Ndërlidhjet

"SHBA-ja nuk ka plan sekret për Kosovën dhe Serbinë"


Shtëpia e Bardhë
Shtëpia e Bardhë

Ende nuk është vendosur nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të marrë pjesë në takimin mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, tha në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë.

"Ende nuk është përcaktuar nëse presidenti do të marrë pjesë fizikisht në këto takime", tha zyrtari amerikan, duke shtuar se presidenti Trump, tashmë është në dijeni të asaj për të cilën pala amerikane është e interesuar, e që është vendosja e projekteve ekonomike si prioritet.

Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret, kur bëhet fjalë për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë.

"Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret; ne nuk kemi asgjë për të kërkuar. E vetmja gjë që do të kërkojmë është që nëse ata duan ndihmë nga SHBA-ja, nëse duan zhvillim, atëherë ata kanë nevojë për përparim në fushën ekonomike. Ne nuk duam të humbasim paratë tona", tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 4 shtator në Uashington, me ftesë nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane këmbënguli se temat e bisedës do të jenë të natyrës ekonomike, duke përmendur çështjen e hekurudhave, linjës ajrore dhe autostradave midis dyja vendeve.

"Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord tashmë - për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik ", tha ai, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.

Bisedimet, sipas tij, do të mbahen të enjten dhe të premten.

"Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë", tha ai.

"Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë të premten. Kjo është art, jo shkencë. Ne duhet të shohim pozicionin e të dyja palëve, nëse ata janë të gatshëm të kalojnë në zhvillimin ekonomik, në mënyrë që të tërheqë bizneset dhe industrinë amerikane dhe evropiane", shtoi zyrtari i lart amerikan.

Zyrtari i administratës amerikane gjithashtu tha se tema e shkëmbimit të territoreve nuk do të diskutohet, sepse, sipas tij, këto nuk janë tema që lidhen me zhvillimin ekonomik.

"Shtetet e Bashkuara ua lënë në dorën e palëve këto diskutime. Sërish e them, për ta bërë më të qartë, unë kurrë nuk kam qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Diskutimet kanë qenë vetëm ekonomike, dhe kjo është ajo që po përqendrohemi, pra në normalizimin ekonomik", tha ai.

Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për "çdo çështje" për të cilën palët bien dakord.

"Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej", tha ai.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë për të komentuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, në letrën dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, më 2018 ku thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të "ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje që do të balancoj interesat e Kosovës dhe Serbisë", dhe nëse kjo nënkupton një lloj kompromisi, zyrtari amerikan tha se "disa fjalë nuk duhen analizuar shumë".

"Nuk ka asnjë kuptim sekret për fjalën balancë, kjo thjesht do të thotë 'e drejtë'. Ne nuk kemi një plan sekret, nuk ekziston ndonjë diskutim për atë fjalë. Kjo thjesht nënkupton atë nëse palët do të bien dakord për diçka. Palët do të nënshkruajnë diçka që ata mendojnë se është e drejtë, dhe do të thosha të ekuilibruar", tha ai.

Sipas tij, "nëse palët mendojnë se diçka është e balancuar, nëse palët mendojnë se po marrin diçka, më shumë sesa ajo nga e cila heqin dorë, atëherë ata do të nënshkruajnë".

"Vendimi ynë është të nxisim të dyja palët dhe të themi atë që është e rëndësishme - zhvillimi ekonomik dhe vendet e punës për të rinjtë", shtoi zyrtari i lartë i administratës amerikane.

Delegacioni i Kosovës tashmë ka arritur në Uashington.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, paralajmëroi takime të nivelit të lartë në Uashington, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, disa ditë para se të mbahen bisedimet me delegacionin serb në Shtëpinë e Bardhë.

"Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë herë", shkroi Hoti në rrjetin social Facebook.

Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian.


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 29 gusht se Serbia ka pranuar agjendën zyrtare për negociatat me Kosovën në Uashington, më 4 shtator, dhe se në të është vetëm një "pikë që është e papranueshme".

Presidenti i Serbisë nuk specifikoi se për çfarë bëhet fjalë, por vlerësoi se pret befasi dhe negociata të vështira.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.


Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.
Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Palët nuk kanë arritur ndonjë përparim. Delegacioni i Kosovës ka insistuar se po negociohen pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të përmbajë njohjen e dyanshme ndërkaq pala serbe ka thënë se ky dialog është për çështje teknike.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak tha të hënën (31 gusht) se BE-ja do të pranojë ndihmën e çdo pale të tretë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nëse ofron një zgjidhje konkrete dhe theksoi se kolegët e tij nga Shtetet e Bashkuara vetëm e kanë informuar për takimin e radhës, në Shtëpinë e Bardhë.

"Ne nuk jemi këshilluar për datën ose përmbajtjen e takimit, por vetëm jemi informuar se takimi do të mbahet dhe se do të jetë i natyrës ekonomike. Nuk do të jetë pjesë e procesit, por vetëm një takim dhe nuk kam asnjë arsye të dyshoj në këtë", tha ai.

XS
SM
MD
LG