5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.
Në shumë shtete Dita e Evropës trajtohet si ditë simbolike që shënon fillimin e bashkëpunimit evropian, ndërsa Kosova këtë datë e ka ende në kalendarin e festave zyrtare, duke mbetur i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ruan këtë praktikë.
Megjithatë, përtej simbolikës së kësaj date, rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe standardeve evropiane vazhdon të tregojë se, ndonëse ka përparime në dokumente dhe ligje, në praktikë vazhdojnë sfida të mëdha.
Në këtë kontekst, hulumtuesja në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, vlerëson se progresi i Kosovës nuk mund të përkufizohet në mënyrë të përgjithshme, por ndryshon ndjeshëm nga një fushë në tjetrën.
Në podkastin 5 Pyetje të Radios Evropa e Lirë, Loxha tha se dy arritjet më substanciale të Kosovës në raport me BE-në mbeten Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimi i vizave.
“Në Kosovë stagnon implementimi i ligjeve, dhe njëkohësisht edhe mbikëqyrja e implementimit”, thekson Loxha, duke shtuar se fokusi institucional shpesh mbetet në miratim dhe jo në rezultate konkrete.
▶️ Shiko podkastin:
🎧 Dëgjo podkastin:
Your browser doesn’t support HTML5
Mes reformave dhe politikës: A po afrohet Kosova me Evropën?
Dialogu Kosovë–Serbi: kushtëzim kyç për integrimin
Një nga pengesat kryesore në rrugën evropiane të Kosovës mbetet dialogu me Serbinë dhe mungesa e njohjes nga pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e saj.
“Pa përfundimin e dialogut me Serbinë dhe pa njohjen nga pesë vendet mosnjohëse, Kosova nuk mund të konsiderohet si vend që ec drejt anëtarësimit të plotë në BE”, thotë ajo për REL-in.
Sipas saj, procesi mbetet kryesisht politik dhe i varur nga zhvillimet gjeopolitike, më shumë sesa nga përmbushja teknike e kritereve.
Megjithatë, Loxha përmend mungesën e stabilitetit politik në vend si pengesë kryesore edhe për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por edhe për përmbushjen e reformave sipas standardeve evropiane të cilat fillimisht kërkojnë miratim në Kuvend e pastaj implementim nga institucionet ekzekutive.
Mirëqenia në Kosovë krahas vendeve evropiane
Në aspektin ekonomik, ajo vlerëson se Kosova ka shënuar stabilitet fiskal dhe rritje të qëndrueshme ekonomike, por me kufizime të dukshme në investime publike.
“Kosova ka vetëm 20 deri në 30% të nivelit të mirëqenies krahasuar me vendet e BE-së”, thotë Loxha.
Ajo shton se, pavarësisht perceptimeve për kosto të ngjashme jetese, dallimi në të ardhura dhe shërbime mbetet i madh.
“Pagat dhe standardi i jetës në Kosovë janë shumë më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian”, thekson ajo.
Loxha merr shembull Bullgarinë si vendi më i varfër në Bashkimin Evropian, por edhe krahasuar me të, sipas saj Kosova ka rreth dy herë më pak mirëqenie.
Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.