Mungesa e specialistëve shtyn pacientët drejt klinikave private

Një punëtore shëndetësore në një klinikë në Maqedoninë e Veriut - Fotografi ilustruese.

Emilija Sotiroska thotë për Radion Evropa e Lirë se në rastin më kritik të lëndimit të rëndë që ka pësuar djali i saj në këmbë gjatë aktiviteteve sportive nuk ka arritur të sigurojë një termin për incizimin e këmbës me rezonancë magnetike, pasi siç i është thënë, mungon stafi mjekësor për të punuar gjatë turnit të natës.

Rezonanca magnetike është metodë diagnostikuese joinvazive, e cila përdor fushë magnetike dhe valë radio-frekuencë për të mundësuar një pamje të detajuar të organeve të caktuara dhe të enëve të gjakut.

“Djali im duhej të operohej me urgjencë pasi gjatë aktivitetit sportiv e këputi ligamentin e këmbës dhe nevojitej me urgjencë të bënte incizim me rezonancë magnetike, por termin nuk mund të sigurohej assesi pasi mungonin edhe mjekët për t’i lexuar rezultatet. Për shkak se bëhej fjalë për një situatë emergjente u desh t’ia bënim incizimin në klinikat private, ku një incizim i këtillë lëviz nga 250 deri 500 euro. Kjo më duket e pakuptimtë për faktin se edhe unë edhe bashkëshorti paguajmë sigurim shëndetësor dhe kur paraqitet nevoja, ne detyrohemi të paguajmë privat”, tregon ajo.

Ndërkaq, autoritetet shëndetësore në vazhdimësi theksojnë se investimi në aparaturat e sofistikuara mbetet çështja kryesore në çka janë të fokusuar.

SHIKONI EDHE: Qendrat spitalore në Maqedoninë e V., të mbingarkuara

Së fundmi brenda këtij muaji është përuruar reparti për incizim me rezonancë magnetike në spitalin e Prilepit ku morën pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Ministri Sali u zotua se me investimet për t’u pajisur me aparatura të reja të spitaleve në qytetet e tjera të vendit, do të zhbllokohet trysnia që mbetet në Klinikën e Shkupit.

“Me këtë vazhdojnë investimet në pajisjet me procedura të sofistikuara të diagnostikimit të pacientëve”, tha ministri Sali gjatë hapjes së këtij reparti në Prilep.

Ky repart do t’u shërbejë jo vetëm pacientëve të Prilepit, por edhe komunave më të vogla përreth, që me dekada për incizimet e kësaj natyre janë detyruar të shkojnë në qendrën klinike të Shkupit.

Mungesë kuadri për të punuar me aparaturat e reja

Por, nga Spitali i Prilepit thonë se pas furnizimit me këtë pajisje problem paraqet mungesa e mjekëve specialistë, të cilët do t’i lexojnë rezultate në bazë të të cilave duhet t’ua përcaktojnë terapinë pacientëve.

Drejtoresha e Spitalit të Prilepit, Keti Smilevska, thotë se është e detyruar të kërkojë ndihmë nga mjekët e spitaleve të tjera të vendit pasi ka mungesë të radiologëve.

“Për sa i përket mjekëve specialistë, radiologëve të cilët duhet t’i lexojnë rezultatet kemi kërkuar ndihmë nga spitalet e tjera pasi kemi mungesë të madhe në këtë drejtim, kundrejt personelit teknik me shkollë të mesme, të cilin tashmë e kemi aftësuar për të punuar në këtë repart”, thotë Smilevska.

SHIKONI EDHE: Spitalet në Maqedoni, me mungesë kuadri të specializuar

Në këtë qendër spitalore vetëm gjatë dy vjetëve të fundit janë pensionuar 57 mjekë dhe personel mjekësor.

Për shkak të mungesës së mjekëve specialistë, qendra spitalore e Ohrit në nëntor të vitit të kaluar u detyrua ta mbyllë repartin e Pediatrisë.

Krahas pagës së ulët mjekët ikin për shkak të pamundësisë për të specializuar

Ndërkohë, mjekët e rinj thonë se një nga arsyet kryesore që braktisin vendin është procedura e gjatë dhe e komplikuar për fitimin e së drejtës për të specializuar.

SHIKONI EDHE: Qindra mjekë largohen nga Maqedonia e Veriut

“I gjithë problemi qëndron në atë se mungon një sistematizim i përgjithshëm që do të detektonte me saktësi se në cilat profile ka mungesë të mjekëve specialistë dhe për këto vende kur mund të priten konkurse për specializim, të shpresojmë dhe konkurse për punësim”, thotë Bojan Trajkovski nga Asociacioni i Mjekëve të Rinj.

Ai thekson se procedurat e koklavitura dhe problemet që paraqiten gjatë konkurseve mes institucioneve për dhënien e lejeve pamundësojnë angazhimin e mjekëve të rinj, edhe pse ka shumë nevojë për to.

Ministria e Shëndetësisë me analizë për mungesën e mjekëve specialistë

Nga Ministria Shëndetësisë taksmë kanë pranuar seriozitetin e problemit me mungesën e gjinekologëve, anesteziologëve dhe pediatërve.

Nga kjo ministri janë zotuar se do të hartohet një analizë e thuktë për plotësimin e nevojave me specialistë dhe subspecialistë të rinj, por pa saktësuar dinamikën e realizimit.

“Në periudhën e ardhshme do të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse e nevojave të specialistëve dhe subspecialistëve në drejtim të përgatitjes së një programi të ri katërvjeçar për specializimet dhe subspecializimet në institucionet shëndetësore publike për periudhën 2023-2026”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë.

Edhe në raportin e Komisionit Evropian në pjesën që ka të bëjë me shërbimet shëndetësore, Maqedonia e Veriut notohet për mungesën e mjekëve specialistë në institucionet shëndetësore publike, ku apostrofohet largimi i personelit mjekësor jashtë vendit ose në klinikat private për shkak të kushteve më të mira në punë dhe pagave më të larta.

Në raportin e Komisionit Evropian krahas mungesës së stafit mjekësor, si shumë problematike theksohet mungesa e programeve për trajnimin e personelit mjekësorë për t’ aftësuar që të punojë me aparaturat e sofistikuara mjekësore.