Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri - që ndodhet në paraburgim - në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

SHIKONI EDHE:

Nëntë të arrestuar për krime lufte në Zubin Potok lidhur me rastin e “Grupit të Intelektualëve”

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

SHIKONI EDHE:

Të akuzuarit për Masakrën e Reçakut, në Serbi promovojnë mohimin e krimit

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.