“Nuk e durojmë ma hajninë”: Qytetarët protestojnë kundër kërkesës për shtrenjtimin e rrymës

Disa qytetarë në Prishtinë protestuan më 6 shkurt kundër kërkesës nga tre operatorë energjetikë për shtrenjtimin e faturave të rrymës për vitin 2026.

Në fund të janarit u bë e ditur se rritja e çmimit të rrymës u kërkua nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). Këta operatorë dërguan kërkesa për shtrenjtim në Zyrën e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE).

Policët shihen pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit kërkuan që të mos shtrenjtohet rryma.

Nga Policia e Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se një qytetar u shoqërua në stacion policor, gjatë protestës.

“Shoqërimi është bërë pasi i njëjti dyshohet se ka hedhur një mjet tymues. Të gjitha veprimet do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, tha Enis Pllana, zëdhënës i Policisë për kryeqytetin.

Një qytetare duke protestuar në Prishtinë.

Pas pranimit të kërkesave për shtrenjtim të tarifave, nga ZRRE-ja i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kërkesat do të shqyrtohen dhe do të aprovohen vetëm kostot e arsyeshme.

Qytetarët shprehën pakënaqësi edhe vitin e kaluar, kur u miratua rritja e faturave të rrymës për 16.1 për qind.

Një përfaqësues i sindikadës së punëtorëve të KEK-ut duke iu adresuar protestuesve.

Shtrenjtimi i kërkuar i tarifave është kundërshtuar edhe nga organizata të shoqërisë civile. Ndërkaq, nga Instituti për Politika Zhvillimore i kanë kërkuar ZRRE-së që të sigurohet që në vendimin për tarifat të mos përfshijë kosto të pajustifikuara, që nuk lidhen drejtpërdrejt me shërbimin ndaj konsumatorëve.

Një person duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kundër kërkesës për shtrenjtimin e rrymës.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

"Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it", thuhet në një nga panot që shpalosën protestuesit në Prishtinë.

Disa protestues para KESCO-s dhe KEDS-it. KESCO e ka bazuar kërkesën për shtrenjtim në rritjen e kostove operative dhe nevojën për sigurim të furnizimit të qëndrueshëm me energji.

"S'kena me i pagu faturat", është slogani që u pa në protestën në Prishtinë.

Protestuesit hodhën tymues para zyrave të ZRRE-së në Prishtinë.

Protestues duke marshuar nëpër rrugët e Prishtinës.

Tymues u hodhën edhe para ndërtesës së KEDS-it.

Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Ndërkaq tarifat e lira – nga ora 23:00 deri në orën 08:00 – janë 3.88 centë për kilovat për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovat. Për ata që shpenzojnë më shumë se kaq, tarifa është 7.28 kilovat.

Disa qytetarë në Prishtinë protestuan më 6 shkurt kundër kërkesës së tre operatorëve energjetikë për shtrenjtimin e faturave të rrymës për vitin 2026. Me sloganet “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Kujdes, faturë e naltë”, “S’kena me i pagu ma faturat”, ata protestuan para zyrave të KEDS-it, KESCO-s, ZRRE-së dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Operatorët kanë kërkuar rritje të faturave prej mbi 20 për qind, por ZRRE-ja ka thënë se do të miratohen vetëm kostot e arsyeshme.