Ndërlidhjet

Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë - nga linja ajrore deri te njohja nga Izraeli


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, 4 shtator 2020
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, 4 shtator 2020

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Marrëveshja pason diskutimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan më 3 shtator në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O'Brien, dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Normalizimi i raporteve nis me transportin ajror, hekurudhor e rrugor

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.

Thuhet edhe se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.

Marrëveshje "për tejkalimin e ndasive" dhe fokusimin në ekonomi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Trump: Ditë historike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se kjo është "një ditë shumë e rëndësishme dhe historike".

Ai shtoi se edhe pas historisë së dhunës dhe negociatave të dështuara, administrata e tij ka bërë një "përparim të madh" në dialog dhe se "askush nuk ka menduar se kjo do të ishte e mundur".

Trump, gjithashtu, tha se ai shpreson se "do të shkojë në të dyja vendet në një të ardhme jo aq të largët" dhe se ai është "krenar për dy udhëheqësit".

"Është dashur një trimëri e jashtëzakonshme nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës,Hoti, për t'i filluar këto bisedime dhe për të ardhur në Uashington për t'i përfunduar këto zotime. Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt", deklaroi Trump.

Hoti: Marrëveshja, hap i madh drejt njohjes reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, në një konferencë për media tha se marrëveshja e nënshkruar është një hap i madh drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Kjo është një marrëveshje që është hap i madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të finalizohet me njohjen reciproke mes dy vendeve. Nga Shtëpia e Bardhë kanë ardhur gjithmonë lajme të mira", tha Hoti.

Kryeministri Avdullah Hoti.
Kryeministri Avdullah Hoti.

Ai tha se elementet kryesore të marrëveshjes kanë të bëjnë me projekte të mëdha infrastrukture.

"Unë kam pritje të mëdha që këto projekte ashtu siç kam thënë gjithmonë, do ta ndërrojnë peizazhin ekonomik në Kosovë dhe rajon. Unë jam i bindur se projekti i hekurudhës, ai i autostradës, hekurudha pastaj që nxjerr në Portin e Adriatikut, gazit që vjen nga Maqedonia e Veriut, do ta bëjnë Kosovën brenda tri deri në pesë vite qendër kryesore në nivel të rajonit", deklaroi Hoti.

Hoti tha se për realizimin e projekteve do të investohen mbi 1 miliard euro.

Ai tha se kanë marrë zotime nga SHBA-ja se për realizimin e projekteve do të aplikohen politikat e vetë SHBA-së, për shembull për rregullimin e tregut të telekomunikacionit ose për të drejtat fetare apo të personave të caktuar.

"Na është kërkuar që për një vit ne të pauzojmë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo për njohje të reja. Ndërkaq, Serbia është obliguar që për një vit të stopojë çfarëdo kampanje kundër anëtarësimit të Kosovë në organizata ndërkombëtare dhe kundër njohjeve të reja të Kosovës. Vetë njohja sot nga Izraeli besoj se është shenjë e qartë e vendosmërisë së presidentit Trump dhe administratës së tij për të çuar përpara projektin final të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës", tha Hoti.

Hoti ka treguar se për njohjen e Kosovës nga Izraeli ka pasur edhe një bisedë telefonike me kryeministrin Netanyahu.

"Sapo përfundova një telefonatë me kryeministrin Netanyahu dhe u dakorduam që sa më shpejt të kemi ambasadën në shtetin e Izraelit", tha Hoti.

Vuçiq: Marrëveshje “bilaterale” me SHBA-në, Kosova “nuk është njohur”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se një marrëveshje bilaterale është arritur mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpi të Bardhë dhe se pala e tretë, Kosova, “nuk është njohur”.

Vuçiq u tha gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike në Shtëpi të Bardhë se ai i është mirënjohës presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ne kemi pasur një bisedë bilaterale të shkëlqyeshme dhe kjo është një gjë e madhe për Serbinë dhe për mua personalisht. Ne jemi pajtuar për gjëra të mira për vendin tonë. Ne nuk kemi asgjë për t’u frikësuar”, tha Vuçiq.

