5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.
Në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës, pakënaqësitë me koston e jetesës, shërbimet publike dhe qeverisjen kanë nxjerrë mijëra qytetarë në rrugë.
Disa nga këto protesta janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Ndërkohë, në rrjetet sociale janë përhapur lajme të rreme, përfshirë përmbajtjet e gjeneruara me inteligjencë artificiale, duke e mjegulluar realitetin e asaj që ndodhë nëpër hapësirat protestuese.
Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Adelina Hasani, udhëheqëse e hulumtimeve në institutin KIPRED, thotë se neglizhimi i kërkesave të shprehura në mënyrë paqësore dhe përdorimi joproporcional i forcës nga policia kontribuojnë në përshkallëzimin e protestave.
Sipas saj, kjo ndodhi edhe në Shqipëri, ku protestat paqësore të Flamingos u pasuan nga protestat e studentëve, të cilat u përshkallëzuan në dhunë. Hasani e lidh këtë përshkallëzim edhe me mënyrën se si qeveritë u përgjigjen protestuesve.
“Kur mbyllen rrugët e dialogut dhe përballesh me një lloj arrogance, normalisht që situata shkon duke u përshkallëzuar”, thotë ajo.
Hasani vlerëson se përdorimi i dhunës ndaj protestuesve ia cenon legjitimitetin pushtetit, edhe kur ai ka shumicën e votave, pasi, sipas saj, “nuk mund të qeveriset me dhunë”.
▶️ Shiko podkastin:
🎧 Dëgjo podkastin:
Your browser doesn’t support HTML5
Kur kthehen pakënaqësitë në një protestë të dhunshme?
Dezinformimi mund të nxisë dhunën dhe apatinë
Përveç përplasjeve në rrugë, protestat po shoqërohen edhe me lajme të rreme dhe përmbajtje të manipuluara me inteligjencë artificiale në rrjetet sociale.
Hasani thotë se dezinformimi mund të normalizojë narrativat ekstremiste dhe të ndikojë në mënyrën se si njerëzit i perceptojnë protestat dhe kërkesat e protestuesve.
Ajo përmend rastin e një fotografie të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet një grua shtatzënë në protestat në Shqipëri. Pamja u shpërnda gjerësisht, duke përcjellë një mesazh emocional për të ardhmen e vendit.
Sipas Hasanit, përmbajtje të tilla mund të ndikojnë në reagimet e individëve dhe të kontribuojnë në përshkallëzimin e situatave.
Por ndikimi nuk përfundon aty.
Ajo thotë se kur shpërndahen shumë lajme të rreme edhe përdoret inteligjenca artificiale krijohet edhe “apatia politike, kur nuk beson më asgjë prej cilitdo kënd që vjen” dhe sipas saj kjo e shkakton izolimin e personit.
Ndërhyrjet e huaja në protesta
Duke folur për ngjashmëritë mes protestave në Shqipëri, Serbi dhe vende të tjera të Evropës, Hasani thotë se ato nuk dëshmojnë domosdoshmërisht për një organizim apo agjendë të përbashkët.
Sipas saj, pakënaqësitë e të rinjve burojnë nga problemet e brendshme, ndërsa rrjetet sociale ua lehtësojnë të përdorin metodat e njëjta të protestimit.
“Unë nuk e mendoj që është një agjendë e përbashkët e tyre, mirëpo sot është shumë më lehtë të shohësh çka po ndodh në Francë edhe si mund të imitosh metodat e tyre të protestës”, thotë ajo.
Sipas Hasanit, aktorë të jashtëm mund të përpiqen t’i shfrytëzojnë këto pakënaqësi për qëllimet e tyre politike, pa qenë domosdoshmërisht organizatorë të protestave.
Duke iu referuar akuzave të kryeministrit Edi Rama ndaj Rusisë dhe Iranit për nxitjen e trazirave në Shqipëri, Hasani thotë se kërkesat e studentëve burojnë nga problemet e brendshme dhe nuk duhet të paraqiten si pjesë e një agjende të huaj.
“Ata [protestuesit] po flasin për disa kërkesa që janë shumë legjitime, po flasin për korrupsionin, po flasin për nepotizmin”, thekson ajo.
Sipas Hasanit, një nga mënyrat për të ndikuar në perceptimin e protestave është edhe përdorimi i narrativave që i paraqesin ato si lëvizje kundër Bashkimit Evropian, ndonëse kërkesat e protestuesve lidhen me probleme të brendshme.
Ajo thotë se protestat e të rinjve mund të nxisin një reflektim më të gjerë mbi demokracinë dhe zhvillimin.
“Zhvillimi nuk është vetëm objekte të bukura, po zhvillimi është një jetë e dinjitetshme me të drejta të barabarta sociale, ekonomike”, përfundon Hasani.
Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.