Rumania e ka akuzuar Rusinë të premten për “përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm”, pasi një dron e goditi një ndërtesë shumëkatëshe banimi brenda Rumanisë, fare pranë kufirit me Ukrainën. Incident shkaktoi reagime dhe u dënua nga Evropa, NATO dhe Shtetet e Bashkuara.
Droni hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë sulmeve të natës kundër Ukrainës dhe u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në Galați, një qytet në lumin Danub, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë të premten.
Sipas ministrisë, rrëzimi i dronit shkaktoi zjarr, duke nxitur reagim emergjent ku u përfshinë disa agjenci sigurie dhe shpëtimi.
Sipas zyrtarëve rumunë, kjo nxiti evakuim nga ndërtesa dhe të paktën dy njerëz pësuan lëndime të lehta.
“Ky incident përfaqëson një përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm nga ana e Federatës Ruse”, tha ministrja e Jashtme e Rumanisë, Toiu Oana, në një postim në X.
Rusia ende nuk ka komentuar lidhur me incidentin.
Ajo shtoi se Bukureshti i ka njoftuar shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), aleatët e NATO-s dhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe se ka “kërkuar masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër dronëve në Rumani”.
“Federata Ruse mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këto veprime të rënda dhe të papërgjegjshme”, tha Oana.
“Sjellja e pamatur e Rusisë është e rrezikshme për të gjithë ne”, tha shefi i NATO-s, Mark Rutte, në një reagim ndaj incidentit, duke theksuar se NATO-ja “është e gatshme ta mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës”.
“Ata vazhdojnë t‘i shënjestrojnë civilët dhe infrastrukturën civile në gjithë Ukrainën, dhe nata e kaluar tregoi edhe një herë se pasojat e luftës së tyre të paligjshme agresive nuk ndalen në kufi”, tha Rutte.
Ndërtesa e dëmtuar nga sulmi me dron në Galati.
Presidenti i Rumanisë, Nicusor Dan, tha se e ka mbledhur Këshillin Suprem të Mbrojtjes Kombëtare për të biseduar për pasojat e “incidentit më serioz” që ka prekur territorin rumun që nga fillimi i luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës.
“Do të marrim masa proporcionale ndaj Federatës Ruse”, tha ai.
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e dënoi sulmin duke e përshkruar si “inkursion të pamatur” në territorin rumun, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah “aleatit tonë në NATO, Rumanisë”.
“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, deklaroi Whitaker.
Kongresisti amerikan Joe Wilson deklaroi se Rusia, “në mënyrë agresive dhe e paprovokuar”, e ka sulmuar Rumaninë, duke thënë se “familjet që flenë në shtëpitë e tyre janë caku” dhe se “parandalimi është e vetmja mënyrë për t’i ndalur veprimet e çoroditura të Rusisë.”
SHIKONI EDHE:
Si i ka goditur lufta në Ukrainë qytetet kufitare të Rumanisë?Nuk është e qartë nëse Bukureshti do të kërkojë konsultime emergjente sipas Nenit 4 të aleancës.
Konsultimet sipas Nenit 4 - një dispozitë e traktatit të NATO-s që i lejon çdo vendi anëtar të kërkojë zyrtarisht konsultime emergjente me aleatët sa herë që integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tij kërcënohet - janë thirrur tri herë qëkurse Rusia e nisi luftën e plotë kundër Ukrainës në shkurt 2022.
Neni 4 është thjesht një mekanizëm konsultimi. Aktivizimi i tij nuk garanton përgjigje ushtarake apo aktivizimin e Nenit 5, i cili është përdorur vetëm një herë në historinë 77-vjeçare të aleancës, pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.
Rumania, anëtare e NATO-s dhe BE-së që ndan një kufi prej 650 kilometrash me Ukrainën, ka regjistruar 28 depërtime të dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore qëkurse Moska i filloi sulmet ndaj porteve ukrainase përgjatë lumit Danub gjatë pushtimit të plotë të Ukrainës, që e nisi në shkurt të vitit 2022.
SHIKONI EDHE:
Rumania ngre avionët pasi iu shkel hapësira ajrore gjatë një sulmi rus në UkrainëMinistri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, paralajmëroi se “agresioni rus përbën kërcënim real për rajonin e Detit të Zi dhe për të gjithë Evropën”.
Maia Sandu, presidente e Moldavisë, e cila kufizohet si me Rumaninë ashtu edhe me Ukrainën, e dënoi ashpër atë që e përshkroi si “dronë rusë që godasin rumunët në shtëpitë e tyre”.
“Kjo është serioze”, shkroi ajo në platformën X. “Rusia është rrezik për të gjithë dhe duhet të ndalet”.
“Lufta agresive e Rusisë ka kaluar edhe një kufi tjetër”, shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në X.
“Inkursioni i një droni rus goditi një zonë me dendësi të lartë popullsie në Rumani, duke plagosur civilë. Në territorin e BE-së”, tha ajo.
“Ne do të vazhdojmë të rrisim trysninë ndaj Rusisë. Po e përgatisim paketën e 21-të të sanksioneve”, tregoi ajo.