FSK-ja dhe Policia demonstrojnë kapacitetet në 18-vjetorin e pavarësisë
Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri me kapacitete të plota.
Procesi i transformimit të FSK-së ka nisur në vitin 2018 dhe, sipas planifikimeve zyrtare, pritet të përfundojë në vitin 2028.
FSK-ja ka përmbushur tashmë objektivin për 5.000 trupa të rregullta.
Sipas zyrtarëve të Mbrojtjes, ende mbetet për t’u plotësuar komponenti rezervë, i cili parashihet të përbëhet nga 3.000 pjesëtarë.
FSK-ja ka marrë pjesë në disa misione dhe aktivitete rajonale e ndërkombëtare, kryesisht me karakter humanitar, trajnues dhe paqeruajtës, duke forcuar rolin e saj në sigurinë ndërkombëtare.
Aktualisht, FSK-ja po përgatitet për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën - një projekt i nisur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
"FSK-ja është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial", tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së parakalimit.
Përbërja e plotë e armatimit të FSK-së mbetet e paqartë, ndërsa pajisjet e konfirmuara zyrtarisht përfshijnë automjete të blinduara dhe dronë.
Sipas zyrtarëve të FSK-së, armatimi dhe pajisjet janë në përputhje me standardet e NATO-s.
Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, duke u trefishuar nga 67.3 milionë euro në vitin 2021 në 207.8 milionë euro vitin e kaluar.
Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova ka forcuar ushtrinë me armatim modern, municion të mjaftueshëm dhe lokacione të reja strategjike.
Për Policinë e Kosovës, që numëron rreth 10.000 pjesëtarë, Kurti tha se ajo "vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme në vend".