Pentagoni përditëson bilancin e viktimave nga lufta me Iranin

Pjesëtarë të Ushtrisë amerikane duke transferuar eshtrat e katër ushtarëve të vrarë së voni në luftën me Iranin, në bazën ajrore Dover, në shtetin Dellauer, më 22 korrik.

Pentagoni rishikoi bilancin zyrtar të viktimave nga lufta me Iranin, duke përditësuar numrin e ushtarëve amerikanë të vrarë dhe të plagosur gjatë konfliktit.

Sipas shifrave më të fundit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, 14 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane janë vrarë dhe mbi 400 janë plagosur.

Megjithatë, Pentagoni i ka ndryshuar disa herë këto shifra gjatë javëve të fundit, duke nxitur kritika për mënyrën se si klasifikohen dhe raportohen plagosjet në luftime.

Çështja ka tërhequr vëmendje edhe për shkak se Departamenti i Mbrojtjes ka dhënë pak informacione publike për konfliktin.

SHIKONI EDHE:

Pentagoni: Gati 100 ushtarë amerikanë u plagosën nga sulmet e Iranit

Në një intervistë për gazetën The Guardian, ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta, kritikoi mënyrën se si Pentagoni ka raportuar për viktimat, duke akuzuar administratën se nuk i ka dhënë publikut një pasqyrë të plotë për koston njerëzore të luftës.

Panetta tha se ka pasur “një përpjekje të qëllimshme... për t’ua fshehur informacionin qytetarëve amerikanë”, duke e cilësuar këtë si “një qasje të turpshme” ndaj informimit të publikut për pasojat e luftës.

SHIKONI EDHE:

Irani thotë se ka ndalur sulmet ndaj aleatëve të Uashingtonit, teksa SHBA-ja pezullon bombardimet

Javën e kaluar, Pentagoni njoftoi se rreth 100 ushtarakë amerikanë ishin lënduar nga sulmet hakmarrëse të Iranit pas armëpushimit.

Sipas tij, rreth 96 për qind e tyre u kthyen në detyrë pas trajtimit ambulantor dhe, për këtë arsye, nuk u klasifikuan zyrtarisht si të plagosur sipas kritereve të raportimit të Pentagonit.

Departamenti i Mbrojtjes thotë se vazhdon ta rishikojë bilancin e viktimave, derisa përfundojnë vlerësimet shtesë mjekësore.

SHIKONI EDHE:

Trump thotë se Irani është “shumë më serioz” në bisedime

Lufta mes Shteteve të Bashkuara, të mbështetura nga Izraeli, dhe Iranit nisi në fund të shkurtit, pasi Uashingtoni dhe Tel Avivi ndërmorën sulme ndaj objektivave iraniane, me qëllimin e deklaruar për të penguar programin bërthamor të Teheranit.

Konflikti u shoqërua me sulme të ndërsjella në rajon dhe kërcënime ndaj trafikut detar në Gjirin Persik.

Pas një armëpushimi të shkurtër, luftimet rifilluan në fillim të korrikut, pasi të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.