Përplasje mes protestuesve dhe policisë në Shqipëri

Policia përdor topa uji drejt protestuesve në Tiranë më 26 tetor.

Në ditën e dymbëdhjetë të protestës të studentëve dhe të rinjve, protestuesit dhe policia janë përplasur në qendër të Tiranës. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Qeverisë së tij, por Rama refuzon thirrjet për dorëheqje, duke kërkuar dialog me ta.

Protesta nisi në orën 14:00 te Ministria e Arsimit dhe më pak se 30 minuta pas fillimit, nisën gjuajtjet me gurë të protestuesve drejt ndërtesës së kësaj ministrie dhe zyrtarëve policorë. Ata më pas përdorën edhe mjete piroteknike drejt forcave policore.

Policia u kundërpërgjigj me topa uji dhe gaz lotsjellës, duke zhvendosur protestuesit në pjesë të tjera të kryeqendrës shqiptare.

Përplasjet vazhduan edhe afër Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme dhe Parkut Rinia, teksa policia përdori edhe plumba gome drejt protestuesve.

Protestuesit kanë hedhur koktej molotovi drejt ndërtesës së një prej ministrive, dera e së cilës u përfshi nga flakët.

Dhuna në protestë vjen pasi në dy-tre ditët e fundit, protestat kishin qenë paqësore. Protesta e studentëve tash e disa ditë po mbështetet edhe nga profesorët universitarë dhe nga mjekët.

Ndërkaq, të shtunën në mesditë, me ftesë të Partisë Demokratike në opozitë, përkrahës të këtij subjekti nga ora 12:00 marshuan drejt Kryeministrisë ku dogjën edhe “tryezën e dialogut” – të vendosur nga Rama si simbolik të ftesës për dialog me protestuesit.

Më pas, përkrahësit e PD-së iu bashkuan protestës së thirrur nga studentët.

Djegia e "tryezës së dialogut" nga përkrahësit e PD-së pranë Kryeministrisë shqiptare më 24 tetor.

Policia shqiptare më herët gjatë ditës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë për protestat e së shtunës.

Ndërkaq, Rama sërish i ftoi për dialog protestuesit më 24 tetor. Megjithatë, ai tha se protestuesit kanë “frikë” që të dialogojnë me të pasi mund të cilësohen si “tradhtarë” nga protestuesit e tjerë.

SHIKONI EDHE:

Të largohet Rama, po kush duhet të vijë?

Megjithatë, protestuesit kanë argumentuar se Rama ka mundur që t’iu përgjigjet thirrjeve të tyre për dialog gjatë protestave paqësore, të quajtura “Revolucioni Flamingo” dhe tani nuk duan më dialog, por vetëm dorëheqjen e tij.

Që nga 13 tetori, protestat në Shqipëri janë përcjellë me përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave policore, teksa ka pasur akuza nga protestuesit për dhunë joproporcionale nga ana e zyrtarëve policorë. Po ashtu, protestuesit kanë sulmuar edhe biznese private në qendër të Tiranës.

SHIKONI EDHE:

Kur kthehen pakënaqësitë në një protestë të dhunshme?

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë konferencës për media më 24 tetor, përsëriti qëndrimin e tij se protestat kanë qëllim destabilizimin e Shqipërisë dhe kthimin prapa të vendit.

Të rinjtë që po protestojnë po kërkojnë dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe reformimin e Kodit Zgjedhor, që sipas tyre, do të mundësonin konkurrencë më të barabartë zgjedhore.

Rama është në pushtet që nga viti 2013 dhe e fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 2025.