Dy "1 tetorët" e Sadik Zeqirit

Protestuesit përballë policisë serbe, më 1 tetor 1997. Fotografi e publikuar në uebsajtin zyrtar të Kuvendit të Kosovës.

Shkurtimisht

  • Më 1 tetor, Sadik Zeqiri do të dalë sërish në protestë - këtë herë kundër aktgjykimit të Hagës ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
  • Njëzet e nëntë vjet më parë, ai protestoi si student për kthimin në objektet e Universitetit të Prishtinës; disa muaj më vonë la studimet dhe iu bashkua UÇK-së.
  • I arrestuar në vitin 1998, Zeqiri kaloi dy vjet e tetë muaj në burgje në Kosovë dhe në Serbi dhe mbijetoi në Burgun e Dubravës.

Më 1 tetor 1997, Sadik Zeqiri doli në rrugët e Prishtinës me këmishë të bardhë.

Ishte 23 vjeç, student i Fakultetit Juridik dhe një nga mijëra studentët shqiptarë që atë ditë kërkonin të drejtën për t’u kthyer në objektet e Universitetit të Prishtinës.

Disa muaj më vonë, këmishën e bardhë do ta linte mënjanë.

“E lashë këmishën e bardhë që kisha veshur në protestë dhe, në prill të vitit 1998, vesha uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, kujton ai, 29 vjet më vonë, për Radion Evropa e Lirë.

Tani, Zeqiri po përgatitet të dalë përsëri në rrugë, më 1 tetor.

Por, kësaj radhe, protesta nuk është për universitetin.

Është kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sadik Zeqiri, i dyti nga e djathta, gjatë një proteste në Prishtinë, në mbështetje të katërshes së UÇK-së. Fotografi nga arkivi personal i Zeqirit.

Për Zeqirin, mes dy protestave shtrihet pothuajse e gjithë historia e tij: studimet në sistemin paralel, lufta, arrestimi, burgjet në Kosovë e Serbi dhe plagosja në Burgun e Dubravës.

Dhe, në qendër të saj, UÇK-ja.

Protesta që nisi me universitetin

Në vitet ‘90, studentët shqiptarë zhvillonin mësimin në shtëpi private dhe objekte të improvizuara, pasi ishin përjashtuar nga objektet universitare nën administrimin serb.

Më 1 shtator 1996, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, dhe udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, arritën, me ndërmjetësimin e Komunitetit Sant’Egidio, marrëveshje për normalizimin e arsimit dhe kthimin e shqiptarëve në objektet arsimore.

Një vit më vonë, ajo ende nuk ishte zbatuar.

Në gusht të vitit 1997, studentët paralajmëruan protesta.

Zeqiri kujton se përgatitjet bëheshin në fshehtësi, në dhoma të vogla të shtëpive private ku banonin studentët. Aty diskutohej se si do të organizohej protesta dhe çfarë mesazhi do t’u dërgohej qytetarëve.

Më 1 tetor 1997, rreth 20 mijë studentë dolën në protestë paqësore në Prishtinë, duke kërkuar kthimin në objektet arsimore.

Në mesin e udhëheqësve të tyre ishte edhe Albin Kurti, sot kryeministër i Kosovës.

Policia serbe e shpërndau protestën me dhunë, duke përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës, ndërsa disa prej organizatorëve u arrestuan.

Pjesëmarrës në protestën e studentëve më 1 tetor 1997. Fotografi e publikuar në uebsajtin zyrtar të Kuvendit të Kosovës.

Por, Kosova e vitit 1997 po hynte edhe në një fazë tjetër.

Pas viteve të rezistencës paqësore ndaj regjimit të Millosheviqit, një rezistencë e armatosur kishte nisur të merrte formë.

Emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte shfaqur në komunikata që nga mesi i viteve ‘90.

Më 28 nëntor 1997, më pak se dy muaj pas protestës studentore, pjesëtarë të UÇK-së u shfaqën për herë të parë publikisht, në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skenderajt.

Zeqiri thotë se edhe mes studentëve flitej gjithnjë e më shumë për mundësinë e luftës.

