Ndërlidhjet

Transporti i "izoluar" hekurudhor i Kosovës 


Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, i cili shërben si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, ka thënë se Kosova dhe Serbia do të arrijnë shumë shpejt një marrëveshje për transportin hekurudhor.

Sipas tij, kjo do të jetë marrëveshja e dytë ekonomike mes të dyja vendeve pas marrëveshjes për transportin ajror, që u arrit më 29 janar në Berlin, në bazë të së cilës pritet që të lëshohet në qarkullim një linjë ajrore direkte mes Prishtinës dhe Beogradit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e përshëndet synimin për të rivendosur lidhjet hekurudhore midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që, sipas tij, shënon "një tjetër hap të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë" të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Thaçi i bëri këto komente në Twitter, në ditën kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi arritjen e një marrëveshjeje për linjën hekurudhore midis Beogradit dhe Prishtinës.

CILA ËSHTË GJENDJA E TRANSPORTIT HEKURUDHOR NË KOSOVË?

Transporti hekurudhor në Kosovë është një nga sistemet më të dobëta në rajon. Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja, nëpër të cilat kalojnë trenat e Kosovës. Linja Prishtinë - Hani i Elezit, që operon një herë në ditë dhe një biletë kushton 2.5 euro, si dhe linja që qarkullon dy herë në ditë në relacionin Prishtinë - Pejë, për të cilën një biletë njëdrejtimëshe kushton 3 euro. Të dy linjat bëjnë vetëm transportin e udhëtarëve. Numri i udhëtarëve ka shënuar rënie në dhjetë vjetshin e fundit.

Në vitin 2007 me tren kanë udhëtuar 417,000 udhëtarë, kurse në vitin 2018 trenin e kanë përdorur 120,000 udhëtarë. Trenat e Kosovës sot nuk lidhen me asnjë linjë ndërkombëtare, ndërkohë që gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, qytetarët e Kosovës e kanë pasur mundësinë që të udhëtojnë duke shfrytëzuar hekurudhat e Kosovës për në shumë vende perëndimore, pasi trenat e Kosovës kanë qenë të lidhur me linjat ndërkombëtare.

TRENAT DHE SERBIA

Linja që dikur lidhte Kosovën me Serbinë, aktualisht nuk është funksionale për shkak të tensioneve të vazhdueshme politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Që nga vitit 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, linja që lidhte Kosovën me Serbinë përmes Mitrovicës, nuk është funksionale. Por, kjo nuk e ka penguar Serbinë që të ofrojë shërbime hekurudhore brenda territorit të Kosovës.

Trenat e Hekurudhës së Serbisë, operojnë brenda territorit të Kosovës, pavarësisht se konsiderohen ilegalë nga autoritetet në Prishtinë. Dy herë në ditë trenat e “Srbija Voz”, operojnë nga qyteti i Kraljevës në Serbi për në Mitrovicë të Veriut. Operimi i trenave të Hekurudhës së Serbisë brenda territorit të Kosovës vazhdon, pavarësisht një vendimi të vitit 2017 të lëshuar nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës, që i shpallë ilegalë trenat serb që operojnë në territorin e Mitrovicës Veriore.

Tren nga Serbia duke operuar në veri të Kosovës.
Tren nga Serbia duke operuar në veri të Kosovës.

SHERRI ME "TRENIN SERB”

Në fillim të vitit 2017, Serbia tentoi ta dërgonte një tren në Kosovë, në të cilin ishte ngjyrosur flamuri serb dhe shkruante në shumë gjuhë botërore “Kosova është Serbi”. Tentimi i autoriteteve serbe për ta futur këtë tren në territorin e Kosovës, pati tensionuar edhe më tepër situatën mes Prishtinës dhe Beogradit.

Institucionet e Kosovës dërguan në Mitrovicë Veriore forca të shumta policore me qëllim që me çdo kusht ta parandalonin futjen e trenit. Treni u ndal nga Policia e Kosovës dhe u kthye nga ishte nisur.

*Video nga arkivi: Kriza politike vë “në gjumë” linjat e trenave

Kriza politike vë “në gjumë” linjat e trenave
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

MODERNIZIMI I TRANSPORTIT HEKURUDHOR

Hekurudhat e Kosovës nuk janë mirëmbajtur si duhet që nga fillim i viteve '90, kur kanë filluar luftërat në ish-Jugosllavi. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë filluar edhe planet për të bërë investime në modernizimin transportit hekurudhor. Investimet parashihet që të bëhen në atë që njihet si “Korridori i 10-të”, përkatësisht hekurudha që shkon nga kufiri më Maqedoninë e Veriut, përshkon Kosovën dhe kalon në Serbi për ta lidhur Kosovën me vendet e Evropës Perëndimore.

Tren i TrainKos-it
Tren i TrainKos-it

Linja do të jetë e gjatë 148 kilometra. Sipas ekspertëve, kjo linjë parashihet të ketë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës për shkak të transportit të udhëtarëve dhe mallrave. I gjithë projekti do të kushtojë rreth 200 milionë euro dhe pritet të përfundojë në vitin 2024.

Paratë për modernizmin e “Korridorit të 10-të” parashihet të jenë kredi që Kosova do t’i marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe donacione nga Bashkimi Evropian.

TRANSPORTI I MALLRAVE

Trenat e Kosovës në të kaluarën kanë qenë ndër transportuesit më të mëdhenj të mallrave. Transportimi i mallrave për në Kosovë është bërë përmes linjës që ka lidhur Kosovën me Maqedoninë e Veriut, si dhe asaj që ka lidhur Kosovën me Serbinë. Mirëpo, në 30 vjetët e fundit, transporti i mallrave ka shënuar rënie për shkak edhe të mos funksionimit të rregullt të linjave hekurudhore dhe problemeve politike që kanë afektuar qarkullimin normal të trenave.

Trenat e Kosovës
Trenat e Kosovës

Aktualisht, kompania "Ferronikeli" që gjendet në komunën e Gllogovcit, e cila bën prodhimin e nikelit, është kompania që përdorë më së shumti hekurudhat e Kosovës. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2018 hekurudhat e Kosovës kanë transportuar 479 mijë tonë mallra.

GJENDJA E TRENAVE DHE HEKURUDHAVE

Lokomotivat dhe vagonët janë pa mirëmbajtje të duhur dhe shumë të vjetruar. Hekurudhat, po ashtu, janë në gjendje të keqe. Në shumë vende të Kosovës nuk ka fare laura në pikat ku kryqëzohen hekurudhat me rrugët që përdoren për qarkullim rrugor. Kjo ka bërë që shumë shpesh të ndodhin aksidente me fatalitet.

HISTORIKU I HEKURUDHËS SË KOSOVËS

Ndërtimi i hekurudhës së Kosovës filloi në vitin 1874. Vija e parë hekurudhore ishte në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë. Në vitin 1931 vazhdoi ndërtimi i kësaj linje në relacionin Mitrovicë – Leshak, më 1934 Fushë Kosovë – Prishtinë, më 1936 Fushë Kosovë – Pejë, më 1949 Prishtinë – Podujevë – Livadhi dhe më 1963 Klinë – Prizren. Hekurudha e Kosovës ka një gjatësi prej rreth 333 kilometrash.

XS
SM
MD
LG