Walker: Perëndimi s’duhet t’i trajtojë Rusinë, Kinën dhe Iranin si sfida të izoluara

Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, dhe ai rus, Vladimir Putin, gjatë takimit në margjinat e Samitit të Ogranizatës për Bashkëpunim të Shangait. Kinë, shtator 2025.

Vendimi i fundit i Gjermanisë për ta thirrur në takim për sqarime ambasadorin kinez, pas raportimeve se ushtarë rusë mund të jenë trajnuar në Kinë, ka rikthyer vëmendjen te mbështetja që Pekini i jep luftës së Moskës kundër Ukrainës.

Për Christopher Walker, nënkryetar i Qendrës për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), trajnimet e raportuara nuk duhet të shihen si një zhvillim i izoluar. Përkundrazi, ai argumenton se ato pasqyrojnë një model më të gjerë bashkëpunimi mes qeverive autoritare, të cilat po bashkërendojnë gjithnjë e më shumë veprimet e tyre në sferën diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe atë të informacionit, edhe pa pasur një aleancë formale.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker flet për mbështetjen e Kinës ndaj luftës së Rusisë, raportet që po zhvillohen mes Moskës, Pekinit dhe Teheranit, si dhe arsyen pse demokracitë kanë nevojë për një strategji të qëndrueshme dhe afatgjatë për të konkurruar me fuqitë autoritare.

Radio Evropa e Lirë: Gjermania e ka thirrur ambasadorin kinez në takim pas raporteve të shërbimeve të inteligjencës se Pekini mund të ketë trajnuar ushtarë rusë. A përbën kjo një zhvillim të rëndësishëm?

Christopher Walker: Mendoj se është e drejtë të thuhet se Kina i ka ofruar mbështetje sistematike përpjekjeve luftarake të Rusisë në Ukrainë, prandaj nuk duhet të jetë ndonjë befasi e madhe që autoritetet kineze me sa duket kanë vendosur të ofrojnë edhe këtë lloj mbështetjeje për luftën e Rusisë. Siç kanë theksuar edhe analistë të tjerë, mbështetja e Kinës ka qenë vërtet vendimtare për luftën e Rusisë.

SHIKONI EDHE:

Ekspertët amerikanë: Boshti Rusi-Kinë-Iran paraqet sfidë të madhe

Radio Evropa e Lirë: A shkon tani roli i Pekinit shumë përtej mbështetjes diplomatike, duke u bërë një partner kyç ekonomik dhe logjistik për Moskën?

Christopher Walker: Mendoj se Kina është përpjekur t’i ketë të dyja anët, duke sinjalizuar përmes kanaleve të saj të informacionit dhe propagandës se synon të veprojë si një ndërmjetëse e paanshme ose si një vëzhguese neutrale, por veprimet dhe mbështetja e saj janë në kundërshtim me këtë pretendim. Kjo vlen si për lajmet e fundit që lidhen me mbështetjen e mundshme për ushtarët rusë, të cilët u trajnuan dhe më pas shkuan për të luftuar në Ukrainë, ashtu edhe për mbështetjen ekonomike, furnizimin me pjesë rezervë, përkrahjen diplomatike si dhe mbështetjen përmes informacionit dhe propagandës.

Në njëfarë mënyre, kjo është pjesë e një pakete të mbështetjes që Kina ia ka ofruar Rusisë praktikisht që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës [në shkurt 2022]. Për më tepër, raporti që është zhvilluar mes Rusisë dhe Kinës daton edhe më herët. Mund të argumentohet se ajo nis me ardhjen e Xi Jinpingut në postin e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Kinës dhe në pozitat e tjera më të larta drejtuese në vitin 2012, si dhe me rikthimin e Vladimir Putinit në Presidencën ruse pothuajse në të njëjtën periudhë.

Me kalimin e kohës, ata ndërtuan një raport shumë të ngushtë... Ata janë takuar ndoshta rreth 70 herë, qoftë ballë për ballë apo virtualisht, që nga rikthimi i Putinit në pushtet dhe marrja nga Xi Jinping e pozitës më të lartë drejtuese në Kinë. Ata vërtetë kanë arritur atë që ne e kemi përshkruar si një vetëdije të përbashkët në mënyrën se si i qasen botës.

SHIKONI EDHE:

Senatori Tillis paralajmëron se bota po përballet me ringjalljen e “Boshtit të Ligësisë”

Radio Evropa e Lirë: Një raport i fundit i CEPA-s shqyrton raportet që po evoluojnë mes Rusisë, Kinës dhe Iranit. Deri në çfarë mase këto qeveri kanë zhvilluar një partneritet të koordinuar strategjik dhe si ndikon kjo te sistemi i aleancave të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara?

