Qeveria e Zaevit me rezultate mesatare

Zoran Zaev duke prezantuar arritjet e Qeverisë së tij gjatë 100 ditshit të parë

Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar 100 ditshin e parë të Qeverisë së Maqedonisë thonë se Zoran Zaevi si kryeministër ka kontribuar në kthimin e Maqedonisë në binarë të integrimeve euroatlantike, duke ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të relaksimit të raporteve ndër-fqinjësore që çojnë kah mbyllja e shumë çështjeve të hapura.

Megjithëse, ata theksojnë se shumë pak është bërë në drejtim të luftës kundër korrupsionit de kthimit të parave të vjedhura.

Selim Ibrahimi, drejtues i Qendrës për Studime të Sigurisë për Radion Evropa e Lirë thotë se para se të analizohet qeverisja 100 ditëshe e Zoran Zaevit, duhet kujtuar se ai erdhi në krye të Qeverisë së Maqedonisë në kohën kur vendi ishte në një krizë të thellë politike.

Në aspektin e reformave nuk duhet pritur dhe aq shumë nga qeverisja e tij (Zoran Zaevit) dhe plani i tij reformues i njohur si 3-6-9 sepse Maqedonia është një shtet fragjil, me korrupsion të thellë dhe shumë ligje që duhet të miratohen në Parlament për realizmin e reformave”.

Qeverisja e Zaevit është komplekse dhe me shumë të papritura për Maqedoninë”, thotë njohësi i çështjeve politike, Selim Ibrahimi.

Ai qasjen e Qeverisë së re të Maqedonisë, në krye me Zoran Zaevin si kryeministër , ndaj realizmit të kërkesave të shqiptarëve e quan si qasje populiste.

Futja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në procedurë parlamentare, në momentin që pritet të mbahen zgjedhjet lokale, përmban në vete shumë më shumë atë aspektin propagandues politik, sesa analizën e asaj se çka përmban ky ligj. Siç dihet, ky ligj edhe kundrejt avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë. Me këtë ligj edhe më tej shqiptarët definohen si pakicë”, thotë Selimi.

Ndërkaq, Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike e vlerëson si shumë pozitive angazhimin e Qeverisë së re të Maqedonisë në drejtim të avancimit të raporteve me vendet fqinje.

Është për tu vlerësuar intensifikimi i takimeve të zyrtarëve të kësaj Qeverie me përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht me vendet fqinje, me të cilat kemi çështje të hapua e të cilat e mbajnë peng dhe procesin e integrimeve të Maqedonisë”, thekson për Radion Evropa e Lirë analisti politik Nikolla Dujovski, duke potencuar nënshkrimin e marrëveshjes me Bullgarinë, intensifikimin e bisedimeve me Athinën zyrtare për zgjidhjen e kontestit të emrit, si dhe takimet me zyrtarët e lartë të Brukselit dhe Uashingtonit në funksion të zhbllokimit të procesit integrues të Maqedonisë.

Dujovski si mangësi të Qeverisë së re ka fokusuar zgjedhjen e një pjesë të kuadrit joadekuat për të drejtuar institucione të caktuara.

Qeveria e kaluar e la në atë gjendje të mjerueshme shoqërinë maqedonase, sa tani është shumë e vështirë të gjenden persona profesional të cilët do t’i udhëheqin institucionet në mënyrë të pavarur, jashtë influencës politike”, thotë Dujovski.

Gjatë të martës, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev. gjatë prezantimit të arritjeve të kabinetit të tij qeveritar brenda 100 ditëve të para të qeverisjes tha se janë vendosur themele të shëndosha në raportet me fqinjët, ndërkohë që ka fokusuar angazhimin e Qeverisë në drejtim të stabilitetit ekonomik, duke ndërprerë shpenzimin e mjeteve nga arka e shtetit për investime joproduktive.

Zaev si të arritur ka fokusuar dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që mundëson përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në një dimension më të gjerë në pushtetin vendor dhe atë qendror, ligj ky që tanimë është në procedurë parlamentare.

Harmonizuam dhe miratuam Ligjin për gjuhët, i cili ka përmbyllur edhe pikën e fundit të mbetur hapur nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ” ka theksuar kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Partia shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa gjatë të mërkurës ka theksuar se Qeveria e re Maqedonisë nuk ndryshon shumë nga e kaluara sepse vazhdon të mbajë nën kthetrat e politikës institucionet e shtetit dhe nuk tregon gatishmëri për realizmin e kërkesave të shqiptarëve.

Këto ditë, në Parlamentin e Maqedonisë u fut propozim-ligji i ashtuquajtur i zyrtarizmit të gjuhës shqipe. Megjithatë, ashtu siç e kemi thënë edhe më herët, ky për neve është një propozim-ligj që ka ardhur si rezultat i synimit të partive në pushtet për të përfituar politikisht, por jo për ta zgjidhur njëmend çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni. Në të vërtetë, edhe ky ligj, ndonëse e avancon, e lë të pazgjidhur këtë problem, dhe ky do të mbetet të zgjidhet në raste të tjera. Natyrisht, këto parti shqiptare që janë në pushtet, duke u kujdesur për rrënimin e familjes shqiptare, nuk mund të kujdesen njësojë edhe për zyrtarizmin e gjuhës shqipe”, ka theksuar kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Por menjëherë pas kësaj, kryetari i partisë më të madhe në opozitë VMRO-DPMNE-së, ish-kryeministri Nikolla Gruevski ka theksuar se pushteti nuk ka arritur të realizojë asnjë projekt të rëndësishëm në interes të qytetarëve, duke akuzuar Qeverinë se ka bërë punësime partiake në kundërshtim me ligjin në më shumë institucione shtetërore, si dhe ka pamundësuar investimet e huaja.

Tani kemi fermerë të pakënaqur, pensionistë të zhgënjyer, rini e mashtruar, ndjenja kombëtare dhe dinjitet kombëtar të tradhtuara, shoqata të biznesmenëve dhe sindikata të vendosura në margjina, punëtorë të harruar dhe asnjë, përsëris, asnjë projekt përmbajtjesor, serioz dhe thelbësor i cili do të japë shpresë të cilido, se të paktën ndonjë gjë do të jetë mirë me këtë Qeveri të re”, ka deklaruar për mediat kryetari i partisë më të madhe në opozitë, Nikolla Gruevski.