“Ajo çka është e rëndësishme për ne është se përmes marrëveshjes bilaterale, marrëdhëniet me një nga fuqitë më të mëdha në botë (SHBA) është përcaktues i drejtpërdrejtë për t’u marrë me ekonomi dhe disa çështje politike, mirëpo që nuk janë të dhimbshme për vendin tonë”, shtoi Vuçiq.

Vuçiq tha se është pajtuar të hapet në Beograd zyra e Fondit Zhvillimor të SHBA-së, që do të thotë, siç tha ai, një sinjal i fortë për agjencitë kreditore dhe investitorët.

“Amerikanët do të monitorojnë projektet e rëndësishme me ne, siç është ndërtimi i autostradës për në Prishtinë. Ne u pajtuam si do ta ndërtojmë hekurudhën dhe si ta lidhim Prishtinën me Serbinë qendrore, përmes Merdares (kalimit kufitar)”, tha Vuçiq.

Grenell dhe O’Brien: Marrëveshja është produkt i një pune të gjatë dhe të vështirë

Në një konferencë për media të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe nikoqiri i takimit dyditor Robert O'Brien, tha se Serbia dhe Kosova për vite të tëra kanë qenë të bllokuara në një vend dhe nuk mund të lëviznin, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka bërë diçka që është e jashtëzakonshme.

I pyetur nga gazetarët për kohëzgjatjen e pezullimit të fushatës për njohje nga ana e Kosovës dhe asaj për tërheqjen e njohjeve nga Serbia, O’Brien tha se mendon se kjo “do të jetë ‘ngrirje’ njëvjeçare”, për t’i dhënë hapësirë palëve që të diskutojnë një sërë çështjesh politike, në kuadër të dialogut të Brukselit.

"Ka shumë çështje që do të duhet të diskutohen. Partnerët tanë evropianë do të ofrojnë mbështetje për shumë çështje politike, anëtarësimin në Bashkim Evropian, njohjen reciproke. Ka shumë çështje që do të adresohen nga përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës. Ne do të mbështesim evropianët në trajtimin e këtyre çështjeve”, tha O’Brien.

Në të njëjtën konferencë, i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell, tha se për marrëveshjen është punuar për një kohë të gjatë dhe se ka qenë proces i vështirë.

"Politika ishte e mbërthyer. Të gjithë e dinë këtë. Për dekada, ka pasur bisedime dhe grindje për të njëjtat gjëra, të njëjtat fjalë. Ishte një makth", tha Grenell, duke shtuar se presidenti Trump u ka sugjeruar “që nëse ata po grinden për gjithçka politike, le të provojmë diçka tjetër”.

Grenell deklaroi se kjo është arsyeja pse ata së pari iu qasen çështjeve ekonomike.

"Nëse do të kishim bërë një gjë tipike politike, nuk do ta kishim këtë marrëveshje," vuri në dukje Grenell, duke vlerësuar se marrëveshja e arritur do të shtynte të dy ekonomitë dhe të gjithë rajonin përpara.

Ndërsa këshilltari presidentit Trump, njëherësh dhëndër i tij, tha se marrëveshja shënon një kapitull të ri që kjo amdinistratë e ka bërë për ta bërë botën më të sigurt.

BE: Mirëpresim palët për bisedime në Bruksel për një marrëveshje gjithëpërfshirëse

Bashkimi Evropian thotë se e ka në vëmendje nënshkrimin e dokumentit midis Beogradit dhe Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë.

Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri.
Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri.

“Ne mirëpresim palët në Bruksel këtë fundjavë dhe javën e ardhshme për të vazhduar punën tonë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me të gjitha çështjet e pazgjidhura në lidhje me marrëdhëniet e tyre, dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë të BE-së ", ka thënë Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell.

Reagimet në Prishtinë pas nënshkrimit të marrëveshjes

Nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, e ka përshëndetur presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi.

"Shpreh konsideratën më të lartë për lidershipin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentin Trump, që sot arriti të materializojë përpjekjen për të arritur mirëkuptim mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë për të mirën e paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes euroatlantike. E falënderoj edhe një herë Emisarin Special, Ambasadorin Grenell, për angazhimin e tij gjigant që ky proces të jetë produktiv, efikas dhe besoj edhe i implementueshëm", ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Ai ka thënë, po ashtu, se Kosova tani do të vazhdojë të punojë në zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja të punës si dhe për konsolidimin e mëtejshëm në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo u dëshmua edhe një herë sot, me nëshkrimin e marrëveshjes së negociuar nën drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Si kryetar i LDK-së, dëshiroj t'i falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos presidentin Trump për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Ai ka përgëzuar edhe kryeministrin Hoti dhe Qeverinë e Kosovës për, siç e ka cilësuar ai, “këtë arritje të madhe në interes të Republikës së Kosovës”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se e mirëpret marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, aty nuk është përfshirë çështja e Liqenit të Ujmanit.