Christopher Walker: Mund të mos jetë rasti që ato janë të sinkronizuara në një masë të madhe. Mendoj se ajo ku kanë arritur është një marrëdhënie funksionale, në të cilën i ofrojnë njëra-tjetrës mbështetje sipas nevojës, mes këtyre fuqive të ndryshme.

Siç theksojmë në raportin tonë, ky bashkëpunim nuk është gjithmonë i pandërprerë dhe as i pakufizuar. Por, në aktiviteteve që lidhen me mbështetjen ekonomike, energjetike ose në disa raste, ushtarake – nuk mund të harrojmë që Irani e ka furnizuar Rusisë dronë në shkallë të gjerë, të cilët janë përdorur për të sulmuar Ukrainën për një periudhë të gjatë kohore.

Mendoj se të gjitha këto regjime e shohin përfitimin e bashkëpunimit të ngushtë me njëra-tjetrën. Në shumë aspekte, sidomos në krahasim me situatën e 15 apo 20 vjetëve më parë, besoj se kjo marrëdhënie është zhvilluar në një mënyrë që nuk ishte parashikuar, deri në atë pikë sa regjimet në Teheran, Moskë dhe Pekin bashkëpunojnë në mënyrë mjaft efektive, edhe nëse veprimet e tyre teknikisht nuk janë të sinkronizuara.

Radio Evropa e Lirë: Raporti juaj thekson se këto qeveri shpesh bashkëpunojnë pa ndonjë lloj strukture formale institucionale, që ka në NATO. A duhet që politikanët ta shohin këtë fleksibilitet si një dobësi, apo do të ishte gabim nëse supozohet se mungesa e një aleance formale ua kufizon aftësinë për të bashkëpunuar në mënyrë efektive?

Christopher Walker: Në njëfarë mënyre, mund të thuhet se është pak nga këto të dyja.

Mendoj se këto regjime, pjesërisht sepse nuk gëzojnë pëlqimin demokratik të popullsive të tyre, i frikësohen vetë qytetarëve të tyre. Të mos harrojmë se regjimi iranian, gjatë muajve të fundit ka vrarë mijëra e mijëra qytetarë. Rusia i shtyp qytetarët e saj në forma të ndryshme dhe ka dhjetëra mijëra prej tyre që zgjedhin të largohen nga vendi. Edhe Kina po ashtu udhëheq atë që mund të konsiderohet aparati më efikas teknologjik autoritar në botë.

Pra, këto janë vende, udhëheqësit e të cilave qartazi i frikësohen publikut të tyre. Në këtë kuptim, ato janë të brishta.

Por, në të njëjtën kohë do të ishte e papërgjegjshme që SHBA-ja dhe shoqëritë e tjera të lira ta nënvlerësonin modelin e bashkëpunimit që është zhvilluar mes këtyre shteteve. Në njëfarë kuptimi, ato po i ofrojnë njëra-tjetrës kapacitete shtesë për reagim të shpejtë [aftësinë për të ofruar mbështetje menjëherë kur lind nevoja], si dhe përfitimet që vijnë nga bashkëpunimi – përfitime që edhe vendet demokratike duhet të synojnë t'i arrijnë.

Radio Evropa e Lirë: Disa politikanë argumentojnë se varësia ekonomike gjithnjë e më e madhe që ka Rusia nga Kina mund të krijojë, me kalimin e kohës, tensione në raportet mes tyre, duke e shndërruar Moskën në partneren më të dobët. A e shihni këtë jobalancë si një dobësi që Perëndimi mund ta shfrytëzojë apo kundërshtimi i përbashkët ndaj SHBA-së ka gjasa t’i tejkalojë këto dallime?

Christopher Walker: Edhe në këtë rast, mendoj se tabloja aktuale e raporteve mes udhëheqjeve në Pekin dhe Moskë tregon se armiqësia ndaj Perëndimit dhe dëshira për ta parë SHBA-në të dobësuar ekzistojnë dhe mendoj se do të jenë të qëndrueshme.

SHIKONI EDHE:

Çfarë do të thotë lufta në Iran për Kinën dhe Rusinë?

Në të njëjtën kohë, Vladimir Putin po luan bixhoz me të ardhmen e vendit të tij, pjesërisht duke e shndërruar Rusinë në një partnere shumë më të dobët dhe të varur në marrëdhënien me Kinën.

Prandaj, nëse kjo krijon përçarje brenda elitave udhëheqëse në Rusi, mendoj se kjo është e dëshirueshme në këtë kontekst. Megjithatë, të mbështetesh në idenë se zhvillimet do të ndodhin shpejt në të ardhmen e afërt do të ishte e pamatur dhe e papërgjegjshme sepse këto regjime synojnë të qëndrojnë në pushtet për gjithë jetën. Ato nuk kanë asnjë synim që të largohen nga pushteti dhe veprojnë në përputhje me këtë ide.

