Policia ndërpren tubimin parazgjedhor të Listës Serbe për zgjedhjet në Serbi

Fotografi ilustruese

Policia e Kosovës ka ndërprerë një tubim që po zhvillohej në ambientet e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se në këtë tubim kishte pasur edhe zyrtarë të Listës Serbe, të cilëve u kishte kërkuar të shpërndahen.

Ai tha se ky aksion është ndërmarrë me urdhër të eprorëve për të mos lejuar mbajtjen e tubimeve parazgjedhore për zgjedhjet në Serbi, që mbahen më 25 tetor.

“[Zyrtarët e Listës Serbe] na thanë se bëhej fjalë për një lloj edukimi, por ata u larguan nga ambientet. Ne kishim informacion se po zhvillohej një tubim parazgjedhor. Nuk do të lejohen tubimet parazgjedhore për Serbinë në Kosovë”, tha Elshani.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e pushtetit aktual në Beograd, deri tani nuk është deklaruar lidhur me pretendimet e policisë.

Kjo parti, ndërkaq, ka mbështetur listën “Srbija Ujedinjena” [Serbia e Bashkuar] të Aleksandar Vuçiqit për zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

SHIKONI EDHE:

Serbia mund të ndryshojë... deri te Kosova

Më herët, në fund të shtatorit, në faqen në Facebook “Studenti pobeđuju - Kosovsko Pomoravlje” [Studentët fitojnë - Kosova Lindore] ishte bërë e ditur se një grup i pavarur studentësh nga Universiteti në Mitrovicën e Veriut i kishte kërkuar Policisë së Kosovës leje për mbajtjen e tubimeve parazgjedhore në disa zona ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb: Ranillug, Shillovë, Kllokot, Shtërpcë, Graçanicë, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut.

Ndërkohë, Lëvizja Studentore, e cila konsiderohet si kundërshtari kryesor i Partisë Përparimtare Serbe, i ka thënë të përjavshmes Vreme se është duke punuar për gjetjen e mënyrës për zhvillimin e fushatës parazgjedhore në Kosovë.

Sipas deklaratës së kësaj Lëvizjeje, autoritetet e Kosovës “nuk e konsiderojnë Kosovën pjesë integrale të Serbisë” dhe kjo mund ta vështirësojë veprimtarinë politike ose ta rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve në fushatë.

Ndërkaq, përfaqësuesit politikë opozitarë të serbëve në Kosovë i kanë dhënë mbështetje listës së Lëvizjes Studentore “Studenti pobeđuju” [Studentët fitojnë]. Mbështetje u ka dhënë edhe politikani Nenad Rashiq, i cili është edhe ministër në qeverinë e drejtuar nga kryeminstri Albin Kurti.

SHIKONI EDHE:

Vuçiqi akuzon Rashqin se me mbështetjen për Listën Studentore “po zbaton urdhrat” e Kurtit

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë, më 5 tetor, mori vendim që votuesit nga Kosova të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në qytetet kufitare në territorin e Serbisë: Vranjë, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.

Në të njëjtën mënyrë, serbët nga Kosova votuan edhe në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë në vitin 2023, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi hapjen e vendvotimeve në Kosovë.

Serbët nga Kosova kanë të drejtë për shtetësi të dyfishtë dhe, rrjedhimisht, mund të votojnë edhe në zgjedhjet që organizon Serbia, por për hapjen e vendvotimeve në Kosovë, Prishtina kërkon një kërkesë zyrtare nga Beogradi, në vend që ndërmjetësimin ta bëjë OSBE-ja (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë).

Serbia, nga ana tjetër, e ka refuzuar një gjë të tillë me arsyetimin se në këtë mënyrë pranohet pavarësia e Kosovës.