Protesta e studentëve më 1 tetor 1997. Në mesin e udhëheqësve duket edhe Albin Kurti (i dyti në të djathtë), sot kryeministër i Kosovës. Fotografi e publikuar në uebsajtin zyrtar të Kuvendit të Kosovës.

“Por, më shumë kishte një thirrje për t’i nxitur të rinjtë... që, në rast lufte - sepse dukej se lufta kishte nisur dhe UÇK-ja ekzistonte - t’u bëhej me dije se njëra nga rrugët për çlirimin e Kosovës, përveç kësaj proteste, ishte edhe UÇK-ja”, kujton ai.

Për disa prej tyre, ajo mundësi shumë shpejt u bë zgjedhje.

Nga indeksi tek uniforma

Në pranverën e vitit 1998, Zeqiri ishte 24 vjeç.

Kishte paraqitur provimet e afatit të prillit, por thotë se, ndërsa luftimet dhe vrasjet po shtoheshin në Kosovë, nuk arrinte më të përqendrohej në mësim.

Vendosi ta linte fakultetin dhe t’i bashkohej UÇK-së.

Ai nuk ishte i vetmi student që e bëri këtë.

Sipas Zeqirit, brenda lëvizjes studentore kishte nisur të mendohej edhe për mundësinë e një konflikti të armatosur.

Your browser doesn’t support HTML5

Sadik Zeqiri: Qëllimi ishte të përgatiteshin studentët për t'iu bashkëngjitur UÇK-së

Kur ua komunikoi vendimin shokëve, thotë se ata u përpoqën ta bindnin të qëndronte.

“Iu tregova shokëve që unë kisha vendosur të shkoj në luftë. Më lutën që të rri, sepse ata kishin nevojë për njerëz të besuar që kryenin punë operative dhe logjistike. Por, nuk arritën të më bindnin. Unë nuk mund të qëndroja”, kujton ai.

Protesta e 1 tetorit 1997. Fotografi e publikuar në uebsajtin zyrtar të Kuvendit të Kosovës.

Disa nga studentët me të cilët kishte protestuar e më pas luftuar, thotë Zeqiri, nuk u kthyen kurrë.

As lufta e tij nuk përfundoi në front.

Nga lufta në burg

Në gusht të vitit 1998, Zeqiri u arrestua në male nga autoritetet serbe.

Ai u dënua me dy vjet e gjysmë burgim, por thotë se prapa grilave kaloi gjithsej dy vjet e tetë muaj.

Në atë periudhë, autoritetet serbe ndiqnin penalisht pjesëtarë të UÇK-së dhe shqiptarë të dyshuar për lidhje me të, kryesisht nën akuza për “terrorizëm” dhe “veprimtari armiqësore kundër shtetit”.

Zeqiri u mbajt në disa burgje në Kosovë dhe Serbi.

Ai thotë se gjatë burgimit u rrah dhe u torturua vazhdimisht.

“Ushqim kemi pasur dy herë në ditë, kurse rrahje tri herë në ditë. E nganjëherë vinin edhe në orën 24:00, na zgjonin nga gjumi për të na rrahur...”, kujton ai.

Në maj të vitit 1999 ndodhej në Burgun e Dubravës.

Më 19 dhe 21 maj, burgu u bombardua nga NATO-ja, e cila që nga 24 marsi po zhvillonte një fushatë ajrore kundër caqeve jugosllave dhe serbe, në përpjekje për t’i dhënë fund dhunës dhe represionit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

SHIKONI EDHE:

Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch dokumentoi të paktën 19 të burgosur shqiptarë të vrarë nga bombardimet në burg.

Më 22 maj, sipas organizatës, forcat serbe rreshtuan rreth 1.000 të burgosur në oborr dhe hapën zjarr ndaj tyre, duke vrarë të paktën 70 persona.

Gjatë 24 orëve pasuese, të paktën 12 të burgosur të tjerë u vranë nga rojat e burgut, policia speciale dhe, sipas Human Rights Watch, ndoshta edhe pjesëtarë të forcave paramilitare.

