Në juglindje të Rusisë, biznesi i Daniilit për dhënien me qira të motobarkave ka hasur në telashe. Kufizimet në shitjen e karburantit nënkuptojnë se flota e tij në rajonet e Rostovit dhe Krasnodarit është e bllokuar, tha ai në një postim në rrjetet sociale: “Në çdo pikë karburanti më thonë të shporrem”.
Problemi i Daniilit është se, në shumë raste, klientëve u ndalohet të mbushin karburant në bidonë në vend të makinave, për të shmangur grumbullimin e rezervave në kohën kur mungesat përhapen në të gjithë Rusinë si pasojë e shtimit të sulmeve të Ukrainës me dronë dhe raketa ndaj rafinerive dhe objekteve të tjera të naftës.
Por, shoferët shpesh nuk mund të blejnë më shumë se vetëm 20 litra karburant në pikat e karburantit.
“Nuk mund të mbushim benzinë, nuk ka fare në Krasnodar”, thotë një grua në një video tjetër, duke drejtuar kamerën e telefonit të saj drejt tabelës së çmimeve të një pike të Lukoilit, ku çdo kategori është bosh: nuk ka naftë dhe nuk ka benzinë të asnjë oktani.
“Çfarë po ndodh në këtë vend?”, pyet ajo.
Më shumë se 1.000 kilometra në verilindje, në Tatarstan, një tjetër shofere kishte të njëjtën pyetje: “Si gjithmonë, treguesi është te zeroja dhe unë jam në panik”, tha ajo. “Çfarë po ndodh?”
Flak[ë dhe tym ngrihen nga rafineria kryesore e naftës në Moskë pas një sulmi ukrainas në mëngjesin e 18 qershorit.
Ajo që po ndodh është se, në vitin e pestë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Kievi po kundërpërgjigjet me sulme të shpeshta ndaj rafinerive.
Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’i kufizuar eksportet ruse të naftës, një burim kyç të ardhurash për arkën e luftës së Kremlinit, dhe për t’ua sjellë pasojat e konfliktit, në të cilin Rusia ka vrarë ose plagosur dhjetëra mijëra civilë ukrainas, qytetarëve në mbarë Rusinë.
Sulmet ndaj infrastrukturës së hidrokarbureve kufizuan aftësinë e Moskës për të përfituar nga muajt e çmimeve të larta globale gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, ku mbyllja e Ngushticës së Hormuzit rriti kërkesën për naftë nga rajone të tjera, përfshirë Rusinë.
Vetëm në muajin maj, Ukraina kreu të paktën 16 sulme ndaj objekteve që prodhojnë karburant në Rusi, me dronë që goditën tetë nga 10 rafineritë më të mëdha të vendit, sipas Bloomberg News.
SHIKONI EDHE:
Sulmet më të sakta dhe më të shpeshta të Ukrainës godasin industrinë e naftës së RusisëKëtë muaj nuk ka pasur asnjë ngadalësim. Mungesat në Tatarstan dhe në një sërë rajonesh të tjera përgjatë lumit Vollga janë, pjesërisht, rezultat i sulmeve të hershme të 12 qershorit ndaj dy rafinerive në qytetin e Nizhnekamskut. Njëra prej tyre, objekti Taneco i kompanisë së madhe të naftës Tatneft, është ndër më të mëdhatë në Rusi.
“Kam nevojë për karburant sikur të ishte oksigjen”
“Motra ime Alsu më telefonoi dhe më tha: shko mbushe automjetin shpejt, sepse po e kufizojnë shitjen e karburantit. U nisa menjëherë, madje pa ndërruar rrobat. Punoj në pasuri të paluajtshme, prandaj më duhet karburanti sikur të ishte oksigjen”, thotë një grua vendase në një video. Kur arriti në një pikë karburanti, zbuloi se klientët kufizoheshin në 25 litra për automjet.
“Bukur”, tha ajo me sarkazëm. “Deri këtu ka ardhur punë”.
