Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Në Kosovë, mënyra se si përfaqësohen komunitetet joshumicë në institucionet e vendit përcaktohet me Kushtetutë dhe ligje. Por, një shprehje e përdorur në Kuvend ka hapur debat për atë se kush dhe në emër të kujt mund të flasë në institucionet e Kosovës. Përplasja ka ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një çështje kushtetuese apo për një betejë politike që po ndikon në konstituimin e Kuvendit. Si e shpjegojnë ekspertët?
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Disa fjalë që deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i përdori teksa propozoi një bashkëpartiak të tij për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ishin ndër shkaqet e shtyrjes së seancës konstitutive të legjislaturës së 11-të, më 9 shtator.
Teksa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e konsideroi jokushtetues përdorimin e shprehjes “në emër të popullit serb” nga Simiq, Lista Serbe akuzoi kreun e saj, Albin Kurti, se po përpiqet ta vonojë formimin e institucioneve, në mënyrë që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen në dhjetor, kur ai mund të llogarisë edhe në votat e diasporës.
A është i diskutueshëm përdorimi i këtij termi?
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Simiq duhej ta propozonte kandidatin për nënkryetar të Kuvendit me fjalët “në emër të grupit parlamentar të Listës Serbe”, por ai nuk e arsyeton as reagimin e LVV-së.
Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës tashmë është shkelur, pasi Kuvendi nuk është konstituuar brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve - afat i përcaktuar në një prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kosova gjendet në një krizë të thellë politike dhe institucionale tash e gati dy vjet. Zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 7 qershor, ishin të tretat brenda 18 muajsh dhe u shpallën pasi partitë politike nuk arritën të pajtoheshin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Afati për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Tani kemi vetëm manovra politike, inate ballkanike dhe primitivizëm”, vlerëson Kryeziu.
Deputetët e Listës Serbe Igor dhe Sllavko Simiq gjatë një seance të mëhershme plenare
Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se përdorimi i termit “populli serb” nuk është kontestues.
Ai e cilëson vendimin e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, për ta ndërprerë seancën për këtë arsye si “akt populist”, që u përdor pasi “Vetëvendosjes i duhej një alibi për ta shtyrë konstituimin e Kuvendit”.
“Simiq e ka përdorur pa asnjë problem të njëjtën shprehje në Kuvend në vitin 2021, sikurse Albulena Haxhiu në vitin 2018 në qëndrimin e saj për dialogun, por edhe vetë Kurti më 3 qershor 2023, në fjalimin e tij në Kuvend lidhur me sulmin ndaj KFOR-it në veri të Kosovës”, thotë Muhaxhiri.
Deputeti i partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar e kishte përdorur këtë term, të cilin LVV-ja tani e konsideron kontestues, edhe në seancën e 10 tetorit 2025, kur kishte thënë: “Duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese, propozojmë që nënkryetar i Kuvendit nga populli serb të jetë Zllatan Ellek”.
Muhaxhiri vlerëson se, duke marrë parasysh rrethanat aktuale, Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet së shpejti, pasi “Kurti nuk e dëshiron këtë”.
Ai thekson se Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, gëzon mbështetje të madhe nga diaspora, dhe se një skenar i mundshëm është që ai të synojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja rreth festave të fundvitit, kur në Kosovë zakonisht vijnë votues nga jashtë vendit.
“Dhe, me shumë gjasa, Gjykata Kushtetuese do të duhet të angazhohet sërish fuqishëm dhe të përpiqet të kontribuojë në rregullimin e këtij kaosi të madh politik”, thotë ai.
Kushtetuesja ka ndërhyrë disa herë gjatë dy vjetëve të fundit për të zhbllokuar proceset drejt formimit të institucioneve.
Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së 9 shtatorit.
Pse për LVV-në janë të kontestueshëm edhe kandidatët e partive shqiptare?
Në seancën konstituive të 9 shtatorit, Albulena Haxhiu e LVV-së u zgjodh kryetare e Kuvendit.
Procedura, më pas, ngeci te zgjedhja e pesë nënkryetarëve - tre nga partitë shqiptare dhe dy nga komunitetet joshumicë.
Haxhiu e shtyu vazhdimin e seancës për datën 11 shtator, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth nënkryetarëve nga partitë shqiptare, si dhe mënyrës se si Lista Serbe e paraqiti propozimin e saj për kandidat.
Partitë nuk arritën të pajtoheshin se si duhej të votohej për nënkryetarët: veçmas apo në pako.
Në përbërjen e kaluar të Kuvendit, votimi ishte bërë në pako.
Muhaxhiri thotë se zhvillimet e fundit nuk e befasojnë, pasi, sipas tij, lideri i LVV-së “përdor metoda të çuditshme dhe vendos korniza surreale të veprimit politik”.
Në këtë kontekst, ai shpjegon se Kurti ka deklaruar se nuk do t’i mbështesë kandidaturat e Kujtim Shalës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Vlora Çitakut nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), pasi ata kanë thënë publikisht se nuk do ta mbështesin kandidatin e tij për president të Kosovës.
“Kjo do të thotë se Kurti publikisht kërkon prej tyre të heqin dorë nga qëndrimet, karrierat dhe identitetet politike, ose që partitë e tyre t’u nënshtrohen dëshirave të tij dhe t’i zëvendësojnë me kandidatë të tjerë që do të ishin të pranueshëm për të. Kjo është fantashkencë, jo politikë reale”, thotë Muhaxhiri.
Sikurse Lista Serbe, edhe LDK-ja dhe PDK-ja kanë akuzuar LVV-në dhe kryeministrin në detyrë për zvarritjen e procesit të formimit të institucioneve të reja.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
- Informacion, burime, ndikim: Gjurmët e BIA-s në Kosovë
- PISA 2025: Çka tregojnë rezultatet për nxënësit në Kosovë?
- Qymyri sjell miliona: Ku duhet të investohen?
Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.