I mbijetuari i masakrës së Reçakut: Pa autorët, s’ka drejtësi

Buqeta lulesh të vendosura pranë memorialit kushtuar të vrarëve në masakrën në Reçak të Shtimes.

Ramë Shabani, 60-vjeçar nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes, e ka kuptuar nga mediat se në Kosovë pritet të nisë një proces gjyqësor ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte për masakrën e kryer në fshatin e tij.

Ai është një nga të mbijetuarit e masakrës së Reçakut, ku forcat serbe në janar të vitit 1999, vranë 45 civilë shqiptarë.

“Nuk më ka informuar askush nga institucionet [për procesin gjyqësor] dhe nuk kam marrë ftesë për të qenë dëshmitar”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.

Gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për këtë rast pritet të nisë të premten, më 31 korrik. Shabani dyshon se ky lloj gjykimi do të sjellë drejtësi.

“Arrita të ik, të tjerët i vranë”

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, Ramë Shabanin, atëherë 33-vjeçar, e zgjuan nga gjumi krismat e armëve.

Ramë Shabani në Reçak, gjatë një rrëfimi të mëhershëm për REL-in.

Siç rrëfen ai, krismat ishin bërë të zakonshme në atë kohë lufte, por, rreth orës 7 të mëngjesit, e gjithë familja e tij e kuptoi se në fshat po ndodhte diçka e pazakontë.

Forca të mëdha policore serbe kishin goditur fshatin dhe po depërtonin përbrenda lagjeve.

Ai dhe familjarët e tij u strehuan në bodrumin e shtëpisë së një fqinji, për të shmangur të shtënave që vinin nga armët e forcave serbe.

Megjithatë, siç rrëfen Shabani, shtëpia u qëllua me armë dhe më pas aty depërtuan edhe forcat serbe.

“Na e kanë granatuar shtëpinë, na kanë nxjerrë jashtë, na kanë rrahur dhe na kanë marrë krejt çka kishim në xhepa. Pastaj na kanë çuar te vendi i masakrës”, tregon Shabani.

Ai rrëfen se, pasi kishin arritur në vendin e quajtur Kodra e Bebushit, në periferi të fshatit Reçak, filloi ploja ndaj civilëve shqiptarë nga ana e forcave serbe.

“Na shanë serbisht... dhe unë kam ikur në një teposhte. Shtatë apo tetë të tjerë që ishin pas meje janë vrarë”, rrëfen Shabani.

Pas tërheqjes së forcave serbe, Shabani u kthye sërish në vendngjarje. Aty kuptoi se vëllai i tij, Bajrush Shabani, ishte vrarë së bashku me 11 kushërinj dhe me më shumë se 30 bashkëfshatarë të tjerë.

Fotografia e Bajrush Shabanit e vendosur në memorialin kushtuar viktimave të masakrës në Reçak.

A do të sjellë gjykimi drejtësi?

Masakra e Reçakut, 27 vjet më parë, shkaktoi reagim të fortë ndërkombëtar dhe rriti presionin ndaj regjimit në Serbi, gjë që çoi në negociata ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në Konferencën e Rambujesë në Francë.

Mosarritja e një marrëveshjeje u pasua nga ndërhyrja e NATO-s përmes sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë për 78 ditë. Më pas, forcat ndërkombëtare hynë në Kosovë dhe nga vendi u larguan forcat dhe administrata serbe.

SHIKONI EDHE:

Kosova nderon viktimat e masakrës së Reçakut

Por, 27 vjet pas ngjarjeve në Reçak, Shabani shprehet skeptik lidhur me nisjen e gjykimit në mungesë të premten ndaj 21 të akuzuarve.

Sipas tij, edhe në rast se vërtetohet fajësia e të akuzuarve dhe ata dënohen, drejtësia do të mungojë.

“Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por, kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata 21 persona, të cilëve u janë përmendur emrat, nuk hyjnë më në Kosovë dhe ne [autoritetet e Kosovës] nuk do të mund t’i kapim kurrë... Pa qenë ata në bankën e të akuzuarve, nuk mund të bësh asgjë”, thotë ai dhe shton:

“Megjithatë, është si një lloj flladi... Për mua, është vetëm një lloj njohjeje nga institucionet tona, me atë që ka ndodhur në Reçak dhe se ato duan të bëjnë diçka, por jo më shumë”.

Ngjarjet e Reçakut nën llupën e institucioneve të drejtësisë

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë, me propozimin për gjykim në mungesë ndaj 21 personave, për vrasjen e 42 civilëve, gjatë një operacioni të forcave policore serbe në Reçak, më 15 janar 1999.

Ndaj O.S.,R.M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A. dhe Z.J., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”. Asnjëri prej tyre nuk është i qasshëm për institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Gjykimi në mungesë ndaj këtyre të akuzuarve nuk arriti të nisë më 20 korrik në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të kushteve ligjore.

Për katër prej të akuzuarve nuk dihej se cilët ishin avokatët mbrojtës, të cilët duhet të caktohen sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve e Kosovës.

Në procesin gjyqësor, që nis të premten, Prokuroria Speciale do të shpalosë aktakuzën e cila i ngarkon ata se si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë viteve 1998-1999 kanë kryer trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile.

SHIKONI EDHE:

“Më shërohet zemra kur i shoh në ëndërr” – Rrëfimi i familjarit të të vrarëve në masakrën e ReçakutMasakra e Reçakut "i tregoi botës tragjedinë që përjetuan shqiptarët"

Sipas aktakuzës, ata e kishin rrethuar fshatin Reçak nga drejtimet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas e kishin granatuar.

Më pas, kishin kontrolluar shtëpitë një nga një, kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largoheshin nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i kishin ekzekutuar.

Por, ky proces gjyqësor nuk është zhvillimi i vetëm lidhur me masakrën e Reçakut.

Më 12 qershor, gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, u arrestuan pesë persona.

Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb. Ndërkaq, policia nuk arriti ta arrestonte personin e gjashtë, i cili nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

SHIKONI EDHE:

Pesë të arrestuar për krime lufte në Reçak, dyshohet se ishin pjesë e njësive speciale serbe

Të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e janarit në Reçak.

Por, sipas Shabanit, çfarëdo përfundimesh që do të kenë proceset që ndërlidhen me ngjarjet në Reçak, një gjë mbetet peng i rrethanave:

“Gati shumica e prindërve [të viktimave] kanë vdekur. Ata nuk kanë parë drejtësi. Kanë vdekur me sytë hapur”, përfundon ai.