Zyrtarët rusë pretenduan se sistemet e votimit kanë qenë në shënjestër të një sulmi kibernetik, teksa qytetarët po votojnë të shtunën në ditën e dytë nga tri ditët e votimit për Dumën Shtetërore, dhomën e ulët të Parlamentit.
Nuk pati konfirmim të pavarur për sulmet të shtunën. Zyrtarja më e lartë e zgjedhjeve në vend, Ella Pamfilova, pretendoi se përpjekjet për të ndërprerë procesin u parandaluan, por nuk dha detaje.
Ministria ruse e Zhvillimit Digjital raportoi për një përpjekje sabotimi ndaj një linje komunikimi në rajonet e vendit në Paqësor, por tha se nuk pati ndërprerje të procesit të votimit.
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në Rusi që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Rusia zhvilloi zgjedhjet presidenciale në vitin 2024, të cilat Vladimir Putin i fitoi me lehtësi.
SHIKONI EDHE:
Rusët votojnë në zgjedhjet e para parlamentare që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 2022Presidenti rus Vladimir Putin nuk është në fletëvotim për zgjedhjet e kësaj jave për Dumën Shtetërore. Por në garë është Rusia e Bashkuar, partia e mbështetur nga Kremlini, si dhe politikat e Kremlinit lidhur me luftën.
Zyrtarët thanë se rreth 33 për qind e votuesve me të drejtë vote kishin votuar deri në mesditën e së shtunës.
Pak ekspertë presin ndryshime të mëdha në përbërjen e Dumës me 450 vende, e cila dominohet nga partia qeverisëse Rusia e Bashkuar, e lidhur me Kremlinin.
Për vite me radhë, këshilltarët politikë të Kremlinit kanë përdorur mjete të ndryshme për të kontrolluar dhe orientuar sistemet zgjedhore dhe administrative të vendit, për të siguruar që zgjedhjet të prodhojnë rezultatet e përcaktuara.
Mesazhi elektoral kundër luftës i partisë Jabloko ka tërhequr mbështetës të rinj, qindra prej të cilëve mbushën rrugët jashtë Gjykatës Supreme ruse, ndërsa gjykata shqyrtonte argumentet për përjashtimin e partisë nga zgjedhjet.
SHIKONI EDHE:
Rusia mban zgjedhjet e para që nga nisja e pushtimit të Ukrainës: Gjërat që duhet t’i diniLufta në Ukrainë dhe ngadalësimi i ekonomisë janë faktorë që rëndojnë mbi zgjedhjet. Në javët para votimit, zyrtarët ia ndaluan partisë politike Jabloko të merrte pjesë në zgjedhje, duke u thirrur në parregullsi teknike, ndërsa mesazhet e saj kundër luftës duket se kishin gjetur mbështetje te disa rusë.
Megjithëse është e vështirë të bëhen sondazhe të opinionit për shkak të politikave represive që kanë kriminalizuar kundërshtimin ose opozitën ndaj luftës, disa sondazhe kanë treguar rënie të mbështetjes për Putinin, si dhe për Rusinë e Bashkuar.
Në prag të votimit, Putin u bëri thirrje rusëve të dilnin për të votuar, duke thënë se rezultatet do të shërbenin si tregues i mbështetjes për trupat ruse që luftojnë në Ukrainë.
Rezultatet zyrtare nuk priteshin para 21 shtatorit.