Polonia në zi për viktimat e të shtënave me armë zjarri

Lule dhe qirinj të vendosur afër zonës ku ndodhën të shtënat në Krakov. 8 nëntor 2026.

Polonia ka shpallur dy ditë zie kombëtare pasi gjashtë persona u vranë gjatë të shtënave me armë zjarri në Krakov më 7 nëntor.

Zyra e Prokurorit Kombëtar njoftoi të dielën se ka nisur hetime për terrorizëm për të shtënat që ndodhën në qendër të qytetit të dytë më të madh në Poloni. Sipas prokurorisë, “vrasja e gjashtë personave, përdorimi i armës së zjarrit dhe tentim-vrasja e shumë të tjerëve, përfshirë zyrtarëve policorë, përbën vepër terroriste”.

Sulmi i së shtunës tronditi Poloninë, shtet që e paraqiste veten si shumë më të sigurt sesa shtetet e tjera në Evropën Perëndimore.

Nga të shtënat, gjashtëmbëdhjetë persona po ashtu u plagosën, përfshirë dy zyrtarë policorë dhe sulmuesi i dyshuar.

Autoritetet kanë thënë se i dyshuari, një polak 24-vjeçar, është në spital në gjendje kritike. Ai hapi zjarr nga makina e tij drejt qytetarëve, para se policia të ballafaqohej me të.

Ministri i Punëve të Brendshme të Polonisë ka thënë se i dyshuari kishte qëndrime radikale dhe përkrahte ideologjitë e ekstremit të djathtë.

SHIKONI EDHE:

Gjashtë të vrarë dhe të paktën 15 të plagosur nga të shtënat me armë në Poloni

Pjesa e vjetër e qytetit të Krakovit është pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe tërheqë vizitorë nga e mbarë bota dhe në mesin e viktimave ka edhe shtetas të huaj.

Një nga të vrarët është nga Britania, ndërkaq pesë shtetas të tjerë nga Austria, Gjermania, Portugalia, Rusia dhe Britania janë në mesin e të plagosurve.

Në qytetin e lindjes të të dyshuarit, në Ostroviec Svietokrziski – rreth 200 kilometra në veri të Krakovit – në shtëpinë e të dyshuarit policia më voni gjeti trupat e pajetë të dy prindërve dhe motrës.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Daniel Prokopowicz, tha se “me shumë gjasa” vrasjet në Ostroviec Svietokrziski dhe ato në Krakov janë kryer nga i njëjti person, por shtoi se hetimet po vazhdojnë.

Trupat e pajetë kishin plagë nga arma e zjarrit dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur shtatë armë zjarri dhe një sasi e “konsiderueshme” e municioneve.

“Në total kemi gjetur 11 armë zjarri”, tha zëdhënësi, duke shtuar se për këto armë kishte leje i dyshuari dhe babai i tij.

Rrugët të mbyllura, teksa qytetarët ndezin qirinj

Në Krakov, ndërkaq, në sheshin kryesor të tregut – ku ndodhën të shtënat – dhe në zonat përreth, policia ka vendosur ndalim të qarkullimit për qytetarët.

Qytetarë të shumtë kanë ndezur qirinj në disa lokacione në këtë zonë, teksa flamujt nëpër institucione janë ulur në gjysmështizë.

Ndërkaq, në kryeqytetin polak, Varshavë, policia ka ashpërsuar masat e sigurisë në zonat e frekuentuara.

Policia bën roje pranë vendit ku ndodhën të shtënat. Krakov, 8 nëntor 2026.

Qytetarët, të shqetësuar për sigurinë

Një ditë pas sulmit, banorët lokalë dhe turistët u shprehën të tronditur.

“Është e tmerrshme, kjo nuk mund të ndodhë në Poloni sepse kurrë nuk ka pasur diçka të tillë. Besoj se kjo është një epokë e re për vendin tim”, tha banorja lokale Witold Slowikowski, raporton Reuters.

Në Varshavë, Maria 20-vjepare, tha se iu mbushën sytë me lot kur dëgjoi lajmin për të shtënat.

“Ngjarjet e fundit, jo vetëm ky, por gjërat që kanë ndodhur së voni, vërtet po ndikojnë në sigurinë tonë”, tha ajo.

Gazeta kryesore në Poloni, Rzeczpospolita, në editorialin e saj tha se të shtënat “sollën një përfundim brutal të epokës në të cilën Polonia konsiderohej një shtet i sigurt”.

Qytetarët në Poloni janë shprehur të shqetësuar për situatën e sigurisë. Krakov, 8 nëntor 2026.

Zyrtarët dhe publiku kanë lavdëruar zyrtarët policorë që ndaluan sulmuesin, pas një këmbimi zjarri.

Policia, ndërkaq, ka kërkuar nga qytetarët të dhurojnë gjak për një nga dy policët e plagosur, i cili po lufton për jetë.

“Policët Jakub Kulik dhe Artur Moranski janë heronj të vërtetë”, shkroi në rrjetet sociale kryeministri polak, Donald Tusk. Sipas tij, këta policë shpëtuan shumë jetë duke e rrezikuar jetën e tyre.