Zeqiri mbijetoi.

Ai thotë se u plagos nga një plumb, të cilin ende e mban në trup.

Por, përfundimi i luftës në qershor të vitit 1999 nuk solli edhe lirimin e tij.

Në ditët e fundit të luftës, rreth 2.000 të burgosur shqiptarë u transferuan nga Kosova në burgje në Serbi.

Human Rights Watch dokumentoi se më shumë se 1.400 prej tyre u liruan gradualisht gjatë viteve 1999, 2000 dhe 2001.

Zeqiri ishte një prej të burgosurve që mbetën në Serbi.

U lirua në vitin 2001.

Kur doli nga burgu, kujton se peshonte më pak se 50 kilogramë.

Sot, ai e ka të përfunduar Fakultetin Juridik dhe është drejtor i gazetës “Epoka e Re”.

29 vjet më vonë, përsëri 1 tetor

Pothuajse tri dekada pasi kishte dalë në rrugë si student, Zeqiri bën thirrje për një protestë tjetër.

Data është e njëjta: sot, 1 tetor.

Kësaj here, protesta organizohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

SHIKONI EDHE:

Të lindur pas luftës, në ballë të protestave për ish-krerët e UÇK-së

Më 16 shtator, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë i shpalli të katërt fajtorë për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet.

Të katërt u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullatës civile.

Sipas aktgjykimit, të katërt mbajnë përgjegjësi penale për ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 dhe vrasjen e 96 personave.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

SHIKONI EDHE:

Hapat që ndërmerren për apelimin e një vendimi të Speciales

Por, për Zeqirin, kundërshtimi ndaj tij shkon përtej fatit juridik të katër ish-udhëheqësve.

Ai e lidh UÇK-në me fundin e regjimit serb në Kosovë dhe me procesin që çoi më vonë te shpallja e pavarësisë.

Për këtë arsye, aktgjykimin e sheh edhe përmes përvojës së vet.

“Nuk janë dënuar individët. Është dënuar pavarësia e Republikës së Kosovës dhe janë dënuar mundi dhe sakrifica brez pas brezi e shqiptarëve dhe më së shumti e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thotë Zeqiri.

Aktgjykimi i 16 shtatorit, megjithatë, përcakton përgjegjësinë penale individuale të katër të akuzuarve për krimet për të cilat janë shpallur fajtorë.

Ai nuk është aktgjykim për UÇK-në si tërësi apo për pavarësinë e Kosovës.

Your browser doesn’t support HTML5

Sadik Zeqiri: Drejtësia ka munguar më 16 shtator

Zeqiri thotë se, që nga shpallja e aktgjykimit, ka marrë pjesë për 15 ditë rresht në protesta në Prishtinë.

Por, protesta e 1 tetorit ka për të edhe një domethënie tjetër.

E njëjta datë, një protestë tjetër

Marshi i 1 tetorit 2026 organizohet nga platforma qytetare “Liria ka emër”, nën moton “Jo në emrin tim”.

Organizatorët thonë se data nuk është zgjedhur rastësisht: e lidhin atë drejtpërdrejt me protestën studentore të 1 tetorit 1997.

Your browser doesn’t support HTML5

Në Prishtinë kërkohet ndryshimi ose shfuqizimi i ligjit për Specialen

“Më 1 tetor 1997, studentët e Kosovës dolën në rrugë në një protestë paqësore që mbeti një nga momentet historike dhe simbolike të rezistencës qytetare”, tha përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, kur paralajmëroi protestën.

Thirrjes i janë bashkuar edhe disa prej figurave të lëvizjes studentore të vitit 1997, përfshirë Muhamet Mavrajn dhe Driton Lajçin - njerëz me të cilët Zeqiri thotë se dikur ndante dhomat e banimit dhe organizimin e protestave.

Kështu, 29 vjet më vonë, rrugët e tyre takohen përsëri në protestë.

Jo më si studentë me këmisha të bardha. Por, si njerëz që atë pjesë të historisë së tyre nuk e konsiderojnë ende të mbyllur.