Për rusët më të moshuar, shitjet e kufizuara dhe radhët e gjata në pikat e karburantit mund të sjellin ndër mend mungesat që herë pas here godisnin vendin gjatë vështirësive ekonomike pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Kur presidenti Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, ai priste ta nënshtronte Kievin brenda ditësh ose javësh. Më shumë se katër vjet më vonë, fushata e sulmeve të Kievit ndaj Rusisë është një nga faktorët që kanë ndryshuar natyrën e luftës. Ky zhvillim në fillim do të dukej pothuajse i paimagjinueshëm.
Your browser doesn’t support HTML5
Dronët ukrainas godasin rafinerinë kryesore të naftës në Moskë
Në fillim të qershorit, sulmet ukrainase ndaj objekteve të naftës pranë Shën Petersburgut e lanë në hije forumin e tij vjetor të investimeve në qytetin e tij të lindjes. Ndërsa, sulmet në Tatarstan ndodhën pak para se Putini të priste liderët e Azisë Juglindore në Kazan, kryeqytetin rajonal, në samitin Rusi-ASEAN më 18 qershor.
Këtë javë, Ukraina kishte në shënjestër kryeqytetin rus. Ajo goditi rafinerinë kryesore të naftës në Moskë më 16 qershor dhe sërish më 18 qershor, këtë herë në atë që mund të ketë qenë sulmi më i madh ndaj qytetit që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, me kryetarin e bashkisë që pretendoi se ishin rrëzuar 180 dronë.
Pamjet video treguan disa topa zjarri mes reve të tymit të zi mbi objektin e madh në distriktin Kapotnja, në skajin juglindor të Moskës, rreth 16 kilometra nga Kremlini. Rafineria zakonisht mund të përpunojë 11 milionë tonë metrikë nafte në vit dhe mbulon një pjesë të konsiderueshme të furnizimit të Moskës me benzinë.
Autoritetet ruse mund të shmangin mungesa të mëdha karburanti në kryeqytet. Por, analistët thanë se sulmet mund ta kenë atë ndikimin që Kievi e dëshiron te banorët e Moskës, të cilët deri tani kanë qenë pjesërisht të mbrojtur nga konflikti, sepse shumica e personelit ushtarak vjen nga rajone më të varfra, ku pagat e larta dhe mungesa e perspektivave janë nxitje për të luftuar në një luftë që ka vrarë gjysmë milioni ushtarë rusë, sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore.
“Jam i bindur se autoritetet e Moskës do të gjejnë një mënyrë për të kompensuar mungesën [e karburantit], por... banorët e Moskës tani mund të shohin se realisht po zhvillohet një luftë”, tha analisti i pavarur ekonomik, Andrei Makhovsky, për Current Time.
“Vendi që e nisi këtë”
“Për pjesën më të madhe të kësaj lufte, banorët e kryeqytetit kanë qenë të izoluar prej saj, pasi dhunëa e luftës është zhvilluar në një distancë të përshtatshme, në territorin e dikujt tjetër. Tymi që ngrihet mbi Moskë e eliminon plotësisht atë distancë,” shkroi Mick Ryan, gjeneralmajor australian në pension dhe tani bashkëpunëtor i lartë në Institutin Lowly, një institut kërkimor australian. “Lufta, në një kuptim shumë real, po kthehet në vendin që e nisi atë”.
Për më tepër, “duket se kjo krizë e karburantit mund të rezultojë më e rënda që nga fillimi i luftës”, tha Makhovsky, duke shtuar se sulmet e Kievit ndaj objekteve të naftës do të ndikojnë në sezonin e pushimeve verore dhe korrjen e drithërave.
“Kjo krizë mund të jetë më e ashpër se të gjitha të mëparshmet, thjesht sepse kapacitetet e Forcave të Armatosura të Ukrainës janë rritur”, tha ai. “Deri tani nuk kishim parë forcat ukrainase të godisnin përpunimin rus të naftës kaq shumë dhe kaq sistematikisht”.