“Miqtë e vërtetë gjithmonë e kuptojnë shqetësimin e drejtë. I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Kurse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), parti në opozitë, e ka cilësuar takimin dhe marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, si shans të humbur nga delegacioni kosovar, për marrëveshje finale të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri. Aq më tepër, deri në këtë moment, nuk është bërë publike përmbajtja e marrëveshjes”, thuhet në një komunikatë të PDK-së të publikuar në Facebook.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

“E quajtën 'Marrëveshje historike për njohje', ndërsa hoqën dorë nga pavarësia e Kosovës e na sollën marrëveshje të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shkruar anëtarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në rrjetin social Facebook.

Rama: Marrëveshja çon drejt njohjes përfundimtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mirëpritur marrëveshjen për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Rama ka thënë se kjo marrëveshje është vazhdim i rrugës drejt “njohjes përfundimtare”.

Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka theksuar se arritja e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë nuk paraqet akt “tradhtie”.

Një hap drejt stabilizimit të rajonit e ka cilësuar marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Në llogarinë e tij në Twitter, Gjukanoviq ka thënë që “Mali i Zi e përshëndet konfirmimin e orientimit të Serbisë dhe Kosovës, që përmes marrëveshjes së nënshkruar sot për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Uashington, po shkojnë drejt zgjidhjes së qëndrueshme në kuadër të dialogut që e udhëheqë BE-ja”.

Takimi, i cili u mbajt në Shtëpinë e Bardhë, është i dyti i thirrur nga Uashingtoni. Takimi i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një draft-aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit. Thaçi nuk ka marrë pjesë në takimin e së premtes.

Prapavija e pikave të marrëveshjes me Serbinë

Nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të dyja vendet, në janar dhe shkurt të këtij viti kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi, të cilat ende nuk kanë nisur të zbatohen.

Nënshkrimi i këtyre letrave të interesit është bërë në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ishte pezulluar, si pasojë e një vendimi të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik, 2020.

Autoritetet kompetente në Prishtinë, vite më parë, kanë pohuar se e kanë të përgatitur projektin për autostradën Prishtinë - Merdare - Nish, projekt ky që mund të vazhdohet në kuadër autostradës që aktualisht lidh Kosovën me Shqipërinë. Kurse në të ardhmen ajo mund t’i lidhë të tri vendet.

Ndërkaq, transporti hekurudhor në Kosovë paraqitet si një prej sistemeve më të dobëta në rajon. Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja nëpër të cilat kalojnë trenat e Kosovës. Linja Prishtinë - Hani i Elezit dhe ajo Prishtinë -Pejë. Të dy linjat bëjnë vetëm transportin e udhëtarëve.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.

Në kuadër të marrëveshjes për zonën “mini-Schengen”, mundësohet mes tjerash edhe zbatimi i lirisë së ofrimit të shërbimeve duke garantuar lëvizshmërinë e bizneseve dhe profesionistëve brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Mini-Schengeni po ashtu kërkon eliminimin e barrierave tregtare mes shteteve që kanë ndodhur përgjatë viteve.

Kosova nuk është nënshkruese e kësaj deklarate për shkak se kishte kundërshtuar mini-Schengenin duke e quajtur projekt të pakuptimtë ‘për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës’.

Liqeni i Ujmanit, një tjetër pikë e marrëveshjes, është më i madhi në Kosovë, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Ky liqen ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë.

Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1970-1984. Hidrocentrali prodhon 35 megavat për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër-Lepenc është 49 kilometra i gjatë dhe është ndërtuar me fonde të buxhetit të Kosovës.

Kanali Ibër - Lepenci kalon nëpër territorin e pesë komunave - Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, duke kaluar nëpër 33 vendbanime rurale dhe dy qytete.

Ky liqe menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër-Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG