Netanyahu propozon Trumpin për Çmimin Nobel për Paqe

Presidenti amerikan, Donald Trump, priti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë, më 7 korrik.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ka nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për Çmimin Nobel për Paqe.

Më 7 korrik, Netanyahu takoi Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, ku tha se i ka treguar letrën që i ka dërguar komitetit që ndan çmimin prestigjioz.

“Ai po ndërton paqe ndërkohë që ne flasim, në një vend... në një rajon pas tjetrit”, tha Netanyahu gjatë një darke me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë viteve, Trump është nominuar disa herë për Çmimin Nobel për Paqe nga mbështetës dhe ligjvënës të ndryshëm dhe nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij që nuk ka fituar.

Ai është ankuar hapur se është anashkaluar nga Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel për rolin e tij ndërmjetësues në konfliktet midis Indisë dhe Pakistanit, si dhe Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2020, derisa Trump ka shërbyer në mandatin e parë presidencial, ai ka dëshmuar nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

SHIKONI EDHE: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë - nga linja ajrore deri te njohja nga Izraeli

Muajin e kaluar, Trump i është bashkuar luftës së Izraelit në Iran, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane.

Më pas, ai ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi mes këtyre dy vendeve.

SHIKONI EDHE: Trump: Izraeli dhe Irani u pajtuan për armëpushim

Paraardhësi i Trumpit gjatë mandatit të parë, Barack Obama, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2009.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka përmendur “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve” si arsye për çmimin.