Teksa Moska digjet, kriza me karburantet në Rusi përhapet
“Nëse mungesa e naftës vazhdon dhe përkeqësohet, mund të shkaktojë një krizë në sektorin bujqësor, e cila nga ana e saj mund të çojë në një krizë ushqimore”, tha analisti ekonomik Maksim Blant për Shërbimin rus të REL-it.
“Mungesa mund të ndikojë gjithashtu në industrinë e aviacionit. Disa aeroporte kanë vendosur tashmë kufizime për furnizimin me karburant. Avionët po furnizohen saktësisht për distancën e parashikuar në planet e fluturimit, që do të thotë se pilotët praktikisht nuk kanë asnjë hapësirë për gabime”, tha ai. “Mund të godasë edhe sektorin e transportit, duke prekur shoferët e kamionëve”.
Raportohet se Rusia ka ndaluar eksportet e karburantit për avionë deri në fund të nëntorit dhe ka zgjatur një dispozitë që u lejon disa rafinerive të shesin në tregun e brendshëm benzinë dhe naftë që nuk përmbushin standardet Euro-5 për ndotësit.
Mungesat e karburantit kanë qenë veçanërisht të rënda në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia, ku Ukraina ka bllokuar një pjesë të furnizimeve duke kërcënuar autostradën që lidh Rusinë me Krimenë përmes territorit të kontrolluar nga Rusia në jug të Ukrainës me “sulme të ndërmjetme” nga dronë dhe raketa. Por mungesat kanë goditur zona të gjera të Rusisë dhe kufizime në shitje janë vendosur në shumë rajone.
SHIKONI EDHE:
Dronët ukrainas godasin rafinerinë ruse gjatë një tjetër sulmi thellë brenda RusisëPërveç efekteve të tyre praktike, sulmet e Kievit janë pjesë e luftës së informacionit, ose luftës propagandistike, mes Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i quan këto sulme “sanksione me rreze të gjatë veprimi” dhe, pas goditjes së rafinerisë së Moskës më 18 qershor, u bëri thirrje qytetarëve rusë të “kthehen në realitet dhe të ushtrojnë presion mbi udhëheqësin e tyre”.
Ndërkohë, zyrtarët rusë po përpiqen t’i minimizojnë këto sulme.
Putini pothuajse i injoroi sulmet pranë Shën Petersburgut gjatë forumit të investimeve më 3–6 qershor dhe nuk përmendi fare goditjet ndaj rafinerisë së Moskës në konferencën për shtyp në samitin ASEAN-Rusi në Kazan.
Ndërsa mediat rajonale kanë raportuar për mungesat e karburantit dhe radhët në pikat e furnizimit, mbulimi i sulmit ndaj rafinerisë së Moskës në kanalet kryesore shtetërore televizive ishte minimal në mëngjesin e 18 qershorit dhe pothuajse u zhduk nga programet informative më vonë gjatë ditës.
SHIKONI EDHE:
Ukraina lëshon qindra dronë drejt Rusisë në ditën e fundit të një forumi të madh investimesh“Gjithçka është në rregull, këtu ka [benzinë] kudo”, tha këtë javë një folës në një emision debati të televizionit shtetëror, ndërsa prezantuesi i njohur pro-Kremlinit Vladimir Solovyov i quajti “histerikë” rusët që publikojnë fotografi dhe video të mungesave në rrjetet sociale.
Në mesin e majit, autoritetet e Moskës vendosën gjoba për publikimin e imazheve që tregojnë pasojat e sulmeve ukrainase, dhe masa të ngjashme janë në fuqi në dhjetëra rajone ruse si edhe në pjesët e pushtuara të Ukrainës.
Por, disa propagandistë dhe blogerë pro-luftës po kërkojnë dënime edhe më të ashpra, ndërsa një drejtues i lartë në transmetuesin shtetëror VGRTK sugjeroi që rusët që publikojnë materiale rreth sulmeve duhet të gjykohen për tradhti.
Në një nga referencat e rralla ndaj mungesave të benzinës dhe naftës, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, tha më 1 qershor se “problemet” në Krimenë e pushtuar “duhet të zgjidhen”, por nuk tregoi se si.