Pesë kosovarë në mesin e të lënduarve nga një zjarr në një hotel në Vlorë

Fotografi nga arkivi.

Gjashtë turistë mbetën të lënduar pasi flakët e zjarrit përfshinë hotelin ku po qëndronin në qytetin e Vlorës, në jug të Shqipërisë. Sipas policisë, pesë prej të lënduarve janë shtetas kosovarë.

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë tha se njëra prej pacientëve është në gjendje të rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve, dhe po mbahet nën monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Ndërkaq, në Spitalin e djegie-plastikës janë shtruar tri pacientë, ndëra në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim dy paciente, të cilat janë paraqitur me dëmtime të shumta.

Më herët, shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, tha se tre nga gjashtë të lënduarit kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve dhe kishin pësuar fraktura.

Breshanaj tha se njëra prej pacienteve ishte djegur pothuajse në 100 për qind të trupit dhe rrezikonte jetën, ndërsa një tjetër kishte djegie në rreth 50 për qind të trupit.

Sipas tij, të lënduarit ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç dhe vinin nga Prishtina, Lipjani dhe Rrësheni.

Zjarri ra rreth orës 4:00 të mëngjesit të së dielës në hotelin “Brooklyn”, në zonën e Lungomares në Vlorë. Policia thotë se zjarri ka qenë aksidental.

“Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.

Një prej pushuesve nga Kosova, Luan Salihu, 21 vjeç, nga Lipjani, ka treguar për mediat se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma dhe të bërtitura. Ai tha se nuk kishte arritur të dilte nga dera për shkak të tymit dhe ishte hedhur nga ballkoni i katit të dytë, së bashku me bashkëshorten e tij. Salihu ka treguar se gjatë rënies kishte dëmtuar këmbën dhe po merrte ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës.

Një turist nga Polonia ka treguar për mediat se ishte hedhur nga dritarja për të shpëtuar nga tymi dhe flakët, por nuk kishte pësuar lëndime.

Pas këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë së hotelit, policia tha se, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.