. Prill 2022.

Rusia e konsideron gabim të madh vendimin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për t'i dhuruar tanke Ukrainës. Por, Shkupi tha se ka vepruar bazuar në parimin e respektimit të të drejtës ndërkombëtare.

Kështu tha më 2 gusht zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova, e cila komentoi vendimin e autoriteteve maqedonase për t’i dhuruar Ukrainës tanket, të cilat, sipas mediave ruse, Shkupi i kishte marr nga Rusia në vitin 2000 për të luftuar kundër “separatistëve shqiptarë”.

Zaharova tha se Maqedonia e Veriut i ka dhënë mbështetje "vazhdimit të aktiviteteve kriminale të regjimit në Kiev".

“Përkundër faktit se, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një donacion ‘të padëmshëm’ të pajisjeve të vjetruara, Shkupi si besnike e NATO-s, është përfshirë në dërgimin e armëve në Ukrainë, duke kontribuar kështu në vazhdimin e aktivitetit kriminal të regjimit në Kiev kundër popullatës civile në Donbas”, tha ajo.

Sipas Zaharovës, e gjithë kjo çon në përkeqësim të mëtejshëm të situatës. “Ne besojmë se ky është një gabim i madh i udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut”.

Lexoni edhe këtë:

Maqedonia e Veriut i dhuron tanke të vjetra Ukrainës

Deklaratave të Moskës u është përgjigjur Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut.

MPJ tha se Maqedonia e Veriut është shtet sovran dhe i merr të gjitha vendimet në mënyrë të pavarur “bazuar në parimet e respektimit të së drejtës ndërkombëtare”.

“Që në fillim, Maqedonia e Veriut dënoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe mbështeti integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, dhe mbi të gjitha mbështeti paqen, të drejtat e njeriut dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla...Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarako-politike, aleancës së NATO-s, qëndron pas vendosmërisë së aleancës për të qenë garantuese e paqes dhe sigurisë së vendeve anëtare dhe për mbrojtjen e vlerave, lirisë dhe sigurinë e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut më 29 korrik bëri të ditur se i ka dhuruar tanke Ukrainës, të cilat, sipas Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes janë tanke të gjeneratës së tretë, dhe duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsiderohen jo konkurruese dhe jo kompatibile.

Ajo i ka dhuruar më parë Ukrainës pajisje mjekësore dhe ndihma tjera për popullatën civile.

Maqedonia e Veriut që në ditët e parë të agresionit rus i ka dhënë mbështetje qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.