Ndërlidhjet

Brenda katër vitesh, Kosova me hekurudha moderne


shutterstock

Deri në vitin 2022, Kosova do ketë të përfunduar rrjetin modern hekurudhor që lidh atë me shtet e rajonit dhe më gjerë.

Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve, në muajin korrik pritet të fillojë rehabilitimi i rrjetit hekurudhor, Fushë Kosovë - Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, kurse më pas do fillojë rehabilitimi i hekurudhave Fushë Kosovë – Leshak, në kufirin me Serbinë.

Koordinatori për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se për këtë projekt mjetet financiare janë siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kurse një shumë më e vogël do të ndahet nga Qeveria e Kosovës.

“Rrjeti hekurudhor do të jetë i rindërtuar për shkak se qysh tash kemi marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe institucionet tjera relevante që do të investojmë mbi 209 milionë euro në rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, ka thënë Abrashi.

Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës, më herët kanë shprehur interesimin për ndërtimin e linjave hekurudhore Kosovë - Shqipëri.

Për projektet rajonale ishte diskutuar edhe në Samitin e Ballkanit Perëndimor që është mbajtur vitin e kaluar në Itali, në kuadër të të cilit liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit për vendet e këtij rajoni.

Kurse, marrëveshja për projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore ‘10’, ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, është nënshkruar në fillim të këtij viti.

Projekti hekurudhor ‘10’ i Kosovës është pjesë e rrjetit hekurudhor kryesor të Ballkanit Perëndimor. Një zgjerim i Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit që është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Bashkimit Evropian për të promovuar lidhjen e transportit në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë.

Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara. Për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, shpejtësia e trenave mund të zhvillohet vetëm në 50 kilometra në orë.

Për shkak të kësaj gjendjeje, ekspertë të kësaj fushe konsiderojnë se integrimi rajonal përmes korridoreve hekurudhore është shumë i rëndësishëm për shkak se do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Sadullah Avdiu, profesori i lëndës "Projektimi i Hekurudhave", në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, ka thënë se integrimi rrjetit hekurudhor është i domosdoshëm, pasi rrjeti hekurudhor i Kosovës nuk duhet të jetë i izoluar nga vendet e Evropës dhe më gjerë.

Madje sipas tij, transporti hekurudhor qoftë i udhëtarëve apo mallrave është dukshëm më i lirë dhe më i sigurt se transporti rrugor, dhe për këtë nevojitet modernizimi i infrastrukturës dhe mjeteve transportuese.

"Ky projekt është i kushtueshëm, por që është domosdoshmëri. Përveç modernizimit të infrastrukturës nevojiten lokomotiva të reja dhe vagonë të rinj”, ka thënë Avdiu për Radion Evropa e Lirë.

Për sigurimin e lokomotivave dhe vagonëve të udhëtarëve, Qeveria e Kosovës, do angazhojë operatorë privatë, ka thënë Gazmend Abrashi.

“Ekziston mundësia që një operator tjetër të jetë pronar i trenave, vagonëve dhe lokomotivës dhe ai do të paguan një përqindje të caktuar pronarit të infrastrukturës në këtë rast 'Infraskosit'. Më këtë rast t'i lejojmë mundësi që edhe operatorët privat të marrin pjesë në këtë projekt”, shprehet Abrashi.

Në Kosovë operojnë dy kompani që merren më operimin dhe menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore. “Trainkos” është përgjegjëse për operimet me trena si në transport të mallrave ashtu edhe të udhëtarëve, kurse kompania trjetër “Infrakos” merret me infrastrukturën hekurudhore.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë - Pejë, Hani i Elezit - Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë - Shkup - Prishtinë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG