Një projektligj i ri nxjerr në pah përçarjet në Iran për masat e ashpra të sigurisë në kohë lufte

Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf.

Parlamenti i Iranit po përpiqet ta shndërrojë në ligj frikën nga infiltrimi i huaj. Por, derisa ligjvënësit po punojnë në këtë projektligj, debati po ngre një pyetje gjithnjë e më të sikletshme për Republikën Islamike: Sa larg mund të shkojë shteti në kontrollimin e kontakteve të iranianëve me botën e jashtme?

Në qendër të këtij debati është kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili, të paktën publikisht, po përpiqet të gjejë një baraspeshë. Ai e ka mbrojtur nevojën për masa më të ashpra kundër infiltrimit të huaj, ndërsa ka paralajmëruar se versioni i tanishëm i projektligjit shkon shumë larg.

“Patrioti nuk kundërshton luftën kundër infiltrimit të huaj”, tha Qalibaf gjatë një seance të fundit parlamentare. Por, ai shtoi se ligjvënësit duhet të sigurohen që “të drejtat, jeta dhe veprimtaria tregtare” e njerëzve të mos preken.

Ai tha se agjencitë e sigurisë mund të kenë nevojë të jenë në gjendje t’i verifikojnë kontaktet e iranianëve me të huajt, por se nuk mund të kërkojnë leje në çdo hap.

SHIKONI EDHE:

Parlamenti iranian shtyn përpara projektligjin që mund ta kthejë kontaktin me të huajt në vepër penale

“Ata thonë se duan të jenë të sigurt, që leja të kërkohet prej tyre në çdo hap”, tha kryetari konservator i Parlamentit. “Kjo nuk është e mundur, sepse atëherë do të na duhej ta izolonim plotësisht vendin”.

Baraspesha është në thelb të këtij projektligji që u hartua si përgjigje në kohë lufte ndaj dështimeve të vërteta të sigurisë.

Dy luftërat e fundit zbuluan se sa thellë kishte depërtuar inteligjenca izraelite në Iran dhe nxitën thirrje për masa më të ashpra për zbulimin dhe parandalimin e ndikimit të huaj.

Por, ajo që nisi si një përgjigje ndaj një çështjeje sigurie është shndërruar në një betejë shumë më të gjerë mbi kufijtë e sigurisë së shtetit të Republikës Islamike.

Projektligji, i quajtur zyrtarisht “Plani për Luftimin e Infiltrimit të Shërbimeve të Inteligjencës dhe Qeverive apo Institucioneve të Huaja”, por që zakonisht i referohen si “Projektligji për Infiltrimin”, do t’u kërkonte iranianëve të merrnin leje paraprake nga Ministria e Inteligjencës dhe Organizata e Inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), para se të angazhoheshin në një gamë të gjerë veprimtarish.

Këto veprimtari përfshijnë botimin e librave ose artikujve, bashkëpunimin akademik, intervistat me mediat e huaja që konsiderohen “armiqësore”, si dhe pjesëmarrjen në konferenca shkencore apo festivale të artit.

SHIKONI EDHE:

Në Iran raportohet se janë ekzekutuar të paktën 71 persona gjatë korrikut

Projektligji përfshin gjithashtu dispozita që e bëjnë vepër penale dhënien e intervistave, zhvillimin e diskutimeve dhe komunikime të tjera me mediat që konsiderohen armiqësore, si dhe dërgimin e fotografive, videove, regjistrimeve audio apo materialeve të tjera te mediat e huaja.

Shkeljet do të dënoheshin me burgim deri në dy vjet.

Parlamenti miratoi kuadrin e përgjithshëm të projektligjit në mesin e gushtit, me 183 vota për dhe katër kundër. Që atëherë, projektligji është zgjeruar nga 19 në 33 nene, teksa ka kaluar në shqyrtim në Komisionin për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme.

Deri tani, vetëm dy nenet e para janë miratuar në seancë plenare, ndërsa dispozitat e mbetura janë ende subjekt i ndryshimeve. Edhe nëse Parlamenti i miraton ato, projektligjin duhet ta miratojë Këshilli i Gardianëve në mënyrë që ai të mund të shndërrohet në ligj.

Megjithatë, rezistenca politike tashmë ka filluar.

Për shkak të paqartësive, Qalibaf i ka kthyer në komision dy nga dispozitat më të rëndësishme të projektligjit: nenet 7 dhe 8, të cilat lidhen me procesin e zbulimit të informacionit dhe dënimet për tejkalimin e kufijve të një lejeje.

Qalibaf ka këmbëngulur se Parlamenti duhet t’i adresojë shqetësimet e agjencive të sigurisë, duke thënë se “nevojat” e tyre do të përmbushen “brenda kufijve të arsyeshëm”.

Por, ai ka kundërshtuar idenë që Ministria e Inteligjencës dhe Organizata e Inteligjencës së Gardës Revolucionare Islamike të kenë në thelb kompetencën për të miratuar kontaktet e iranianëve me të huajt në çdo hap.

Your browser doesn’t support HTML5

Binjaket iraniane raportohet se janë torturuar në burg, njëra thuhet se është dënuar me vdekje

Ai gjithashtu ka hedhur poshtë sugjerimet se projektligji duhet të lihet mënjanë me kërkesë të Qeverisë.

Kur zëvendëspresidenti i parë, Mohammad Reza Aref, pretendoi se Qalibaf i kishte premtuar privatisht se do ta ndalte procesin e miratimit të projektligjit, një deputet e përsëriti këtë pretendim në seancë plenare. Qalibaf e hodhi poshtë atë, duke theksuar se Parlamenti nuk është “degë e Qeverisë”.

Rezultati është një vijë ndarëse politike që nuk përputhet lehtësisht me ndarjen e zakonshme në Iran mes vijës së ashpër dhe reformistëve.

Disa ligjvënës kanë qenë shumë më haptazi kundër projektligjit.

Mohammad Mehdi Shahriari, anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, e quajti atë “krejtësisht në kundërshtim me interesat kombëtare”.

Ai tha se projektligji ishte hartuar me shumë nxitim nga ligjvënës pa përvojë, dhe jo nga vetë strukturat e sigurisë së shtetit. Ai sugjeroi gjithashtu se bordi drejtues i Parlamentit, i kryesuar nga Qalibaf, tani ishte vetë “fuqishëm kundër” projektligjit.

Edhe qeveria e presidentit Masud Pezeshkian e ka kundërshtuar publikisht projektligjin.

Hossein Afshin, zëvendëspresidenti për shkencën, teknologjinë dhe ekonominë e bazuar në dije, paralajmëroi se versioni i tanishëm mund ta izolojë komunitetin akademik dhe kërkimor të Iranit dhe të çojë në “ngecje në shkencë”.

Komentatori konservator Mohammad Mohajeri, redaktor i Khabar Online, bëri një vërejtje të ngjashme, por në mënyrë më sarkastike. Ai shkroi në X se, pikërisht kur Qeveria po përpiqej t’i bindte iranianët që jetojnë jashtë vendit të ktheheshin në atdhe, Parlamenti po u jepte elitave, akademikëve dhe studentëve arsye të reja për t’u larguar.

Projektligji ka tërhequr gjithashtu kritika ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE:

Irani synon shtrëngimin e kontrollit mbi internetin

Më 3 shtator, Misioni Ndërkombëtar i Pavarur i Kombeve të Bashkuara për Gjetjen e Fakteve në Iran bëri thirrje që projektligji të tërhiqej, duke paralajmëruar se ai mund të kufizonte më tej liritë themelore dhe t’i izolonte iranianët nga komuniteti ndërkombëtar.

Raportuesja Speciale e OKB-së për Iranin, Mai Sato, paralajmëroi veçmas se agjencitë iraniane të inteligjencës nuk duhet të bëhen “rojet e portës” së kontakteve të popullit iranian me botën.

Për establishmentin politik të Iranit, megjithatë, problemi mund të jetë më pranë vendit.

Pak njerëz brenda sistemit duket se janë të gatshëm të kundërshtojnë faktin se infiltrimi i huaj është një kërcënim real për sigurinë. Debati po përqendrohet gjithnjë e më shumë te ajo që duhet të pasojë nga ky kërcënim dhe te vendi ku shteti duhet të vendosë kufirin.