Sipas meje, kjo kërkon një angazhim afatgjatë dhe të qëndrueshëm nga Perëndimi dhe SHBA-ja për t’u përballur me këta rivalë. Këta kundërshtarë po investojnë në shumë nivele, me synimin për ta dobësuar SHBA-në. Mendoj se ne dhe aleatët tanë duhet të jemi të përgatitur për këtë konkurrencë, në planin afatgjatë.

Radio Evropa e Lirë: Përtej bashkëpunimit ushtarak dhe ekonomik, si Pekini ashtu edhe Moska vazhdojnë të investojnë shumë në media globale dhe aktivitete të informacionit. Analistët i kanë përshkruar shpesh strategjitë informative të Rusisë dhe Kinës si të ndryshme, ku Rusia përqendrohet te destabilizimi, ndërsa Kina promovon një narrativ afatgjatë për qeverisjen dhe rendin ndërkombëtar. Megjithatë, a po ndodh gjithnjë e më shumë që përpjekjet e tyre në fushën e informacionit po e përforcojnë njëra-tjetrën?

Christopher Walker: Mendoj se raporti që ka evoluuar gjatë një periudhe të gjatë kohore mes aparateve të informacionit të Rusisë dhe Kinës tani ka pika të konsiderueshme të ngjashme, qoftë kjo e bërë qëllimshëm apo është thjesht rastësi. Në secilin rast, ne duhet ta marrim këtë seriozisht.

Për shembull, sot në Amerikën Latine ka një mbivendosje të dukshme të narrativëve që promovohen si nga mediat shtetërore kineze, ashtu edhe nga ato ruse. Gjatë viteve të fundit, këta narrativë kanë përforcuar po ashtu mesazhet që vijnë nga regjimet në Karakas dhe Havana.

Në këtë kuptim, ekziston një aktivitet i koordinuar i një grupi mediash nga burime autoritare që operojnë në vende spanjishtfolëse në mbarë Amerikën Latine.

Ne shohim variante të ngjashme të këtij fenomeni edhe në disa pjesë të Afrikës Sub-Sahariane, si dhe në Lindjen e Mesme.

Ne duhet ta marrim këtë seriozisht sepse nëse nuk konkurron është pothuajse e pashmangshme që pala që është në lojë, investon burime dhe angazhohet më shumë, dhe të ketë përparësi.

Këta narrativë, të cilët përfshijnë vënien vazhdimisht në pikëpyetje të prestigjit të SHBA-së, shfaqen në forma të ndryshme si nga mediat shtetërore ruse, ashtu edhe nga ato kineze. Mendoj se kjo është në disfavor strategjik të SHBA-së dhe meriton më shumë vëmendje, si dhe kërkon një angazhim të vazhdueshëm.

Radio Evropa e Lirë: Sa të suksesshme kanë qenë Rusia dhe Kina në formësimin e opinionit publik në rajone si Afrika, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, veçanërisht sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës?

Christopher Walker: Nëse marrim si tregues luftën e Rusisë kundër Ukrainës, është e habitshme të shihet mënyra se si audiencat në pjesë të ndryshme të botës – përfshirë, por pa u kufizuar në, Afrikën Sub-Sahariane dhe Amerikën Latine – e perceptojnë këtë konflikt.

SHIKONI EDHE:

Lufta në Ukrainë, në stilin propagandues, arrin në kinematë ruse

Rusia është pa asnjë dyshim agresorja. Ajo nisi një sulm të paprovokuar kundër Ukrainës. Megjithatë, ky nuk është perceptimi në shumë pjesë të mëdha të botës. Kjo ndodh, të paktën pjesërisht, për shkak të përhapjes sistematike të informacionit dhe argumenteve nga burime të drejtuara dhe të kontrolluara nga Pekini dhe Moska, të cilat pothuajse gjithmonë i paraqesin ngjarjet në këtë mënyrë.

Mendoj se këtë duhet ta marrim seriozisht sepse nëse kjo mund të ndodhë në këtë rast, atëherë sigurisht që mund të ndodhë edhe për çështje të tjera, përfshirë mënyrën se si portretizohet SHBA-ja.

Kjo nuk është diçka e re. Shteti kinez dhe ai rus prej vitesh kanë ndërmarrë këto përpjekje globale – në kontekstin modern, prej më shumë se një dekade – dhe mendoj se kjo është një çështje që duhet ta marrim shumë seriozisht.

Përgatiti: Mimoza Sadiku